Ndërlidhjet

STAVILECI: TASH DO TË HYHET NË NJË FAZË TË RADHËS TË PRANISË NDËRKOMBËTARE, E JO NË FAZËN PËRFUNDIMTARE TË ZGJIDHJES SË STATUSIT TË KOSOVËS


Esat Stavileci, ekspert juridik

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Stavileci, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Anan, tashmë i ka rekomanduar Këshillit të Sigurimit të OKB-së, fillimin e bisedimeve për statusin e Kosovës. Si e shihni ju këtë zhvillim dhe çfarë mund të pritet?

ESAT STAVILECI
Ka një përshpejtim të proceseve, ka një sforcim të bisedimeve dhe unë pres që vërtet deri në fund të fillohet me një mënyrë të negocimit, prej një diplomacie fluturuese e deri te mundësia që së paku një herë të ulen palët, sikur që nuk e përjashtoj as mundësinë e një konference ndërkombëtare, madje as të marrjes së një vendimi të njëanshëm. Atë që do të dëshiroja ta shprehja si një bindje është se në fakt, kësaj radhe, nuk do të zgjidhet statusi i Kosovës. Prandaj, sikundër edhe thotë edhe në raportin e tij zoti Kai Eide, hyhet në një fazë të radhës të pranisë ndërkombëtare dhe jo në fazën përfundimtare të zgjidhjes së statusit të Kosovës. Kërkesa është që të ketë një prani më të theksuar të BE-së dhe kjo sikur e zbeh influencën amerikane. Kosova dhe shqiptarët emocionalisht janë ata që janë mbështetur shumë dhe kanë ushqyer shpresat tek amerikanët dhe po qe se do të ndodhë reduktimi i ndikimit amerikan sikur i lënë shpresat. Por, se si do të zhvillohet i tërë procesi, ndoshta është ende herët të parashikohet, pasi bëhet fjalë për një proces më afatgjatë, është fjala për një proces, i cili me sa po shoh do të zhvillohet në disa faza.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju thatë se sipas raportit të zotit Eide, kjo është një fazë e re e pranisë ndërkombëtare në Kosovë. A ka të bëjë kjo me konceptin e lansuar së fundi për pavarësinë e kushtëzuar dhe cili është qëndrimi juaj ndaj këtij propozimi?

ESAT STAVILECI
Zoti Eide në raport nuk flet për pavarësinë e kushtëzuar, por njeriu që e lexon me vëmendje raportin, do të mund të nxirrte një përfundim, sikur ai përmend disa nga elementet që do të mund të ishin kushtëzime për Kosovën, pra një Kosovë e pavarur me kusht. Por, nëse e keni parasysh edhe etimologjinë e fjalës “kusht”, apo “kushtëzime”, atëherë keni kuptuar se nuk dihet as fillimi, as mbarimi i kushtëzimeve, me të cilat do të përballej Kosova në rast se do të fitonte status të tillë, që për mua nuk është fare status. Prandaj, edhe kam reaguar shumë i bindur kundër prononcimit të Ministrit të Jashtëm shqiptar (Besnik Mustafaj), i cili madje merr guximin të deklarojë se pavarësia e kushtëzuar paraqet një zgjidhje të vetme. Nuk është fare zgjidhje pavarësia e kushtëzuar. Do të mund të quhej se Kosova ndien nevojën për një pavarësi të mbikëqyrur, të monitoruar, sikundër që nuk e pranoj një tezë që e dëgjoj gjithnjë e më shumë, se Kosova me një prani ndërkombëtare do të përmbushte shumë kushte për t’u anëtarësuar në mekanizmat ndërkombëtare, por do të dëshiroja që kjo të ndodhte pas njohjes së pavarësisë, pra që Kosova të anëtarësohet në BE me karrocën e vet dhe jo në karrocë me të tjerët.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, cili është mendimi juaj lidhur me mundësinë e emërimit të Marti Ahtisaarit si udhëheqës i këtyre negociatave?

