Ndërlidhjet

logo-print

A DO TË JETË DECENTRALIZIMI PJESË E BISEDIMEVE PËR STATUSIN?


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Zyrtarë të qeverisë së Kosovës nuk do të dëshironin që decentralizimi të jetë pjesë e bisedimeve për çështjen e Kosovës, por besojnë se kjo do të jetë e pashmangshme, ashtu si edhe marrja e ndonjë vendimi politik për këtë proces, pikërisht në bisedimet për statusin përfundimtar. Ministri i Pushtetit Lokal në qeverinë e Kosovës tha sot se
nuk do të dëshironte që procesi i decentralizimit të jetë pjesë e tavolinës negociuese me Beogradin, pasi deri më tash nuk është lejuar që pjesë e procesit të jenë autoritete jashtë Kosovës, përveç partnerëve nga Këshilli i Evropës dhe USAID:
"Sipas të gjitha vlerësimeve, një pjesë e këtij procesi do të jetë pjesë e këtyre negociatave dhe do të ndodhë ajo që ndodh në çështje të negociatave - do të ndodhë një vlerësim politik që këtij procesi mund t’i japë qasje tjetër."
Ministri Haziri tha se për qeverinë e Kosovës është me rëndësi që të ruhet parimi i përcaktuar sipas kornizës ligjore për reformën e pushtetit lokal, mirëpo sipas tij, negociatat janë negociata:
"Pavarësia do të jetë e panegociueshme dhe me vetë faktin që kjo do të jetë e panegociueshme, atëherë diçka do të negociohet në këtë kontekst dhe njëra nga këto mund të jetë ky proces. Nuk do të rekomandoja që të negociohet në këtë çështje".
Në anën tjetër, kundër përfshirjes së decentralizimit në bisedimet për statusin e Kosovës janë edhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës. Rangjel Nojkiq nga Lista Serbe tha se fillimi i reformës së pushtetit lokal nuk guxon ta presë hapjen e bisedimeve për statusin:
"Negociatat nuk guxojnë të jenë të lidhura me decentralizimin dhe anasjelltas. Decentralizimi është proces më vete dhe duhet t’i përgjigjet qëllimit të vet," tha Rangjel Nojkiq. Mirëpo, deri më tash nuk është vërejtur ndonjë përparim në jetësimin e dy komunave provuese me shumicë serbe, Graçanicës dhe Parteshit. Ministri Lutfi Haziri tha se është në fazën e mbajtjes hapur të procesit në raport me zbatimin e këtyre dy njësive dhe ende ka mjaft dallime:
"Edhe më tutje dallimet i kemi në këtë kontekst, jo me komunitetin e qytetarëve serbë, por me përfaqësuesit e tyre politikë. Dallimet janë sepse ne nuk pranojmë kushte që kanë të bëjnë me zbatimin e tyre. Procesi është i pandalshëm, ashtu siç janë të pandryshueshme parimet e kornizës ligjore për reformë. Të gjithë ata që nuk morën pjesë sot, do të detyrohen të marrin pjesë në të ardhmen, mirëpo pak a shumë mund të vonohen në krijimin politikave që në këtë fazë jemi duke i ndërtuar."
Serbët e Kosovës nuk marrin pjesë në decentralizimin e pushtetit, pasi kërkojnë reformë të përgjithshme me numër të saktë të komunave të ardhshme dhe me kompetenca të komunave të reja të përcaktuara qartë, si dhe kërkojnë që në komunat me shumicë serbe, kjo shumicë të jetë e qëndrueshme. Nojkiq tha se për serbët është me prioritet decentralizimi i përgjithshëm:
"Kërkesat tona, jo vetëm që janë të qëndrueshme, por kur i kemi bërë ato, askush nuk i ka kundërshtuar, prandaj konsiderojmë se janë optimale dhe janë një gjë për të cilën vlen të diskutohet," tha Nojkiq.
Mirëpo, Ministri i Pushtetit Lokal Lutfi Haziri, edhe sot përsëriti qëndrimin e tij fakti që dyert janë të hapura, nuk do të thotë se mund të bëhen ndryshime thelbësore të variantit B të planit të qeverisë së Kosovës për decentralizimin, që një muaj më parë pati marrë mbështetjen e njëzëshme të Grupit të Kontaktit dhe të krerëve të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.




XS
SM
MD
LG