Ndërlidhjet

AKTUALIZOHET ÇËSHTJA E MITROVICËS PARA FILLIMIT TË BISEDIMEVE


Albana Isufi, Prishtinë

Rekomandimet që janë bërë nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave për zgjidhjen e çështjes së veriut të Kosovës para statusit përfundimtar, nuk kanë filluar së zbatuari as nga mekanizmat ndërkombëtarë e as nga ata vendorë, thonë zyrtarë të këtij Grupi.
Ndërkohë, që udhëheqësit kosovarë po bëjnë përgatitjet përfundimtare për të hyrë në bisedimet rreth statusit, shefi i Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Kosovë, Aleks Anderson, sërish tërheq vërejtjen se çështja e pazgjidhur e Mitrovicës, e cila vazhdon të administrohet nga strukturat paralele serbe, do ta sfidojë statusin përfundimtar të Kosovës.
“Në të vërtetë është një çështje shumë e rëndësishme, që duhet të zgjidhet në njërën mënyrë apo tjetrën dhe në të vërtetë mund ta sfidojë zgjidhjen përfundimtare, rreth asaj se çfarë forme të pavarësisë do të marrë Kosova”, thotë Anderson.
Në anën tjetër, zyrtarët e institucioneve të Kosovës nuk shohin ndonjë nevojë që veriu i Kosovës të trajtohet në mënyrë të veçantë. Këshilltari i kryeministrit, Avni Arifi thotë:
“Qëndrimi ynë është se nuk do të ketë një zgjidhje për secilin qytet veç e veç, por do të ketë një zgjidhje të përgjithshme për Kosovën. Dhe çështjen e Mitrovicës e shohim në kontekst të zgjidhjes së përgjithshme të çështjes së Kosovës”.
Megjithatë, Arifi pranon se prezenca e institucioneve të Kosovës në veri është larg nga e dëshiruara. Por, ai shpreson në integrimin e serbëve në institucionet e Kosoëvs pas zgjidhjes së statusit.
“Me zgjidhjen e statusit politik të Kosovës do të eliminohen edhe strukturat paralele”, thotë Arifi.
Por, Aleks Anderson nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, nuk mendon se zgjidhja e veriut të Kosovës është kaq e thjeshtë.
“ Mitrovica do të ndikojë formën e ndonjë misioni të ardhshëm ndërkombëtar në Kosovë, dhe si e tillë, do të ndikojë në shtyrjen e zgjidhjes së statusit dhe fatkeqësisht është një kartë e gjerë që mund të ndikojë në situatën e gjithmbarshme”, thotë Anderson.
Këshilltari politik i kryeministrit, Avni Arifi, mendon se serbët e Kosovës shpejt do të binden se strukturat paralele dhe mosintegrimi në institucionet e Kosovës nuk janë në të mirë të tyre.
“Besimi ynë, përkushtimi, fokusi ynë është, që të gjithë qytetarët e Kosovës të integrohen në institucionet e Kosovës, në shoqërinë e Kosovës dhe çdo ndarje në struktura paralele nuk i shërben askujt, as atyre qytetarëve. Perspektiva e qytetarëve të Kosovës dhe rruga drejt Evropës kalon nëpër këtë ndërtesë, ndërtesën qeveritare në sheshin Nëna Terezë".
Kriteret e Grupit të Kontaktit për zgjidhjen e çështjes së Kosovës janë se nuk do të ketë ndarje apo bashkim të Kosovës me ndonjë shtet tjetër. Mirëpo, Grupi Ndërkombëtar i Krizave në raportin e tij të fundit për Mitrovicën, ka bërë thirrje që bashkësia ndërkombëtare të mos merret vetëm me retorikë, por të marrë masa konkrete në zgjidhjen e çështjes së veriut të Kosovës, në mënyrë që kjo pjesë të mos jetë peng e zgjidhjes së statusit përfundimtar.

XS
SM
MD
LG