Ndërlidhjet

logo-print

ATHINË


Televizioni shtetëror i Athinës i citoi autoritetet greke të kenë thënë se në Greqi është konfirmuar rasti i parë i gripit të shpezëve.
Autoritetet thanë se tash po i bëjnë testimet nëse sëmundja është shkaktuar nga virusi H5N1.
Gjeldeti i infektuar është gjetur në ujdhesën Oinuses.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian u bëri thirrje 25 vendeve anëtare të sigurojnë sasi të mjaftueshme të vaksinave për të përballuar shpërthimin e mundshëm të ndonjë epidemie të madhe.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian Philip Tod tha se BE-ja "nuk është e kënaqur" me rezervat aktuale.
"U bëjmë thirrje të gjitha vendeve anëtare të grumbullojnë vaksina që të përgatiten për mundësinë e ndonjë pandemie të gripit", tha Tod.
Ministri rumun i Bujqësisë Gheorghe Flutur tha se testet e vazhdueshme në deltën e Danubit nuk kanë treguar raste të reja të gripit të shpezëve.
Virusi i ngjashëm u paraqit edhe në Turqi, por autoritetet thanë se gjendja është nën kontroll. Sot në Turqinë perëndimore arritën dy ekspertë të BE-së, për t'i vizituar zonat ku u paraqit virusi.
Autoritetet e shëndetësisë nga mbarë bota druajnë se virusi H5N1, i cili ka shkaktuar vdekjen e 60 njerëzve në Azi, mund të ndryshojë formën dhe të përhapet tek njerëzit.
Në Gjenevë, përfaqësuesja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë Maria Cheng tha se gatishmëria e organizatës mbetet e lartë.
"Të gjitha vendet në botë duhet të kenë gati planet e tyre për pandeminë, e jo vetëm ato ku u shfaq virusi. Arsyeja përse jemi të shqetësuar është sepse ky virus e ka aftësinë për t'u transformuar, dhe në një rast të tillë, mund të preket çdo vend i botës", tha Cheng.
XS
SM
MD
LG