Ndërlidhjet

QËNDRA PËR ARSIM: GREVA E PUNËTORËVE ARSIMORË, ME PASOJA TË PARIPARUESHME


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, thotë se edhe gjatë ditës së sotme, në 95 përqind të shkollave në Kosovë, greva e përgjithshme është duke u respektuar. Nënkryetarja e kësaj sindikate, Nediha Grapçi, rikujtoi se greva do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave për nivelizimin e pagave në sektorin publik. Por, në Ministrinë për Arsim thonë se një pjesë e madhe e shkollave tashmë ka rifilluar procesin mësimor. Kjo situatë e krijuar, për Qendrën e Arsimit të Kosovës, greva është hap i gabuar dhe pasojat janë të pariparueshme. Halim Hyseni nga kjo qendër, e cila funksionon në mënyrë të pavarur nga institucionet qeverisëse dhe sindikatat, është i mendimit se greva duhet ndërprerë menjëherë.
“Dua të them se pasojat janë të pariparueshme dhe mendoj se vërtet kjo nuk duhej të ndodhte, mendoj se dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë.”
Zoti Halimi pajtohet se gjendja e mësimdhënësve kosovarë është shumë e vështirë, por për këtë, ai thotë se përgjegjësinë e mban në radhë të parë qeveria e Kosovës.
“Kjo gjendje vërtet duhet të korrigjohet, përgjegjësia është e qeverisë sonë, e cila nuk e ka arsimin për prioritet dhe derisa arsimi nuk është prioritet për shoqërinë kosovare, shoqëria kosovare për çdo ditë do të përballet më probleme të mëdha."
Zoti Halimi gjithashtu shpjegon edhe përgjegjësinë që duhet të mbajë Sindikata e Arsimit, e cila, sipas tij, grevën e ka organizuar pa u menduar mirë.
“Arsimtarët, të cilët me vite të tëra kanë organizuar shumë greva dhe asnjëherë nuk i kanë arritur qëllimet e tyre, vazhdojnë akoma me avazin e vjetër” tha zoti Halimi.
Por, Dëfrim Gashi, këshilltar në Ministrinë e Arsimit, thotë se fajtor për gjendjen e krijuar në arsim është mungesa e mjeteve materiale në buxhetin e Kosovës.
“Ne nuk duhet të shkojmë nga ajo që duhet të gjejmë fajtorin dhe nuk dua të akuzojë askënd, por duhet të kuptojmë situatën reale që është Kosova, dhe ta kemi parasysh buxhetin e Kosovës. Duhet të kemi besim tek qeveria dhe ministria, dhe t'i kthehemi normalitetit”.
Nediha Grapçi, nënkryetare e Sindikatës së Arsimit, ndërkaq thotë se përgjegjësia megjithatë i takon qeverisë.
“Besoj se përgjegjësinë e mban ai që e ka bërë nënshkrimin e dokumentit për nivelizim dhe nuk e ka zbatuar, pra është qeveria e Kosovës. Pasi është dashur të dihet se çfarë po nënshkruan dhe kush është përgjegjës për atë nënshkrim” tha zonja Grapçi.
Sistemi i arsimit në Kosovë ka hyrë në grevë më 3 tetor, në të cilën kishte hyrë edhe sistemi i shëndetësisë. Oferta e qeverisë prej 2 milionë eurosh, e pranuar edhe nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura, ka mjaftuar për sistemin e shëndetësisë, por jo edhe për sistemin e arsimit.

XS
SM
MD
LG