Ndërlidhjet

VAZHDOJNË PROTESTAT E PUNËTORËVE TË MINISTRISË SË SHËRBIMEVE PUBLIKE


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Dhjetra punëtorë të Ministrisë së Shërbimeve Publike kanë vazhduar protestën e tyre përpara ndërtesës së kësaj ministrie, në kërkim të, siç thuhet, respektimit të ligjit në këtë institucion.
Eshref Vishi, nga këshilli inicues i protestës, tha se protestuesit kërkojnë rikthimin e punëtorëve të larguar nga puna, të cilët sipas tij, janë shkarkuar pa asnjë arsyetim dhe në kundërshtim me procedurat ligjore. Zoti Vishi madje tha se ministria është duke bërë trysni të vazhdueshme mbi nënpunësit e shërbimit civil:
"Trysnia ushtrohet nga pjesa, e cila nuk e ka të drejtën të japë detyra dhe të kërkojë përgjegjësi dhe kjo pjesë është kabineti i ministres dhe këshilltarët e saj. Duke filluar nga stafi teknik, ata nuk kanë të drejtë të urdhërojnë nënpunësit e shërbimit civil, dhe urdhëresat e tyre kanë të bëjnë kryesisht me shkeljen e dispozitave ligjore".
Edhe pse prej janarit e deri në shtator të këtij viti, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Shërbimeve Publike, dhjetë punëtorë janë larguar nga puna, dy të tjerë janë larguar nga komisioni disiplinor, ndërsa 18 të tjerë për arsye të ndryshme kanë dhënë dorëheqje, protestuesit nuk i njohin këto vendime. Kështu tha Artan Imani, punonjës në këtë ministri dhe protestues.
"Për ne asnjë punëtor nuk është larguar nga puna. Është vendim politik i menaxhmentit të Ministrisë së Shërbimeve Publike, sepse ne konsiderojmë që të gjithë punëtorët, në përputhje me rregulloren 2001/36 janë punëtorë të shërbimit civil, dhe nuk mund të ndërprehet kontrata pa kontroll ose për teka individuale të njerëzve."
Prej nesër është paralajmëruar ndryshimi i formës së protestës, së cilës priten t'i bashkohen edhe familjarët e protestuesve. Ndryshe, Abdulla Bytyqi, zëdhënës në këtë ministri, tha se është e drejtë e punëtorëve të protestojnë për diçka që ata konsiderojnë se kanë të drejtë, por kjo çështje sipas tij, duhet të zgjidhet përmes mekanizmave ligjorë.
"Natyrisht Ministrja e Shërbimeve Publike, zonja Melihate Tërmkolli, është e gatshme në çdo kohë të bisedojë me protestuesit, për të gjetur një mënyrë në përputhje me ligjin."
Në përpjekje për të realizuar të drejtat e tyre dhe për të ngritur pakënaqësitë e tyre, punëtorët e shërbimit civil në institucionet vendore, sot kanë themeluar sindikatën e tyre. Ismet Hajrullahu, kryetar i këshillit nismëtar të kësaj sindikate, tha se kjo organizatë, sot e tutje do të kujdeset për të drejtat e shërbimit civil.
"Në kushtet dhe rrethanat e një shoqërie demokratike dhe të pluralizmit politik në Kosovë, Sindikata e Shërbimit Publik të Kosovës do të angazhohet për krijimin e një shërbimi civil të parametrave evropiane, pa privilegje dhe pa diskriminime, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre kombëtare, gjinore, dhe fetare apo edhe bindjeve politike".

XS
SM
MD
LG