Ndërlidhjet

logo-print

GRIPI I SHPENDËVE VJEN NË GREQI, BE PËRGATITET


Eugen Tomiuc

Greqia është vendi më i fundit që ka bërë të ditur se është prekur nga virusi i shpendëve. Rasti i parë në Greqi është gjetur në një ishull me 700 banorë në detin Egje, derisa autoritetet mjekësore po kontrollojnë punëtorët e fermës ku u gjetën shpendët e infektuara. Greqia, në bashkëpunim me Bashkimin Evropian, ka bllokuar eksportin e shpendëve të gjalla, mishit të pulës dhe produkteve nga ishujt në Detin Egje, derisa janë dërguar në Angli për analiza të mëtejshme mostrat nga rajoni i prekur. Analiza të mostrave të ndryshme po bëhen dhe për shpendë nga Bullgaria e Kroacia. Bosnja nga ana e saj ka deklaruar se virusi H5N1 nuk është gjetur në disa pula të ngordhura, mbi të cilat ra dyshimi i infektimit.
Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian po zhvillojnë një takim të jashtëzakonshëm në Luksemburg, për të diskutuar mënyrën se si duhet përballuar gripi i shpezëve.
"Përpjekje shumë të mëdha duhet të bëhen për të ofruar këshillat e nevojshme, si dhe ndihmën për Greqinë, Rumaninë, Turqinë dhe Federatën Ruse, por dhe vende të tjera. Njëherësh duhen shtuar përjekjet për të siguruar se janë marrë masat e nevojshme për t'u përballur në rast se kemi një kalim masiv të virusit të gripit të shpendëve tek njerëzit", tha Ministri i Jashtëm britanik Strou, vendi i të cilit ka presidencën e rradhës së Bashkimit Evropian.
Por nga ana tjetër Rumania ka deklaruar se janë gjetur raste të reja të shpendëve të infektuar me virusin H5N1 në deltën e Danubit, pranë kufirit me Ukrainën.
"Pranë kufirit me Ukrainën kemi diagnostikuar si të prekur nga virusi në fjalë një numër shpendësh", tha Flutur, Ministri rumun i Bujqësisë.
Në përpjekje për bashkërendim të masave, zyrtarë rumunë, moldavë dhe ukrainas, do takohen së shpejti për politika të përbashkëta në këtë drejtim.
Delta e Danubit, që gjendet mes Rumanisë dhe Ukrainës, është një nga zonat kyçe të tranzitit për zogjtë shtegtarë, që besohet se janë shkaktarët e përhapjes së virusit.
Komisioneri evropian për shëndetësinë, Markos Kiprianou, duke folur për strategjinë që duhet ndjekur thotë:
"Asnjë vend nuk mund të mbrohet veetëm. Na duhet të bashkërendojmë dhe të bashkëpunojmë në nivel të Bashkimit Evropian, në mënyrë që vendet të kenë një mbrojtje efikase, në rast të një epidemie nga gripi i shpendëve", tha Kiprianou për të shtuar:
"Barnat anti virale janë në linjën e parë të mbrojtjes nga ky virus. Sa i përket vaksinave po punojmë që të kemi vaksina kundër virusit në fjalë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të bëjmë shpërndarjen e menjëhershme të tyre në rast se vërejmë fillimin e një epidemie të gripit të shpendëve", tha komisioneri evropian për shëndetësinë.
Por megjithë masat e vendeve evropiane kërkohet ndihma financiare për vendet e varfra aziatike për të luftuar një epidemi të mundshme. Vendet aziatike ishin dhe vatrat e para të virusit H5N1.
XS
SM
MD
LG