Ndërlidhjet

PUNËTORËT VAZHDOJNË GREVËN, MINISTRIA KËRCËNOHET ME MASA LIGJORE


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Dhjetra punëtorë të Ministrisë së Shërbimeve Publike edhe sot kanë vazhduar protestën e tyre përpara ndërtesës së kësaj ministrie, në kërkim të, siç thonë ata, respektimit të ligjit në këtë institucion. Sipas protestuesve më shumë se njëzet punëtorë janë shkarkuar nga vendet e tyre të punës, në kundërshtim me procedurat ligjore. Protestuesit sot kanë bërë përpjekje të futen në ndërtesën e ministrisë, por janë penguar nga forcat e rendit, në mungesë të dokumentacioneve të nevojshme për të hyrë në ndërtesë, për të cilat protestuesit thonë se janë konfiskuar para dy ditësh nga Shërbimi Policor i Kosovës.
Eshref Vishi, njëri nga protestuesit shpjegon format e, siç thotë ai, shkeljes së të drejtave të punëtorëve në këtë ministri.
"Ndërprerja e marrëdhënies së punës nuk bëhet konform normave ligjore në fuqi, ashtu siç janë të parapara me rregulloren 36/2001 dhe urdhëresën administrative 2003/02 dhe udhëzime të tjera administrative. Këto nuk përfillen nga ana e menaxhmentit të lartë, domethënë shkelen në fillim nga to, nuk përfillet procedura që është e paraparë me ligj. Për këtë arsye konsideroj se të gjitha këto veprime procedurale të ndërmarra nga menaxhmenti i lartë janë në kundërshtim me ligjin."
Artan Imani, gjithashtu protestues thotë se udhëheqësja e kësaj ministrie në shumë raste ka sjellë vendime arbitrare mbi personelin civil.
"Protesta jonë është për respektimin e ligjit në shërbimin civil dhe kthimin e ligjshmërisë në Ministrinë e Shërbimeve Publike."
Ndërkohë edhe punëtorët e qendrës për regjistrimin e automjeteve në Prishtinë, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Shërbimeve Publike, i janë bashkuar protestës, në shenjë përkrahjeje për kolegët e shkarkuar.
Burim Zhitia, koordinator në këtë qëndër, shpjegon sipas tij pasojat e pjesëmarrjes së tyre në protestë, edhe përkundër faktit se ata nuk janë shkarkuar nga vendet e tyre të punës.
"Sekretari ka dhënë urdhër që të thyhen ato dyer. Ne nuk na është lejuar shkaku sepse ne jemi arrestuar . Ne nuk na është lejuar shkaku sepse ne jemi arrestuar atë natë prej policisë në grevën e urisë që kemi qenë. Na është marë ID e punës dhe nuk na lenë të hymë brenda tani. Sot kam qenë para punës në orën 7:30 dhe nuk më është lejuar të hyj."
Protesta vazhdon të hënën dhe ajo pritet të marrë një formë tjetër nga ajo që ishte deri tani, ndonëse hollësitë ende nuk dihen.
Në Ministrinë e Shërbimeve Publike thonë se ndaj të gjithë personave që kanë penguar punën në këtë ministri, do të ndërmerren masat e parapara ligjore.
Në një njoftim të kësaj ministrie gjithashtu thuhet se që sot e tutje, të gjithë punëtorët, të cilëve u është konfiskuar dokumentacioni, do të njoftohen për rifillimin e punës.



XS
SM
MD
LG