Ndërlidhjet

NICHOLAS BURNS: SHPRESOJMË SE BISEDIMET DO TË FILLOJNË BRENDA 30 DITËSH


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Brenda tridhjetë ditës mund të fillojnë bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës, ka thënë sot pasdite në Prishtinë nënsekretari amerikan i shtetit për çështje politike Nicholas Burns. Ai i ka bërë këto komente në një takim me gazetarët në zyrën Amerikane në Prishtinë në fund të një vizite Kosovës, me ç’ rast ka takuar udhëheqës ndërkombëtarë e vendorë, si dhe përfaqësues të serbëve të Kosovës. Nënsekretari Burns tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm fillimin e shpejtë të bisedimeve, pasi populli i Kosovës, gjashtë vjet pas luftës, ka të drejtë të dijë se cila është e ardhmja e tij:
- Ne shpresojmë dhe presim që për një kohë të shkurtër, brenda 30 ditësh, të shohim fillimin e bisedimeve dhe vendet e popujt të bisedojnë për të ardhmen e tyre, tha nënsekretari Burns, duke e cilësuar këtë një rast historik për qytetarët e Kosovës, që të përcaktojnë të ardhmen e tyre, siç u shpreh ai. Zoti Burns, tha se Shtetet e Bashkuara do të luajnë rol shumë aktiv në këto bisedime, duke emëruar edhe të dërguarin e tyre të posaçëm, por, tërhoqi vërejtjen se nuk është çështje e Shteteve të Bashkuara apo e dikujt tjetër që të thotë se cila është e ardhmja e Kosovës:
- Siç ka thënë edhe sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, pavarësia është mbi tavolinë si mundësi, por, poashtu, ka edhe mundësi të tjera, tha zoti Burns, sipas të cilit do të varet nga udhëheqja shqiptare, ajo serbe, si dhe nga qeveria e Beogradit për të kërkuar një të ardhme pa dhunë e kërcënime ku do të respektohen të drejtat e të gjithëve. Nënsekretari amerikan i shtetit, Nicholas Burns shfaqi shpresën se ekipi negociator i Kosovës të jetë i bashkuar dhe se serbët e Kosovës duhet të kenë zërin e tyre në negociata, ndërkohë që i bëri thirrje qeverisë së Beogradit që të luajë një rol konstruktiv në procesin e zgjidhjes së çështjes së Kosovës.
- Ne nuk besojmë se ndonjëra nga palët negociuese mund të ketë veto dhe nuk besojmë se ky tren i negociatave mund të ndalet, ai duhet të shkojë përpara, tha zoti Burns.
Ai mëtutje tha se nuk do të lejohet përsëritja e ngjarjeve të dhunshme si ato të marsit të vitit të kaluar, dhe shfaqi shpresën se procesi e bisedimeve do të kalojë në paqe. Nënsekretari Nicholas Burns gjatë ditës ka takuar shefin e UNMIK-ut Petersen, kryetarin e Kosovës, Ibrahim Rugova, kryeministrin Kosumi, grupin negociator, si dhe përfaqësues të serbëve dhe krerët e Trupave të Mbrojtjes së Kosovës. Presidenti Ibrahim Rugova tha se Kosova është e përgatitur edhe për biseda për statusin:
- Ndërsa unë insistoj për një njohje direkte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pra të pavarësisë dhe nga BE dhe gjithsesi kërkova përkrahjen e SHBA që të na përcjellë në të gjitha këto procese edhe më shumë se deri më tash.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi tha se me zotin Burns kanë diskutuar detaje të rëndësishme para fillimit të bisedave:
- Zgjatja e procesit është një prej rreziqeve që e përcjell procesin, për të cilin ne do të punojmë të mos ndodhë, por kushdo që të jetë përfaqësuesi i Annanit duhet ta ketë një strategji të qartë paraprakisht, se si do të sillet në një rast që bisedat do të zgjasnin deri në pafundësi ose ajo që quhet vdekje klinike e bisedave, që është po ashtu një rrezik shumë i madh.
Mirëpo, Rangjel Nojkiq nga Lista Serbe për Kosovën e Metohinë tha se zoti Burns u kishte thënë atyre se bisedimet nuk mund të dështojnë dhe nëse ndonjëra palë tërhiqet nga bisedimet ato do të vazhdojnë pa të. Nojkiq tha se përfaqësuesit e serbëve të Kosovës kishin kërkuar pjesëmarrje aktive në bisedime, pavarësisht nga qëndrimet aktualisht të paqarta nëse duhet të jenë pjesë e delegacionit të Beogradit apo të jenë delegacion më vete.
- Ne duam pjesëmarrje aktive, qoftë në kuadër të delegacionit të Beogradit apo në ndonjë formë tjetër dhe serbët e Kosovës do të mbrojnë interesat e serbëve, tha Nojkiq.
Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi që është anëtar i grupit negociator të Kosovës, tha se ishte i trimëruar nga takimi me nënsekretarin Burns:
- Më vjen mirë që SHBA-të janë në favor që qytetarët e Kosovës të vendosin për fatin e vet. Ne u zotuam edhe një herë për të punuar në drejtim të realizimit të objektivave tona të përbashkëta, që të jemi unikë në procesin e ardhshëm për statusin politik, si formacion politik i Kosovës.
Nënsekretari amerikan i shtetit Nicholas Burns sonte ka takuar edhe një grup të rinjsh përkatësish të ndryshme etnike dhe më pas ka shkuar për në Beograd.

XS
SM
MD
LG