Ndërlidhjet

PATRICK MOORE: PAVARËSIA E KUSHTËZUAR – OPSIONI MË I MUNDSHËM


"Siç e dimë, politika është art i së mundshmes dhe një pavarësi e menjëhershme është, për fat të keq, e pamundur. Beogradi ka miq në pozita të larta, gjithashtu ka shumë njerëz me shqetësime legjitime rreth sigurisë së pakicës serbe, të cilët do të kundërshtonin pavarësi të plotë dhe të menjëhershme", thotë, pos tjerash, analisti i Radios Evropa e Lirë, Patrick Moore, duke folur për çështjen e statusit final të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Këtë javë, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan ka thënë se ai ka rekomanduar fillimin e bisedimeve për statusin e Kosovës. Kjo u bë pasi ai e mori raportin nga i dërguari i tij, Kadi Eide. Pra, a pritni që në sesionin e ardhshëm të Këshillit të Sigurimit, më vonë gjatë këtij muaji, do të shohim fillimin zyrtar të këtyre bisedave?

PATRICK MOORE
Po. Mendoj se ky është një vlerësim korrekt. Duket se nuk ka asnjë kundërshtim nga asnjëra pale, të paktën, për fillimin e bisedimeve. Por çështja është që vështirësitë do të jenë në detajet e bisedimeve dhe ky do të jetë vetëm fillimi. Edhe pse disa nga pjesëmarrësit, siç janë për shembull Shtetet e Bashkuara, mund të jenë të interesuar që të kenë një përcaktim të shpejtë të statusit, jam i sigurt që do të shohim disa shembuj të mëdhenj teatri, ku të tjerët do të përpiqen të shtyjnë përcaktimin e statusit, ose do të dalin me diçka që është totalisht jo reale.

RADIO EVROPA E LIRË
Grupi i Kosovës për negociata thotë se platforma e tij është e qartë – pavarësia për Kosovën, ndërsa diplomatë perëndimor privatisht thonë se zgjidhje do të jetë pavarësia e kushtëzuar. Propozimi i Beogradit është "më tepër se autonomi, më pak se pavarësi". Sipas jush çfarë finale do të kemi dhe kur?

PATRICK MOORE
Kam besuar gjithmonë se pavarësia e plotë mbi parimin e vetëvendosjes dhe vullnetit të shumicës është moralisht e drejtë dhe kosovarët nuk do duhej ta kërkonin këtë nga askush, ashtu siç nuk e kërkoi ta zëmë as Gana e as Bangladeshi kur po kërkonin të çliroheshin nga kolonializmi. Por siç e dime, politika është arti i së mundshmes dhe një pavarësi e menjëhershme është, për fat të keq, e pamundur. Beogradi ka miq në pozita të larta, gjithashtu ka shumë njerëz me shqetësime legjitime rreth sigurisë së pakicës serbe, të cilët do të kundërshtonin pavarësi të plotë dhe të menjëhershme. Mendoj që në Beograd e kanë kuptuar që ndoshta e kanë humbur Kosovën. E kuptoj që disa nga udhëheqësit serbë janë të gatshëm ta pranojnë këtë privatisht. Ata po përpiqen të përdorin taktika të mira negociatash. Dhe për këtë nuk mund të fajësohen, nëse merret parasysh këndvështrimi i tyre, pra përpjekja për të përfituar sa më shumë për palën e tyre. Mendoj që pavarësia e kushtëzuar, e cila gjithashtu mbështetet nga Tirana, është rezultati më i mundur, për shkak të shqetësimeve në vendet perëndimore për pakicën serbe. Sigurisht këto shqetësime janë shfrytëzuar nga Beogradi, kemi pasur disa vrasje të serbëve që janë shfrytëzuar më së miri politikisht nga Beogradi. Prandaj mendoj që pavarësia e kushtëzuar është më e mundura. Nuk do doja të bëja asnjë supozim rreth afatit kohor, sepse siç e thashë ka disa interesa që do të kërkojnë ti ngadalësojnë gjërat. Ajo që më bën të kam frikë në gjithë këtë situatë është, që nëse korniza kohore shtyhet shumë, do të kemi një prani të tejzgjatur koloniale të administratës së jashtme në Kosovë dhe kjo do të shkaktojë probleme dhe tensione të reja.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë pikë, duket e paqartë se çfarë lloj negociatash do të kemi, meqë pas rënies së komunizmit, kemi parë krijimin e shteteve të reja në mënyra të ndryshme. Si i shpjegoni ju këto metoda të ndryshme?

PATRICK MOORE
Ajo që shohim në Kosovë është një kombinim i dy proceseve: të procesit të dekolonizimit pas viteve '45 dhe procesit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë pas viteve '89- 90. Shohim që patëm shpërbërjen e ish Bashkimit Sovjetik. Në disa zona kishte gjakderdhje në disa zona jo, por, për shembull, askush nuk u dha shteteve baltike apo Ukrainës pavarësi të kushtëzuar. Ato e fituan pavarësinë e tyre dhe nuk ajo nuk u sfidua më vonë. Por, pse ndodhi kjo, cili është ndryshimi? Edhe pse Rusia kishte miq në perëndim, të cilët donin ta mbanin të bashkuar ish-Bashkimin Sovjetik dhe lidhur me këtë do doja t'ju kujtoja se ish presidenti Bush, i jati i presidentit të tanishëm amerikan Xhorxh Bush, pat mbajtur një fjalim në parlamentin e Ukrainës, në të cilin i paralajmëroi ukrainasit kundër shkëputjes së tyre nga Bashkimi Sovjetik. Edhe rusët kishin miq në nivele të larta, por kishte një ndryshim të jashtëzakonshëm. Rusia prodhoi një Boris Jelcin, i cili ishte mjaft i guximshëm dhe mjaft inteligjent, për dallim nga udhëheqësit në Beograd, që pranoi se epoka e perandorisë kishte marë fund dhe Rusia do të duhej të hiqte dorë nga perandoria e saj, nëse donte të zgjidhte problemet e brendshme. Nëse disa nga udhëheqësit e Serbisë e pranojnë këtë privatisht, nuk e pranojnë publikisht. Kjo, sepse po afrohen zgjedhjet në Serbi dhe ashtu siç e di gjithkush, po e përdorin çështjen e Kosovës për të fituar kapital politik në këto zgjedhje.
Intervistoi Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG