Ndërlidhjet

logo-print

KRYESIA PA VENDIM PËR SEANCËN URGJENTE LIDHUR ME PROJEKT REZOLUTËN PËR PAVARËSINË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kryesia e Kuvendit të Kosovës nuk e ka miratuar kërkesën e grupeve parlamentare për thirrjen e një seance urgjente, në të cilën do të miratohej rezoluta që do ta rikonfirmonte vullnetin e popullit të Kosovës për shtet të pavarur e sovran. Kryesia, pas një takimi që mbajti sot, ka arritur në përfundimin se teksti i rezolutës, pavarësisht se është i nënshkruar nga të gjitha grupet parlamentare, ende nuk është harmonizuar që të procedohet për miratim. Mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, i ka paraprirë një takim ndërmjet shefit të UNMIK-ut, Soren Jessen-Petersen dhe kryetarit të Kuvendit, Nexhat Daci. Petersen tha pas këtij takimi, se nuk ka dhënë ndonjë rekomandim, por vetëm ka dëgjuar pikëpamjet e Dacit për këtë rezolutë:
“Unë nuk jemi në atë pozitë që ta këshillojmë kryetarin e Kuvendit, pasi ai e di punën e tij, kurse Kryesia do ta shqyrtojë këtë kërkesë dhe unë vetëm desha që të dëgjoj”, tha Jessen-Petersen. Ai nuk ka dashur të komentojë asgjë për efektet që do të mund të shkaktonte kjo rezolutë. Por procesi negociator për statusin e Kosovës, tha Jessen-Petersen, po zhvillohet përmes grupit negociator dhe këtu do ta ketë rolin e vet edhe Kuvendi.
Në anën tjetër, opozita, prej nga fillimisht ka rrjedhur nisma për miratimin e kësaj rezolute, është shprehur e pakënaqur me vendimin e Kryesisë dhe ka vlerësuar se shtyrja pa afat e seancës plenare, vjen si rezultat i mungesës së gadishmërisë së partive në pushtet që ta miratojnë rezolutën. Deputeti i PDK-së në Kryesinë e Kuvendit, Ramë Buja, tha se arsyet e dhëna në Kryesi që teksti nuk është i harmonizuar nuk qëndrojnë, por arsyeja e vërtetë sipas tij, është te hezitimi që ka pozita për ta miratuar këtë rezolutë:
“Ne përsëri si Kryesi shtyjmë këto çështje për se di kur, dhe unë shpreha mendimin dhe kundërshtimin tim edhe brenda, se kjo nuk ka logjikë që për shkak të procedurave krejt formale, të bëhet një gjë e tillë. Megjithatë kjo ndodhi dhe e shtymë, nuk e di për kur, rikonfirmimin e këtij vullneti që deklarohet përmes kësaj rezolute. Unë, po ashtu e shpreh mendimin se me këtë rezolutë, edhe nëse nuk ka asnjë efekt tjetër, para ndërkombëtarëve do të kishim dalë se jemi të bashkuar”, tha Buja.
Ndërkohë në emër të partive në pushtet, foli Naim Maloku anëtar i Kryesisë së Kuvendit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, i cili tha se arsyet e shtyrjes për miratim të kësaj rezolute janë teknike, ngase komisionet parlamentare, sipas tij, nuk kanë arritur ende ta harmonizojnë një tekst të vetëm. Në tekstin e rezolutës ka disa pika kundërshtuese njëra me tjetrën, kështu që duhet të bëhet një harmonizim më i mirë, ka thënë Maloku:
“Dy komisionet kanë dhënë pak a shumë versione të ndryshme brenda vetë rezolutës dhe kjo thjesht duhet të harmonizohet dhe ne ta kemi një dokument të vetëm. Normalisht duhet që ato rekomandime të përfshihen në një tekst, ne mund të bisedojmë vetëm për një tekst, kur të na vijë në Kryesinë e Kuvendit një tekst i rezolutës”, theksoi Maloku.
Kryesia e Kuvendit nuk ka caktuar ndonjë datë kur do të shtrohet sërish kërkesa e grupeve parlamentare për nxjerrjen për miratim të kësaj rezolute.

XS
SM
MD
LG