Ndërlidhjet

EKSPERTËT THONË SE DECENTRALIZIMI S'MUND TA KUSHTËZOJË STATUSIN E KOSOVËS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Procesi i decentralizimit në Kosovë nuk mund të zhvillohet pa zgjidhjen e statusit të saj, është thënë sot në një tryezë të rrumbullakët të organizuar nga Shoqata e Juristëve të Kosovës dhe mbështetur nga Fondacioni Friedrich Naumann. Në tryezë kryesisht ka mbizotëruar mendimi se statusi i Kosovës duhet të jetë pavarësi e plotë dhe pa kushte, kurse decentralizimi duhet zhvilluar jo mbi parimet etnike, por mbi parimet e njohura evropiane. Sa i përket vetë fazës së përcaktimit të statusit të Kosovës, zëvendës-kryeministri Adem Salihaj, tha se jo rrallë shtrohet pyetja se përse Kosova duhet të hyjë në negociata dhe të krijojë grup negociator, kur qëndrimi i popullit të saj dhe i institucioneve është për shtet të pavarur e sovran:
“Kjo është një pyetje, të cilës duhet t’i përgjigjemi dhe po i përgjigjemi çdo ditë, se arritja deri te një cak kaq i madh i pavarësisë së Kosovës, nuk mund të zhvillohet pa një proces të caktuar dhe ky proces do të jetë proces i bisedave, i konsultimeve dhe që do të rezultojë në fund me një vendim apo marrëveshje që çon deri te pavarësia e Kosovës”, tha Salihaj.
Në ndërkohë, profesori në Universitetin e Prishtinës, Esat Stavileci, tha se raporti i ambasadorit Kai Eide nuk përcakton fillimin e zgjidhjes së statusit përfundimtar, por përcaktimin e statusit të ardhshëm të Kosovës. Ai tha se ndjehet i shqetësuar që pas një marrëveshjeje të mundshme, Kosova do t’i nënshtrohet një protektorati të ri evropian, çka sipas tij mund të ndikojë në zvogëlimin e rolit amerikan në Kosovë. Stavileci e ka kundërshtuar opsionin e pavarësisë së kushtëzuar, duke e vlerësuar atë në kundërshtim me parimet bazë të cilat njohin të drejtën e popujve për vetëvendosje:
“Pavarësia me kusht mund të jetë krijimi i një ndjenje i të qenit shtet pa mundësinë e funksionimit si shtet, krijimin një ndjenje të qenit autonom pa mundësinë e veprimit si i tillë prandaj unë e quaj pavarësinë me kusht një pavarësi me varësi konkrete, pavarësinë pa sovranitet si trupin pa palcën kurrizore të tij”, vlerësoi Stavileci.
Në anën tjetër, Zlatko Dimitroff nga misioni i OSBE-së në Kosovë, tha se qeveria e Kosovës nuk ka arritur që të bëjë përparimet e pritura në procesin e decentralizimit, i cili sipas tij është një shkallë kah fillimi i fazës së përcaktimit të statusit:
“Kosova ka lëvizur ngadalë në drejtim të zbatimit të reformave në pushtetin lokal apo decentralizimit”, tha Dimitroff, duke sqaruar më pas se misioni i OSBE-së vazhdimisht i ka ofruar qeverisë mbështetjen e plotë që pilot-projektet të zhvillohen më shpejt.
Ndërlidhja e decentralizimit me statusin e Kosovës është kundërshtuar nga Esat Stavileci, i cili tha se fillimi i decentralizimit para zgjidhjes së statusit është, siç u shpreh ai, sikurse ta vësh karrocën para kuajve. Stavilevci tha se vetë raporti i ambasadorit Eide sikur lë hapësirë që përmes decentralizimit, përbrenda territorit të Kosovës të krijohen autonomi territoriale për serbët:
“Decentralizimi do të duhej të ishte një model shoqërisht i pranueshëm, politikisht i përshtatshëm, profesionalisht racional, organizativisht funksional dhe para së gjithash etnikisht i hapur, e jo të krijojë mundësinë e përthekimit etnik të territoreve, sepse edhe kërkesën për autonominë serbe në veri, e quaj si përpjekje për të mbjellë farën e grurit në tokën e tjetrit”, tha Stavileci.
Në përgjithësi, tryeza ka nxjerrë si përfundim që decentralizimi nuk mund të kushtëzojë statusin e Kosovës, sikurse që nuk mund të pritet një decentralizim suksesshëm i pushtetit pa zgjidhjen paraprake dhe të drejtë të statusit të Kosovës.



XS
SM
MD
LG