Ndërlidhjet

logo-print

KRYQI I KUQ NDËRKOMBËTAR I PAKËNAQUR ME TAKIMIN NË BEOGRAD


Zijadin Gashi, Prishtinë

Grupet për bisedimet teknike për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, kanë dështuar në misionin e tyre për të ofruar informata të dyanshme që do të ndihmonin ndriçimin e fatit të personave të zhdukur, ka thënë sot Fransua Shtam, udhëheqës i operacioneve të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për Evropën Juglindore. Këto vlerësime, Shtam i ka paraqitur sot në Prishtinë, pas takimit të djeshëm në Beograd ndërmjet grupeve punuese, të cilat sipas tij vazhdojnë të mos ofrojnë asnjë informacion të vlefshëm që do të ndihmonte në zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.
Numri i përgjithshëm i personave që ende konsiderohen të pagjetur, sipas Kryqit të Kuq është 2557 veta. Ndërsa të gjitha rastet ku është zbardhur fati i të zhdukurve, janë rezultat i punës së mjekësisë ligjore dhe nuk janë rezultat i informacioneve nga Prishtina apo Beogradi:
“Duke pasur parasysh përparimin e arritur deri më tash, unë nuk jam aspak i kënaqur me punën e bërë nga grupet punuese”, tha Shtam. Ai tha se këto grupe mund të ofrojnë informacione të vlefshme dhe të mos presin vetëm rezultatet e mjekësisë ligjore.
Fransua Shtam, tha se janë dy rrugë tjera përveç mjekësisë ligjore që mund të sjellin rezultate. "E para, që grupet punuese të ofrojnë informata për fatin e personave të zhdukur dhe e dyta ofrimi i informatave për lokacionet e mundshme të varrezave të tjera masive, që nuk janë zbuluar deri më tash. Nëse procesi mbështetet vetëm në mjekësinë ligjore, atëherë del se sapo që mjekësia ligjore të përfundojë punën në identifikimin e pak më shumë se 200 trupave tjerë që ndodhen ende në Serbi, fati i një numri të madh të personave të zhdukur do të mbetet plotësisht i pa zbuluar," ka thënë ai.
Riatdhesimi i kufomave të tjera nga Serbia, sipas tij do të përfundojë në dhjetor apo në pjesën e parë të vitit tjetër. Kurse takimi i radhës së grupeve punuese do të mbahet më 7 dhjetor në Prishtinë, dhe nëse nuk ka rezultate, Shtam tha se nuk është i interesuar për takime të tilla të pafrytshme. Sidoqoftë, ai tha se misioni i tij ndërmjetësues varet nga dëshira e familjarëve, dhe nëse familjet e të zhdukurve kërkojnë vazhdimin e takimeve ato do të ndodhin, por ai kërkoi që të ndërpritet praktika e tashme e mbajtjes sekret të informacioneve nga të dyja delegacionet.



XS
SM
MD
LG