Ndërlidhjet

BEOGRAD


"Bisedimet për statusin e ardhshëm të Kosovës mund të fillojnë gjatë nëntorit, pas takimit të Grupit të Kontaktit, më 2 nëntor, në Uashington" tha Nënsekretari amerikan i shtetit për çështje politike, Nikolas Burns, gjatë vizitës së sotme në Beograd.
"Zgjidhja duhet kërkuar përmes kompromisit dhe ajo duhet të jetë çështje e marrëveshjes në të cilën nuk do të ketë as fitues e as humbës" tha Burns, në takimin me kryeministrin e Serbisë Vojisllav Koshtunica. Sipas një komunikate për media të qeverisë së Serbisë, Koshtunica ndërkaq tha se zgjidhja duhet të jetë e pranueshme për të dy palët dhe duhet respektuar rezoluta 1244 e OKB-së, që garanton sovranitetin dhe integritetin territoral të Serbisë dhe Malit të Zi.
Burns u takua edhe me presidentin e Serbisë Boris Tadiq dhe ministrin e jashtëm të Serbisë dhe Malit të Zi, Vuk Drashkoviq, i cili siç njoftohet ka kërkuar që "serbëve t'u garantohet kthim në Kosovë atje ku duan, të formohet zinxhir i komunave me shumicë serbe, të cilat do të kenë lidhje speciale me Serbinë, dhe plotësimi i këtyre standardeve të jetë kusht për përfundimin e bisedimeve të ardhshme për statusin e Kosovës.
Burns gjithashtu ka thënë se pa dorëzimin e të akuzuarve të tjerë në Tribunalin e Hagës, Beogradi nuk mund të pres raporte të shumëanshme me Shtetet e Bashkuara dhe as hyrje në Partneritetin për Paqe.
XS
SM
MD
LG