Ndërlidhjet

PETRICH: NË FUND TË 2006-ËS DO TË SHOHIM ZGJIDHJEN E STATUSIT PËRFUNDIMTAR TË KOSOVËS


Wolfgang Petrich, ish i dërguar i BE-së në Rambuje

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Petrich, diplomatë të nivelit të lartë kanë deklaruar se bisedimet për statusin e Kosovës do fillojnë brenda një muaji. Cili është pozicioni i BE-së lidhur me statusin e Kosovës?

WOLFGANG PETRICH
Nuk mund të flas në emër të BE-së, por Unioni ka qëndrimin se duhet të ketë një fillim të shpejtë të bisedimeve, pas vlerësimit të raportit të Kai Eides dhe rekomandimeve të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Këshilli i Sigurimit së shpejti do marrë edhe vendimin zyrtar kështu që brenda dy-tre javësh, në nëntor do fillojnë bisedimet. Bashkimi Evropian ka një interes të jashtëzakonshëm për të pasur një proçes të plotë dhe serioz.

RADIO EVROPA E LIRË
A po hyn BE-ja në këto negociata me pozicion të qartë?

WOLFGANG PETRICH
Besoj se është kështu. Vendet evropiane mbështesin fort arritjen e një zgjidhjeje përmes negociatave, që merr parasysh qëndrimet e të dyja palëve, në veçanti kur bëhet fjalë për të drejtat e njeriut, të drejtat e pakicave, sigurinë e jo shqiptarëve në Kosovë dhe padyshim shqetësimet e bazuara të Beogradit lidhur me perspektivën evropiane dhe një zgjidhje, që do të ofrojë një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët që prek kjo çështje.

RADIO EVROPA E LIRË
Si ish i dërguar i BE-së në bisedimet në Rambuje dhe me përvojë në ndërmjetësime të tilla, si i shihni negociatat, a do të jenë ato sipas "shuttle diplomacy", konferencë etj, dhe sa do zgjasin?

WOLFGANG PETRICH
Është e vështirë të thuhet, por do jetë në varësi të ndërmjetësuesit të statusit, i cili ka mbetur të emërohet, për të organizuar detajet e negocimit apo ndërmjetësimit, thënë më mirë. Mendoj se do të jetë një lloj i "shuttle diplomacy" mes Prishtinës e Beogradit, por besoj se do ketë dhe bisedime të drejtpërdrejta. Ashtu siç e dini Vjena ka ofruar shërbimet e saj sa i përket takimeve të drejtpërdrejta si një vend i paanshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Të mbetemi tek Vjena, e cila janarin e ardhshëm merr kryesinë e rradhës së BE-së. Si e shihni rolin e vendit tuaj, a do zgjidhet ky problem gjatë kohës së presidencës austriake?

WOLFGANG PETRICH
Presidenca e BE-së është një kohë relativisht e shkurtër, 6 muaj, por qeveria ka shprehur përparësitë e programit të saj dhe një prej tyre është Ballkani perëndimor, përfshi çështjen e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa i përket ndërmjetësuesve në bisedime, BE-ja do të emërojë një përfaqësues të saj. Cilat janë kandidaturat e BE-së?

WOLFGANG PETRICH
Nuk e di se cilat janë kandidaturat që po diskutohen në Bruksel apo Nju Jork, por do të jetë një vendim që i takon kreut të Kombeve të Bashkuara dhe në një nivel jo zyrtar, Grupi i Kontaktit do ketë rol shumë të rëndësishëm në emërimet në fjalë. BE-ja është jashtëzakonisht e interesuar për një përfundim të suksesshëm të bisedimeve dhe drejtim profesional të tyre. Në këtë kuptim kam besim të plotë se BE-ja, zoti Solana dhe ekipi i tij, do ofrojnë kontributin e nevojshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Përveç bashkësisë ndërkombëtare kemi dhe palët në terren. Kosovarët thonë se pavarësia nuk është e negociueshme, derisa Beogradi si zgjidhje ka formulën "më shumë se autonomi, më pak se pavarësi". Cili nga opsionet, sipas mendimit tuaj, ka gjasa të realizohet?

WOLFGANG PETRICH
Mendoj se në këtë fazë të hershme nuk është e mençur që të përpiqemi të identifikojmë rezultatin. Ne i njohim të dyja qëndrimet dhe duhet të kujtojmë se ka dhe një pozicion që është në qarkullim. Por shpresoj se të dyja palët do të tregojnë gadishmëri për të biseduar seriozisht me njëri- tjetrin, me ndërmjetësuesit dhe bashkësinë ndërkombëtare, si dhe të zhvillojnë bisedime në frymën e kompromisit.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se deri tani palët kanë treguar gadishmëri për kompromis?

WOLFGANG PETRICH
Deri tani nuk mund të them se kanë treguar një frymë të tillë. Deri tani kanë bërë të ditur qëndrimet e tyre dhe nuk kanë dhënë ndonjë mundësi tjetër sa i përket kompromisit. Por ajo që shoh si të rëndësishme është se të dyja palët qëndrojnë në bisedime dhe janë gati të bëjnë edhe pak më shumë rrugë për të arritur zgjidhjen që është e pranueshme për të dyja palët, e veçanërisht për qytetarët e interesuar për këtë çështje.

RADIO EVROPA E LIRË
Duket se bashkësia ndërkombëtare do përdorë metodën e "shkopit dhe karotës" për të detyruara palët të gjejnë zgjidhje. Cilat janë "shkopinjtë dhe karotat" që do përdoren gjatë bisedimeve nga bashkësia ndërkombëtare, nëse mund të shprehemi kështu?

WOLFGANG PETRICH
Natyrisht ka një morri "shkopinjsh" që egzistojnë, siç është ngecja ekonomike, problemet e shumta sociale në Kosovë, me një papunësi që arrin deri në 70% dhe një mungesë perspektive për punësim për të rinjtë. Sa i përket Serbisë kemi ngecje në planin ekonomik dhe politik. Këto janë "shkopinjtë" që janë në terren dhe bashkësisë ndërkombëtare as që i duhet për të gjetur të tjera. Por sa i përket "karotave", apo avantazheve nga ana tjetër, duke pasur parasysh anët pozitive, ka shumë më tepër. Së pari është zgjidhja e një konflikti të gjatë historik, ku si pasojë gjenerata të tëra kanë vuajtur derisa tani i ofrohet perspektiva e një jete më të mirë. Perspektiva e rajonit për t'iu bashkangjitur BE-së, përfshi dhe Serbinë e Malin e Zi, madje dhe Kosovën, pavarësisht cili do jetë statusi i ardhshëm i Kosovës, apo e ardhmja e Bashkësisë Shtetërore Serbi e Mal i Zi. Në këtë mënyrë do t'i ofrojmë gjeneratave të reja mundësinë e lëvizjes së lirë në Evropë, çfarë është nxitja më e fuqishme aktualisht në tryezë.
Tani duhet të shohim përpara dhe të shohim ndryshimet dhe gjatë vitit 2006, besoj nga fundi i 2006-ës do të shohim statusin përfundimtar të Kosovës të zgjidhur. Kjo padyshim do të sjellë një jetë më të mirë për të gjithë banorët e rajonit.

Intervistoi Ilirjana A. Bajo



XS
SM
MD
LG