Ndërlidhjet

NJË PJESË E SHKOLLAVE E RIFILLUAN MËSIMIN


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Ndërkohë që pasqyra e mbajtjes së grevës së punëtorëve të arsimit sot ka ndryshuar, pasi një numër shkollash kanë rifilluar mësimin duke ndërprerë grevën, sindikalistët kanë akuzuar sot qeverinë se ka filluar presionet ndaj arsimtarëve sindikalistë, duke i kërcënuar ata për t’i pezulluar nga puna, nëse vazhdojnë grevën. Ali Shabanaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, tha se greva po vazhdon në shumicën dërrmuese të shkollave dhe në të gjithë universitetin:
"Gjendja e sotme është e pandryshuar dhe greva vazhdon në masën më të madhe të shkollave të niveleve të ndryshme arsimore në Kosovë. Universiteti është komplet në grevë dhe nuk po e diskutojmë çështjen e tyre, pasi ata janë shumë kategorikë deri në plotësimin e kërkesave".
Mirëpo, të dhënat e Ministrisë së Arsimit tregojnë një situatë tjetër, tha zëvendësministri Fevzi Berisha:
"Nga raportet që i kemi sot në ministri, gjendja po vjen gradualisht duke u normalizuar, por gjendja ende nuk është siç presim ne, por sidomos në Prishtinë kemi sot raporte, se në shumë shkolla ka vazhduar viti shkollor dhe gjendja është normalizuar".
Në të vërtetë, shumë shkolla fillore të Prishtinës kanë rifilluar mësimin sot, pas mëse një javë ndërprerjeje, ndërkohë që gjendja e mbajtjes së mësimit në shkollat e mesme, ende mbetet më e paqartë. Në disa shkolla vendimin për rifillimin e mësimit e kanë marrë vetë arsimtarët, mirëpo sindikata akuzon qeverinë se ka filluar presionet:
"Kanë filluar presionet me largim nga puna. Në dorë e kam një dokument nga Kuvendi Komunal në Gjilan, ku kryeshefi i ekzekutivit u jep ultimatum tre anëtareve të këshillit grevist, Ragip Abazi, Abdullah Pireva dhe Zejnullah Zejnullahu që ta ndërpresin grevën deri në orën 12.00, përndryshe do të marrin vendimet për suspendim nga puna", tha kryesindikalisti i fushës së arsimit dhe kulturës Ali Shabanaj, ndërkohë që zëvendësministri Berisha, thotë se janë disa aktivistë ekstremë të sindikatës që po bëjnë presione:
"Sindikata me disa arsimtarë më ekstremë i kthen nga shkolla fëmijët që duan të hyjnë në objektin e shkollës".
Prandaj, thotë zëvendësministri Fevzi Berisha, ministria nuk mund të kërcënojë arsimtarët, por kërkon nga ana të jenë në nivelin e përgjegjësisë së kryerjes së detyrave të mësimdhënësit, pasi kanë nënshkruar kontratën dhe janë zotuar t’i kryejnë ato detyra e jo t’i përzënë nxënësit nga shkollat:
"Nëse i kryejnë detyrat nuk kemi arsye të ndërmarrim masa, por nëse nuk i kryejnë detyrat, atëherë marrim masa më drastike."
Këtyre masave që është zotuar t’i ndërmarrë qeveria, sindikalistët u janë përgjigjur duke kërkuar ndihmën e mekanizmave të ndryshme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të punëtorëve, tha zoti Ali Shabanaj:
"Do ta ftojmë qeverinë që të mos bëjë presione të tilla, pasi e drejta e grevës është e drejtë sindikale dhe e drejtë njerëzore," tha zoti Shabanaj, duke shtuar se këto dokumente kërcënuese do t’ia dorëzojnë sot avokatit të popullit Novicki, KMDLNJ-së, zyrave diplomatike në Prishtinë dhe organizatave simotra sindikale në Evropë.
Dhe, ndërkohë që greva ka hyrë tani në një fazë tjetër duke mbetur e paplotë, mbetet të shihet se si do të zhvillohet situata më tej, pasi qeveria ka thënë se oferta e saj e fundit është ajo me të cilën është pajtuar Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, që i ka bërë thirrje sindikatës së arsimit që të respektojë strukturën subordinuese sindikaliste dhe të ndërpritet greva.



XS
SM
MD
LG