Ndërlidhjet

logo-print

SINDIKATA E ARSIMIT THOTË SE GREVA NË ARSIM PO VAZHDON


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, thotë se edhe në javën e dytë, mësimdhënësit kosovarë kanë vazhduar grevën e tyre, në kërkim të nivelizimit të pagave në sektorin publik.
Xhaferr Xhaferri, kryetar i Këshillit qëndror grevist, tha se në më shumë se 90 përqind të shkollave në mbarë Kosovën, përfshirë këtu edhe Universitetin e Prishtinës, greva është duke u respektuar.
"Bazuar në raportet që kemi në disponim, Universiteti i tëri është në grevë dhe pjesa dërmuese e shkollave fillore dhe të mesme të Kosovës."
Në Ministrinë e Arsimit ndërkaq pohojnë, se nëpër të gjitha komunat e Kosovës, ka shenja pozitive se procesi mësimor ka rifilluar.
Dëfrim Gashi, këshilltar në këtë ministri, thotë se janë duke u bërë përpjekje që procesi mësimor në këtë ministri të rifillojë që nesër në të gjitha nivelet e arsimit.
"Sot ka lëvizje pozitive dhe është gjëndje më e mirë në krahasim me javën që lamë pas. Në të gjitha rajonet e Kosovës, jepen sinjalet pozitive se ka filluar në disa shkolla të punohet normalisht, në disa pjesërisht, por kemi edhe komuna në të cilat nuk kanë filluar të punojnë. Por shpresojmë që nga dita e nesërme kjo gjendje do të normalizohet."
Në emër të Ministrisë së Arsimit, zoti Gashi sërisht ka ftuar mësimdhënësit që t'i japin fund grevës.
"Ne edhe sot apelojmë që të gjithë arsimtarët t'u kthehen detyrave të tyre, që procesi mësimor të normalizohet, ashtu si është normalizuar edhe në sektorin e shëndetësisë. Por ne jemi të mendimit se është mëse e nevojshme që procesi mësimor të normalizohet, pasi jemi në një moment shumë të rëndësishëm për Kosovën."
Por në anën tjetër, zoti Xhaferri nga sindikata e arsimit, thotë se Ministria e Arsimit nuk ka të drejtë të bëjë thirrje për ndërprerje të grevës, përderisa të mos i përmbushë kërkesat e grevistëve. Sipas tij, nëse qeveria e Kosovës dhe Ministria e Arsimit vazhdojnë me thirrje të tilla, këto institucione do të përballen me kërkesa të reja.
"Po ashtu kërkohet nga grevistët që të qëndrojnë dinjitozë në grevë, ndërsa nga qeveria dhe Ministria e Arsimit kërkon që të mos ushtrojnë trysni për rifillim të mësimit, sepse në këtë rast do të përballen edhe me shumë kërkesa dhe forma të tjera sindikale për përmbushjen e këtyre kërkesave".
Sistemi i arsimit në Kosovë ka hyrë në grevë më 3 tetor, në të cilin kishte hyrë edhe sistemi i shëndetësisë. Oferta e qeverisë prej 2 milion eurosh, e pranuar edhe nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura, ka mjaftuar për sistemin e shëndetësisë, por jo edhe për sistemin e arsimit.



XS
SM
MD
LG