Ndërlidhjet

500 MIJË EURO PËR ZHVENDOSJEN E BANORËVE NGA KAMPET NË VERI TË MITROVICËS


Albana Isufi, Prishtinë

Dhjetori është caktuar nga zyrtarët e qeverisë dhe të UNMIK-ut, si datë e fundit për zhvendosjen e banorëve romë, ashkali dhe egjiptas nga kampet e Plemetinit dhe ato në veri të Mitrovicës.
Por, sipas një plani të UNMIK-ut, banorët e kampit të Zhitkocit në veri të Mitrovicës, sërish do strehohen në një kamp, i cili do të ndërtohet në një ish-bazë ushtarake franceze.
Shefi i Zyrës Gjermane në Prishtinë Eugen Wollfarth, njoftoi sot se vendi i tij do të ofrojë 500 mijë euro për të zbatuar planin e UNMIK-ut.
“Ky projekt është përgjigje ndaj kërkesave urgjente të pjesëtareve romë, ashkali dhe egjiptas në Kosovë, ku shëndeti i tyre dhe kushtet e jetesës në kampet e refugjatëve janë bërë të padurueshme”, tha Wollfarth.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka alarmuar më parë për sasinë e madhe të plumbit në kampin e Zhitkocit, që ka pasuar me sëmundjen dhe vdekjen e shumë banorëve të kampit.
Shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen, ka thënë se duhen 1. 3 milionë euro për të zbatuar planin për evakuim të banorëve nga tre kampet në veri të Mitrovicës, që sipas tij paraqesin krizat më të rënda të jetesës në Ballkanin perëndimor.
“Zotimi i Gjermanisë besoj se do të jetë shembull për donatorët e tjerë. Ne tani kemi vullnetin, kemi planin, por nuk kemi fonde. Unë shpresoj se edhe qeveritë e tjera do të ndihmojnë, sepse gjendja e banorëve në ato tre kampe është dramatike”, tha Jessen Petersen.
Në anën tjetër, Ministri i Ambjentit dhe Planifikimit Hapësinor Ardian Gjini, i tha Radio Evropa e Lirë se Kampi i Plemetinit, i banuar me komunitet rom, në afërsi të Obiliqit, ka gjasa që të mbyllet deri në fund të vitit.
“Fundi i vitit është një afat kohor. Varet edhe prej përfundimit të punës së dy objekteve, të cilat jemi duke i ndërtuar, edhe prej vullnetit të banorëve nëse dëshirojnë të jetojnë aty apo jo. Nëse nuk dëshirojnë, atëhere duhet të shohim se ku egzaktësisht duan dhe do të shohim se cilat janë mundësitë. Mundësitë e qeverisë janë këto, që të ndërtohen këto tre objektet e banimit. Një në komunën e Lipjanit dhe dy aty ku është sot kampi i Plementinit".
Qeveria e Kosovës, por edhe UNMIK-u kanë premtuar disa herë se kampet në fjalë do të mbyllen, por premtimi nuk është zbatuar. Sërish ministri Gjini:
“Mirëpo kanë dalë probleme të tjera. Unë po i quaj probleme, por në fakt janë çështje me të cilat është dashur të merremi më herët si Kosovë është fjala, dhe nuk jemi marrë. Kur them si Kosovë mendoj edhe në bashkësinë ndërkombëtare, edhe në qeverinë e Kosovës".
Ndërkohë, zëdhënësja e Komisariatit të Lartë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Myrna Flood, është optimiste se problemi i kampeve do zgjidhet së shpejti.
“Këto kampe ende mbesin të hapura, por unë mund t’ju them se shumë organizata po punojnë që të gjejnë zgjidhje për individët e këtyre kampeve”, tha Flood.
Ambasadori norvegjez Kai Eide në raportin e tij për Kosovën egzistimin e kampeve të refugjatëve brenda Kosovës, e ka quajtur turp për strukturat qeverisëse dhe komunitetin ndërkombëtar.


XS
SM
MD
LG