Ndërlidhjet

VAZHDON PAQARTËSIA RRETH GREVËS SË ARSIMTARËVE


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë thotë se greva e mësimdhënësve kosovarë po vazhdon në 96 përqind të shkollave në të gjitha komunat e Kosovës, përfshirë këtu edhe Universitetin e Prishtinës. Kjo sindikatë tashmë i ka dhënë një ultimatum qeverisë së Kosovës, që deri të hënën të plotësojë kërkesën e mësimdhënësve për nivelizimin e pagave të tyre. Rrahman Jashari, nënkryetar i Këshillit grevist, pohon se çështje shqetësuese për këtë sindikatë është presioni i vazhdueshëm nga Ministria e Arsimit ndaj mësimdhënësve për rifillimin e procesit mësimor. Sipas tij Ministria e Arsimit, tashmë ka dërguar një urdhëresë nëpër drejtoritë arsimore, që të obligojnë mësimdhënësit që të nënshkruajnë nëse a përkrahin grevën.
“Dhe kemi informata te sakta se drejtoritë e arsimit të niveleve komunale, duke respektuar një urdhëresë të çuditshme të Ministrisë së Arsimit, nga e hëna do të tentojnë që të obligojnë dhe të frikësojnë mësimdhënësit të deklarohen për po ose jo. Pra kërkojmë nga mësimdhënësit që ata t'i mohojnë listat, sepse lista të tilla mund të fusin përçarje kolektive dhe mund të vinë deri te më e keqja’ tha zoti Jashari.
Por, në Ministrinë e Arsimit, thonë se nuk kanë njohuri për një urdhëresë të tillë dhe se procesi mësimor tashmë ka rifilluar në shumë komuna. Fevzi Berisha, zëvendësministër i arsimit, megjithatë thotë se kjo ministri ka të drejtë të ndërmarë masa të ndryshme ndaj mësimdhënësve.
“Kisha dashur para SBASHK-ut ta shoh atë shkresë. Edhe pse ana ligjore na lejon, sepse për MASH-in greva ka përfunduar me nënshkrimin e asaj marrëveshje dhe ata duhet të pranojnë marrëveshjen e pranuar. Kështu që ligjërisht ne kemi të drejtë për të marrë edhe masa, por për shkak të situatës në të cilën gjendemi, e kemi lënë që mësimdhënësit të kenë mirëkuptim dhe të kthen nëpër shkolla në të cilat nuk janë kthyer”, tha zoti Berisha.
Derisa në Ministrinë e Arsimit thonë se procesi mësimor në mbarë Kosovën pritet të rifillojë të hënën, në emër të sindikalistëve, Rrahman Jashari, thotë se nëse qeveria e Kosovës nuk i përmbush kërkesat deri në fillim të javës së ardhshme, grevistët do t’i radikalizojnë veprimet e mëtutjeshme.
“Unë mendoj se në fillim do të shkohet në një radikalizim të vogël, por ne kemi frikë se pas një kohe mësimdhënësit e lodhur mund të dalin edhe nga kontrolli dhe mund të bëjnë veprime, të cilat ne nuk do të dëshirojmë”, tha zoti Jashari.
Sidoqoftë, për të gjitha këto çështje, këshilli grevist ka paralajmëruar se të hënën që vjen do të bisedojë me prindërit e nxënësve për të shpjeguar rrjedhën e grevës.


XS
SM
MD
LG