ESAT STAVILECI
Duhet të kuptojmë se është fjala për një proces politik, për një arritje konsensusi për një njeri të pranueshëm nga shumica, sepse Ahtisaari është një emër dhe diplomat i fuqishëm që ka gjasë të mirëpritet, por a do të jetë ai apo dikush tjetër, do të vendosë ndoshta raporti i forcave. Por pavarësisht se cili do të jetë, duhet të kemi parasysh nevojën për një ndikim të fuqishëm amerikan, por edhe të OKB-së, në mënyrë që çështja e Kosovës të mos reduktohet thjesht në përkujdesje evropiane. Unë intimisht i frikësohem, jo vetëm reduktimit të pranisë amerikane, por i frikësohem edhe theksimit të tepruar të pranisë evropiane në Kosovës, duke pasur parasysh se Evropa, edhe historikisht, edhe tradicionalisht, ka pasur një sjellje, e dimë çfarë ndaj shqiptarëve- ka cunguar integritetin territorial të tyre dhe më në fund e ka shkëputur çështjen e Kosovës nga çështja shqiptare dhe kështu sot shqiptarët po i paguajnë të gjitha ato të së kaluarës. Dhe unë kujtoj se me gjithë kërkesën e ndërkombëtarëve që t’i kthehemi historisë, çka nuk do ta dëshiroja, sepse historia jonë është vërtet e hidhur, por historia është ajo që na ka sjellë në këtë gjendje dhe nuk mund të ketë ndërtim të së ardhmes pa një rikthim në të kaluarës dhe pa mbështetje në realitetet edhe të së kaluarës edhe të së tashmes, shqiptarëve u takon e drejta për vetëvendosje, e drejta për pavarësi, sado që nuk jetoj me iluzione, se me pavarësi vetvetiu do të hapeshin të gjitha mundësitë për zgjidhjen e problemeve, sepse Kosova vërtet është e ballafaquar me shumë probleme. Ka shumë të drejtë zoti Eide që përmend shumë nga vështirësitë në procesin e qeverisjes, por më në fund, si të mos egzistojnë ato vështirësi, kur dihet se ende Kosovën e menaxhon një njeri që i ka të përqendruara të tre pushtet në duart e veta – është fjala për përfaqësuesin special?

RADIO EVROPA E LIRË
Ju, çështjen e decentralizimit e keni shpjeguar figurativisht si vënie e karrocës para kalit. A mund të shtrohet çështja e decentralizimit në procesin e bisedave për statusin e Kosovës dhe çfarë mund të dalë nga kjo?

ESAT STAVILECI
Ajo do të shtrohet patjetër, pasi edhe zoti Eide sikur e forcon kërkesën për një autonomi më të gjerë të serbëve në veriun e Kosovës, mirëpo prapë kujtoj se po qe se do të ndodhte, do të ndodhte një improvizim me elemente të paragjykimit, sepse e konsideroj dhe jam shumë i bindur se më parë do të duhej të përcaktohej statusi i Kosovës, do të duhej të zgjidhej statusi me pavarësi të Kosovës, e më pastaj të zgjidhen modalitetet në lidhje me decentralizimin, për të cilin përherë kam thënë se do të duhej të ishte shoqërisht i pranueshëm, politikisht i përshtatshëm dhe mbi të gjitha etnikisht i hapur. E theksoj këtë, për faktin se ka rrezik që po qe se do të vishej me petkun etnik, atëherë para se të shpinte në integrim, do të shpinte kah dezintegrimi i Kosovës në ndarje dhe nënndarje të reja.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, a mund të ndodhë kjo, pasi vetë zyrtarët e qeverisë së Kosovës kanë paralajmëruar mundësinë e një vendimi politik gjatë bisedave për statusin, pikërisht për çështjen e decentralizimit?

ESAT STAVILECI
Po, unë gjithë procesin e kam quajtur improvizim, pasi e tëra ka ndodhur pa një infrastrukturë juridike, e tëra ka ndodhur pa studime të thella edhe teorike, edhe empirike, prandaj mund të ndodhë që kjo që është nisur si proces, ndoshta të jetë edhe një shtegdalje për të joshur serbët me këtë shkallë të interesimit, por problemi me serbët nuk është interesimi për popullatën sa është interesimi për territoret dhe aty fshihet tendenca e konceptit serb për decentralizimin, pra decentralizim që do të hapte rrugët e përligjjes së enklavizimit të territoreve të Kosovës.

Intervistoi: Rrahman PAÇARIZI
XS
SM
MD
LG