Ndërlidhjet

MOSKTHIMI I DOKUMENTAVE ARKIVORE MUND TË KRIJOJË PENGESA GJATË NEGOCIATAVE


Albana Isufi, Prishtinë

Ende nuk është krijuar grupi punues që do të merrej me kthimin e arkivave, dokumenteve të gjendjes civile dhe dokumenteve të tjera kosovare, që gjatë luftës janë dërguar në Serbi. Takimi i parë i Ministrit të Kulturës Astrit Haraçia, me homologun e tij serb, ka rezultuar me një marrëveshje, që të dy palët të krijojnë grupet punuese dhe të regjistrojnë dokumentet që duhen kthyer.
Zëdhënësi i Ministrisë së Kulturës Veli Bytyqi, nuk jep ndonjë datë të saktë se kur do të fillojnë punën grupet punuese.
“Ne nuk kemi vendosur afate kohore. Por meqënëse natyrisht ata që nuk nxitojnë në këtë mes jemi ne pala kosovare, në kuadër të krejt kësaj që është biseduar në Beograd. Unë besoj se brenda këtij muaji ne do të dimë saktësisht dhe konkretisht se çfarë duam dhe çfarë kemi kërkuar konkretisht nga Beogradi dhe presim natyrisht përgjigje pozitive, ose presim konkretisht të fillojë kthimi i materialeve apo pasurisë arkivore dhe të trashëgimisë që tani ndodhet në Beograd".
Në anën tjetër drejtori i Arkivave, Jusuf Osmani tërheq vërejtjen që të veprohet më shpejt në këtë drejtim. Në të kundërtën, ai thotë se palës kosovare do t’i dalin pengesa edhe gjatë negociatave për statusin.
“Pronat defakto janë prona të shqiptarëve. Mirëpo pushteti i mëhershëm, edhe ai i dhunshëm, ua ka pronësuar të tjerëve, serbëve dhe malazezëve. Tani gjatë bisedimeve të huajt e marrin gjendjen e dokumentacionit nga kadastrat, ku figuron me emër të tjetërkujt, siç ishte rasti në Bosnje."
Për shkak të ndërrimit të shpeshtë të pushteteve në Kosovë, Osmani thotë se egziston paqartësi e madhe lidhur me dokumentet, qoftë të arkivës, qoftë ato kadastrale. Ai thotë se institucionet nuk duhet të punojnë vetëm për kthimin e dokumenteve nga Serbia, por edhe nga Turqia.
“ Pronat janë marrë nga popullata shqiptare, janë marrë komplekse të shumta të ultësirave dhe maleve, dhe u janë dhënë në pronësi serbëve dhe malazezëve, kryesisht kolonëve. Atij dokumentacioni menjëherë Ministria e Financave apo ajo përkatëse e bujqësisë e ka bërë përkthimin, gjendje që ka mbetur në shumë raste dhe sot. Prandaj të bisedohet për statusin e Kosovës duhet të merret gjendja para vitit 1912. Ajo është gjendja reale."
Në anën tjetër Veli Bytyqi, bisedimet me palën serbe, por edhe kthimin e arkivave nga Serbia e quan çështje tërësisht jopolitike.
“Ne kemi të drejtë të kërkojmë ato që na janë rrëmbyer dhe janë marrë nga Kosova. Ato janë vlera të trashëgimisë kosovare të gjithë popujve në Kosovë, prandaj kjo nuk ka pse politizohet dhe natyrisht grupet punuese nuk kanë absolutisht të bëjnë as me statusin, as nuk ka pse të përfshihet gjithë kjo punë në statusin politik të Kosovës."
Sipas drejtorit të Arkivave të Kosovës në Serbi janë marrë dokumente arkivore, kadastrale, dokumente të gjendjes civile, lëndë të gjykatave, të ish Sekretariatit të Punëve të Brendshme, Fondi i Revizorit të Reformave Agrare dhe dokumente të tjera të trashëgimisë kulturore të Kosovës.

XS
SM
MD
LG