Ndërlidhjet

PETERSEN: BEOGRADI TË ANGAZHOHET NË MËNYRË KONSTRUKTIVE NË KOSOVË


Në Kosovë vazhdojnë punët në procesin e decentralizimit dhe zbatimin e standardeve, dhe ç'është më e rëndësishmja për ato standarde që janë thelbësore në ndërtimin e shoqërisë shumëetnike në Kosovë, deklaroi gjatë vizitës së tij në Beograd shefi i UNMIK-ut Soren Jessen-Petersen. Gjithashtu është shumë e rëndësishme që edhe shumë punë të tjera po vazhdojnë, tha Petersen, për të shtuar.
"Njësoj e rëndësishme është që përderisa vazhdojnë diskutimet për statusin, nga ana tjetër të vazhdojë edhe dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit për çështjet e rëndësishme në Kosovë", tha Petersen.
Ai tha se Beogradi ka interes për mënyrën se si do të zhvillohet decentralizimi në Kosovë. Në Vjenë u bë një hap i mirë i parë ndërmjet dy ministrave. Ky ishte fillimi i dialogut Prishtinë-Beograd mbi decentralizimin, dhe është me rëndësi që ky dialog të vazhdojë, tha Petersen. Është me rëndësi që të ketë kontakte edhe mes ministrive të tjera, siç ishte kontakti i dy ministrave të kulturës. Flitet edhe për takim të ministrave të shëndetësisë. Pra është e rëndësishme që të vazhdojë ky dialog mbi çështjet teknike, tha shefi i UNMIK-ut.
"Unë sot u kam bërë thirrje presidentit dhe kryeministrit të Serbisë, që të kenë një angazhim më konstruktiv për problemet praktike të serbëve në Kosovë. Ndoshta nuk ka patur progres të mjaftueshëm, apo ka patur progres të kufizuar në çështjet si kthimi i të zhvendosurve," tha ai.
"Por pa një angazhim konstruktiv dhe të drejtpërdrejtë të Beogradit në Kosovë, gjithmonë do të ketë kufizime për atë se sa punë mund të bëjmë. Mendoj se tash kemi interes të përbashkët. Ne duam ta bëjmë të mundur që të gjithë qytetarët, të gjitha pakicat, por më e rëndësishmja që serbët e Kosovës të ndihen se janë të sigurtë, se në Kosovë kanë ardhmëri, dhe se ne po punojmë në çështjet që i shqetësojnë. Gjithë kjo kërkon angazhim konstruktiv nga Beogradi, me qëllim të përfshirjes së serbëve të Kosovës," tha Jessen-Petersen, për të shtuar.
"Fundja, në pyetje është ardhmëria e tyre. Ata duhet të përfshihen në ndërtimin e saj", tha kreu i UNMIK-ut.
Lidhur me këto çështje, përkushtimi i madh do të jetë edhe nga ana e institucionet e Kosovës, vazhdoi ai.
"Ne po hyjmë në një fazë të re. Na lejoni që vërtetë ta intensifikojmë dhe ta përmirësojmë bashkëpunimin, kështu që së bashku me institucionet e Kosovës, të mund ta përmirësojmë pozitën e pakicave", tha shefi i UNMIK-ut.
Gjatë vizitës në Beograd, Jessen-Petersen tha se Qendra Koordinuese për Kosovën nuk ka qenë gjithmonë pjesë e zgjidhjes, dhe shtoi se i ka bërë thirrje shefes së re Sanda Rashkoviq Iliq, që të bashkëpunojë me institucionet e Kosovës, në mënyrë që ajo të bëhet pjesë e zgjidhjes.


XS
SM
MD
LG