Ndërlidhjet

RUGOVA: HARADINAJ TANI MUND T'U NDIHMOJË PROCESEVE PËR KRIJIMIN E SHTETIT TË PAVARUR


Zijadin Gashi, Prishtinë

Vendimi i Tribunalit të Hagës, për lejimin e angazhimit në aktivitetet politike për Ramush Haradinajt, do të reflektojë pozitivisht edhe në vet procesin aktual politik në Kosovë, ka thënë sot presidenti Ibrahim Rugova. Ramush Haradinaj është pritur sot nga presidenti i Kosovës, ku e ka njoftuar atë me vendimin më të ri të Gjykatës së Hagës:
“Zoti Haradinaj më njoftoi se Gjykata e Hagës ka marrë një vendim pozitiv, se ka të drejtë të angazhohet në aktivitetet politike në Kosovë, që do të ndihmojë proceset pozitive dhe proceset për zhvillimin e Kosovës, për të mirën e popullit dhe gjithë qytetarëve, si dhe për pavarësinë e Kosovës që do të punojmë së bashku me zotin Haradinaj”, tha presidenti Rugova.
Ndërkohë, Ramush Haradinaj tha se në rend të parë ndihej i gëzuar që presidenti Rugova është më mirë me shëndet dhe i ofroi Rugovës mbështetjen e tij për punën që po bën në kuadër të grupin negociator dhe procesin aktual të përgatitjeve të Kosovës për fazën e bisedimeve për statusin e saj:
“Unë e përgëzova për punën që ka bërë për unitet në Kosovë, për grupin negociator, për koordinatorin, për angazhimin që po bën presidenti për të çuar përpara proceset në Kosovë, procese pozitive për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe i dhashë premtimin që do të vazhdoj ta mbështes këtë punë të mirë që ka filluar dhe që po bëhet në Kosovë”, theksoi Haradinaj.
Përgatitjet e Prishtinës për bisedimet ishin temë qendrore e një takimi tjetër të zhvilluar sot ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Bajram Kosumi dhe shefit të UNMIK-ut, Soren Jessen-Petersen. Kryeministri Kosumi tha se pala e Kosovës do të jetë unike në qëndrimet e saj, kurse platforma, bisedat dhe kompromisi i vetëm për Prishtinën, sipas tij, kanë si qëllim pavarësinë e Kosovës:
“Ne do të shkojmë në bisedat për statusin përfundimtar për ta bërë shtetin e Kosovës. Ky është qëllimi i parë dhe i fundit i yni”, theksoi kryeministri Kosumi.
Në anën tjetër, duke iu përgjigjur disa komenteve në media se miratimi eventual i Rezolutës për ri-konfirmimin e vullnetit të popullit të Kosovës për pavarësi në Kuvendin e Kosovës, do të mund të anulohej nga shefi i UNMIK-ut, Jessen-Petersen tha se ai asnjëherë nuk i ka bërë me dije Kuvendit se do t’ia anulonte ndonjë vendim. Së pari duhet ta shohim tekstin, tha ai, e pastaj të gjykohet veprimi. Mirëpo Kuvendi, tha Petersen, patjetër që duhet ta udhëzojë delegacionin e Kosovës për procesin e negociatave. Në vazhdim, Jessen-Petersen ka paraqitur gjashtë prioritete, në të cilat do të përqëndrohen qeveria vendore dhe UNMIK-u, gjatë fazës së përgatitjeve dhe zhvillimit të bisedimeve për statusin e Kosovës:
“Ne u përqëndruam në gjashtë prioritete. Së pari, ne duhet të mbajmë një gjendje stabile politike e të sigurisë gjatë procesit të bisedimeve,” tha Petersen. Së dyti, shtoi ai, do të vazhdohet përmbushja e standardeve, pastaj prioritet tjetër janë reformat në pushtetin lokal, bartja e kompetencave te kosovarët në fushën e sigurisë dhe drejtësisë, ndërtimi i kapaciteteve në institucionet e Kosovës dhe prioriteti i gjashtë ristrukturimi i UNMIK-ut, si administratë që gradualisht përfundon misionin me zgjidhjen e statusit të Kosovës, tha Jessen-Petersen.
Kryeministri Kosumi dhe shefi i UNMIK-ut, e kanë përshëndetur edhe sot angazhimin amerikan në procesin e bisedimeve, duke e çmuar gadishmërinë e shprehur dje nga Nënsekretari amerikan i Shtetit për çështje politike, Nicholas Burns, se Shtetet e Bashkuara do të kenë një rol aktiv në procesin e definimit të statusit të Kosovës.


XS
SM
MD
LG