Ndërlidhjet

NICHOLAS BURNS: QEVERIA AMERIKANE DO TË JETË SHUMË AKTIVE NË NEGOCIATAT PËR KOSOVËN


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës angazhohen për një fillim të shpejtë të bisedave për statusin politik të Kosovës gjithsesi gjatë këtij viti, pasi gjashtë vjet e gjysëm pas përfundimit të luftës dhe pas përparimit që është bërë, qytetarët e Kosovës kanë të drejtë ta dinë se cila do të jetë e ardhmja e tyre, ka thënë sot në Prishtinë, Nënsekretari amerikan i Shtetit për çështje politike, Nicholas Burns, pas takimeve që ka pasur me krerë të institucioneve, me grupin negociator të Kosovës, si dhe me zyrtarë të tjerë ndërkombëtarë e vendorë. Nënsekretari Burns tha se SHBA-të shumë fuqishmisht e mbështesin vendimin e Sekretarit të Përgjithshëm Kofi Anan, që bisedimet për statusin përfundimtar të fillojnë në muajin nëntor apo dhjetor:
"Ne nuk besojmë se status-quoja është e qëndrueshme në Kosovë. Besojmë se populli i Kosovës ka të drejtë ta dijë se çfarë do të jetë e ardhmja e tij," tha zoti Burns, për të vlerësuar se gjashtë vjet e gjysmë nga përfundimi i luftës është bërë përparim, prandaj Shtetet e Bashkuara do të jenë aktive në këto negociata për statusin:
"Qeveria ime synon të jetë shumë aktive në këto negociata, prandaj do ta emërojmë një të dërguar të posaçëm amerikan që do të veprojë në mbështetje të Kombeve të Bashkuara," tha zoti Burns. Ai tha se nuk i takon qeverisë së tij që të pozicionohet pro akëcilit opsion për statusin përfundimtar të Kosovës, por tha se tani është koha për unitet, ndërsa më pas do të vijë koha për kompromis:
"Siç ka thënë sekretari Anan, pavarësia është opsion, por edhe autonomia është opsion, prandaj i takon popullit të Kosovës dhe qeverisë në Beograd të vendosin së bashku," tha nënsekretari Burns, i cili gjatë ditës ka takuar shefin e UNMIK-ut Petersen, kryetarin e Kosovës Ibrahim Rugova, kryeministrin Kosumi, grupin negociator të Kosovës, përfaqësues të serbëve të Kosovës dhe krerët e Trupave të Mbrojtjes së Kosovës. Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, tha se Kosova është e përgatitur edhe për biseda për statusin:
"Ndërsa unë insistoj për një njohje direkte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pra të pavarësisë dhe nga BE-ja dhe gjithsesi kërkova përkrahjen e SHBA-ve që të na përcjellin në të gjitha këto procese edhe më shumë se deri më tash".
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, tha se me zotin Burns kanë diskutuar detaje të rëndësishme para fillimit të bisedave:
"Zgjatja e procesit është një prej rreziqeve që e përcjell procesin, për të cilin ne do të punojmë të mos ndodhë. Por kushdo që të jetë përfaqësuesi i Ananit, duhet ta ketë paraprakisht një strategji të qartë se si do të sillet në rast se bisedat do të zgjasnin deri në pafundësi, ose ajo që quhet vdekje klinike e bisedave, që është po ashtu një rrezik shumë i madh".
Në anën tjetër, kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, që është anëtar i grupit negociator të Kosovës, tha se ishte i trimëruar nga takimi me nënsekretarin Burns:
"Më vjen mirë që SHBA-të janë në favor që qytetarët e Kosovës të vendosin për fatin e tyre. Ne u zotuam edhe një herë për të punuar në drejtim të realizimit të objektivave tona të përbashkëta, që të jemi unikë në procesin e ardhshëm për statusin politik, si formacion politik i Kosovës".
Nënsekretari amerikan i Shtetit, Nicholas Burns sonte shkon në Beograd, ku do të takohet me udhëheqjen e atjeshme, nga të cilët, siç tha, do të kërkojë që të përgatiten për fillimin e bisedave dhe për kompromise.
XS
SM
MD
LG