Ndërlidhjet

logo-print

GRUPET PARLAMENTARE ARRITËN PAJTUESHMËRI PËR PROPOZIM REZOLUTËN PËR PAVARËSINË E KOSOVËS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Shefat e grupeve më të mëdha parlamentare në Kosovë e kanë nënshkruar tekstin e harmonizuar të rezolutës, me të cilën kërkohet nga Kuvendi të ri-konfirmojë vullnetin e popullit të Kosovës për shtet të pavarur e sovran. Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Krasniqi, si propozues i kësaj rezolute, thotë se rezoluta është përkrahur nga partitë e tjera parlamentare dhe paraqet qëndrimin unik të spektrit politik dhe të qytetarëve të Kosovës për shtetin e pavarur e sovran të Kosovës. Prandaj, Krasniqi pret që Kuvendi të mblidhet urgjentisht që ta miratojë këtë rezolutë:
“Ajo është proceduar në Kryesi dhe Kryesia besojmë se me procedurë të shpejtë do të caktojë gjatë kësaj jave një seancë për këtë çështje”, tha Krasniqi.
Ndërkohë, edhe shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alush Gashi, pret nga Kryesia të respektojë vendimin e Kuvendit dhe ta thërrasë seancën brenda javës për miratimin e kësaj rezolute.
“Nuk shohim asnjë problem që Kryesia e Kuvendit të mos e zbatojë vendimin e seancës plenare, që pas arritjes së tekstit të harmonizuar konform rregullores së punës dhe vendimit të seancës, të organizojë seancë të posaçme për këtë çështje”, theksoi Gashi
Në anën tjetër, shefja e grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gjylnaze Syla, beson se rezoluta do të marrë miratimin e Kuvendit, në mënyrë që Kuvendi të paraqitet unik për sa i përket statusit të Kosovës:
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe unë personalisht, kam thënë se ne kemi konsensus, kur është fjala për statusin përfundimtar të Kosovës, do të thotë ne të gjithë e kemi një qëllim të përbashkët dhe jam e bindur se do të jemi unik në atë çështje”, tha Syla.
Ndërsa grupet parlamentare konsiderojnë se e kanë kryer punën e tyre dhe presin që Kuvendi të mblidhet për ta miratuar këtë rezolutë, besohet gjithashtu se komuniteti ndërkombëtar, përkatësisht administrata e UNMIK-ut, nuk do të reagojë, sikurse në disa raste të mëhershme kur kishte dhe disa ndërhyrje në vendimet e Kuvendit të Kosovës.
Jakup Krasniqi, thotë se nuk pret që komuniteti ndërkombëtar ta kundërshtojë një rezolutë të tillë që paraqet vullnetin e popullit të Kosovës:
“Ne mendojmë që kjo rezolutë ka ardhur në kohën e duhur dhe partitë politike mbi bazën e fushatave zgjedhore, mbi bazën e angazhimeve të tyre në të kaluarën, por në mënyrë të veçantë gjatë këtyre gjashtë viteve, e kanë për detyrë ta kryejnë obligimin para qytetarëve të Kosovës dhe ne shpresojmë që edhe komuniteti ndërkombëtar është në këto vija”, tha Krasniqi.
Qëndrim identik ka paraqitur dhe Alush Gashi nga grupi më i madh parlamentar:
“Ata që e anulojnë këtë rezolutë marrin përgjegjësi nëse marrin një gabim të tillë”, pohoi Gashi.
Teksti i rezolutës së propozuar në seancën e fundit, tani pas harmonizimit ka pësuar disa ndryshime. Kjo rezolutë, përveçse kërkon nga Kuvendi të ri-konfirmojë vullnetin e popullit të Kosovës për pavarësi e shtet sovran, kërkon nga Kuvendi që t’i drejtohet Kombeve të Bashkuara dhe organizatave, qeverive e mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë, që ta njohin shtetin e Kosovës, si dhe kërkon fillimin e menjëhershëm të punës për hartimin e kushtetutës së Kosovës, nene këto që nuk janë paraparë në tekstin e propozuar gjatë seancës së fundit. Prandaj, Kryesia e Kuvendit nesër do të mblidhet që të shohë nëse janë plotësuar të gjitha kushtet e parapara me rregullore që të thirret seanca plenare për miratimin e saj.




XS
SM
MD
LG