Ndërlidhjet

BOTA MOBILIZOHET PËR T'IU KUNDËRVËNË GRIPIT TË SHPEZËVE


Frika rreth gripit të shpezëve është shtuar, që nga shpërthimi i virusit vdekjeprurës në Azi, para dy vitesh. Më shumë se 100 persona, së paku 60 prej të cilëve kanë vdekur, janë infektuar që atëherë. Virusi i fortë i njohur si H5N1 nuk mund të përcillet ende nga personi në person, mirëpo zyrtarët për shëndetësi paralajmërojnë një mundësi të tillë. Nëse ndodh kështu, ata thonë se rezultati do të jetë epidemia që do të shkaktojë vdekjen e miliona njerëzve. Gripi i shpezëve gjatë javës preku edhe Evropën. Mostra të H5N1 u gjetën në Turqi dhe sipas të gjitha gjasave në Rumani. Paralajmërimet po bëhet edhe më të zëshme. Sekretari amerikan për çështje shëndetësore, Mike Leavitt foli gjatë vizitës në Vietnam:
"Tani kemi nevojë për aksion, por këto janë përgatitje. Po përgatitemi për atë që mund të ndodhë. Askush nuk e di nëse do të ketë epidemi, por shenjat janë shqetësuese, pas asaj që ndodhi në Turqi, Rumani dhe në vendet e tjera" tha Leavitt. Qëllim kryesor i përgatitjeve në mbarë botën është ndalimi i përhapjes së virusit nëpër ferma, si vende ku njerëzit janë më të rrezikuar nga virusi. Miliona shpezë tanimë janë therur në Azi si dhe në Turqi dhe Rumani. Veterinarët evropianë u takuan në Bruksel, ndërsa ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian do të diskutojnë masat urgjente gjatë javës së ardhshme. Ndërkohë, në Greqi gjuetarët u janë bashkangjitur këtyre përpjekjeve.
"Ne do të japim dhe deri tani kemi dërguar 1.000 mostra të shpezëve nga i gjithë vendi. Testet do të tregojnë nëse egziston ky problem" tha kryetari i shoqatës së gjuetarëve në Greqi. Organizata Botërore e Shëndetësisë ndërkaq, ka bërë thirrje për shtimin e rezervave të ilaçeve që mund të ndihmojnë kundër gripit të shpezëve tek njerëzit. Mirëpo, vendet më të rrezikuara, sipas profesorit Ian Jones, nga Britania e Madhe, shpesh përgatiten të fundit.
"Problemi qëndron tek politikat e ndryshme nëpër botë. Prandaj, kemi përgjigje sporadike ndaj rrezikut dhe jo kundërpërgjigje të bashkërenduar, sidomos në vendet që më me vëshirësi do të bënin përgatitjet e duhura, e të cilat janë më të rrezikuarat" tha Jones. Kompanitë farmaceutike po përpiqen të zbulojnë vaksinën kundër gripit të shpezëve, mirëpo ekspertët thonë se do të duhen muaj, apo vite për zbulimin e saj. Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se me kundërpërgjigjen globale ndaj gripit të shpezëve po krijohet "njëri nga koalicionet më të mëdha në historinë e shëndetit publik". Por, Organizata thotë gjithashtu se përpjekjet për ta mbajtur nën kontroll sëmundjen në Azinë Juglindore kanë dështuar. Çështja shtrohet se çfarë do të ndodhë në pjesët e tjera të botës.
XS
SM
MD
LG