Ndërlidhjet

logo-print

WILLIAM WALKER KRYESON NJË GRUP, QË THOTË SE ANGAZHOHET PËR PAVARËSINË E KOSOVËS


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Pavarësia e kushtëzuar është një koncept absurd dhe nuk është status i zgjidhur përfundimisht, ka thënë sot në Prishtinë William Walker, ish-kryesues i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovës gjatë viteve 1998 dhe 1999. Këto komente ambasadori Walker i ka bërë sot në Prishtinë me rastin e prezantimit të organizatës së sapoformuar nga një grup ish-diplomatësh dhe ish-politikanësh amerikanë, nën emrin Aleanca për Kosovën e re. Ambasadori Walker, i cili shoqërohej nga ish-kongresmeni Bob Carr, ish-politikani i lartë Sem Haskinson dhe ish-kryetari i Universitetit Kombëtar të Mbrojtjes në Uashington, gjenerali Robert Gard, tha se formimi i këtij grupi ka ardhur në kohën kur Kosovës i duhet të ecë përpara:
"Grupi Aleanca për Kosovën e re është formuar dhe është një nismë e re që përpiqet të shtyjë gjërat përpara këtu në Kosovë," tha William Walker, duke shfaqur besimin se tani është koha e duhur që disa gjërat të fillojnë të ndodhin, pasi edhe sekretari Anan në rekomandimet e tij për Këshillin e Sigurimit pas raportit të ambasadorit Eide, ka thënë se është koha e duhur për të përcaktuar statusin e Kosovës.
Ambasadori Walker tha se e kishte lexuar me kujdes edhe raportin e ambasadorit Kai Eide për Kosovën dhe kishte dëgjuar me kujdes edhe opsionet lidhur me statusin e Kosovës:
"Pavarësia e kushtëzuar për Kosovën mendoj se është një mënyrë e keqe për t’iu qasur statusit, pasi ne po flasim për një status përfundimtar dhe jo për një pavarësi të kushtëzuar, që sipas meje nuk është status përfundimtar," tha ambasadori Walker. Anëtarët e bordit të kësaj organizate njëzëshëm u shprehën kundër pavarësisë së kushtëzuar dhe për një pavarësi dhe sovranitet të plotë të Kosovës. Gjenerali Robert Gard tha:
"Me sa di unë, Grupi i Kontaktit, anëtarë të të cilit janë këto vende, kanë dalë me qëndrimin se nuk do të ketë as ndarje të Kosovës dhe as bashkim me ndonjë vend tjetër, atëherë çfarë mbetet tjetër këtu, pos pavarësisë," tha gjenerali Gard.
Ndërkaq, synimet e këtij grupi amerikan i ka shpjeguar ish-politikani Sem Haskinson, sipas të cilit kjo është një organizatë jofitimprurëse dhe joqeveritare, e cila ka për qëllim ta rikthejë vëmendjen ndërkombëtare kah Kosova dhe të sigurojë një zgjidhje të shpejtë dhe të drejtë të statusit të Kosovës. Ai tha se egziston edhe vizioni ekonomik pas pavarësisë së Kosovës, që do të ishte i dobishëm edhe për rajonin:
"Duhet shikuar ideja e një zone të përbashkët ekonomike për gjithë rajonin, për Kosovën dhe fqinjët e saj, në mënyrë që të ketë një treg të përbashkët," tha Sem Haskinson.
Përfaqësuesit grupit Aleanca për Kosovën e re thanë se kanë kontakte edhe me qeverinë e Kosovës, por edhe me qeverinë e presidentit amerikan Bush dhe me kryeqytetet e tjera perëndimore.

XS
SM
MD
LG