Ndërlidhjet

logo-print

ROSSIN: “ME TË FILLUAR PROCESIN, KOMUNITETI NDËRKOMBËTAR DËSHIRON EDHE TA PËRFUNDOJË ATË”


Larry Rossin, zëvendësshef i administratës ndërkombëtare në Kosovë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Rossin, Kosova është duke iu afruar një periudhe të rëndësishme në historinë e saj, të paktën kështu thonë përfaqësuesit e lartë ndërkombëtarë. Me çfarë sfidash do të përballet Kosova gjatë kësaj periudhe?

LARRY ROSSIN
Periudha historike së cilës i referoheni ju natyrisht është procesi politik i paraparë me Rezolutën 1244 për të vendosur statusin e ardhshëm politik të Kosovës. Dhe ky në fakt është një moment historik për Kosovën, është moment historik edhe për ne që kemi qenë të përfshirë nëpërmjet diplomacisë në Kosovë për aq shumë vite. Unë personalisht dhe shumë prej nesh jemi të gëzuar që ky moment ka ardhur, sepse është e rëndësishme jo vetëm për Kosovën, por edhe për mbarë rajonin që kjo çështje e hapur të zgjidhet në atë mënyrë që do të jetë në të mirë të qytetarëve të Kosovës dhe mbarë rajonit. Sfidat do të jenë të shumta për institucionet e Kosovës, për faktorët politikë dhe për vetë popullin e Kosovës gjatë kësaj kohe, pra do të ketë sfida organizative gjatë këtij procesi që do të jetë një proces i gjerë diplomatik. Në Kosovë thuhet se nuk do të ketë negociata, por në realitet, negociata do të ketë mbi çështje të niveleve të ndryshme, çështje praktike. Organizimi për këtë proces, organizimi i njohurisë që ekziston në shoqërinë kosovare mbi shumë nga këto çështje specifike, në rrafshin e ekonomisë, kulturës dhe të tjera, është një prej sfidave të mëdha. Në këtë drejtim puna tashmë ka filluar me formimin e grupit negociator, por një angazhim edhe më i madh është i nevojshëm nën sipërfaqe për të përkrahur këtë grup. Pra, kjo do të jetë një punë që duhet bërë nga kosovarët dhe jo nga ne, sepse ne deri më tani kemi bërë mjaft punë për ta mundësuar një gjë të këtillë, prandaj topi është në fushën e kosovarëve. Gjithashtu mendoj se duhet pasur durim në Kosovë, ndihet një tendencë se me fillimin e këtij procesi, kosovarët që në fillim duan të bëjnë disa hapa përpara, duke dashur të sforcojnë pozicionet e tyre negociuese dhe të fitojnë përkrahje për këto pozicione. Por, mendoj se për njerëzit në Kosovë do të jetë një sfidë e madhe të pajtohen me faktin se ky proces, sipas parashikimeve të mia, do të zgjasë disa muaj, meqë ka shumë çështje të cilat duhet të shqyrtohen. Pra, vërehet një tendencë që prej fillimit të kalohet drejt e në përfundim të procesit dhe mendoj se nëse një tendencë e këtillë shkon edhe më larg, atëherë me gjasë mund të shkaktojë konfuzion brenda vetë procesit, në atë mënyrë që nuk do të ishte e dobishme për vetë Kosovën. Pra, sfidat janë të shumta dhe mendoj se më e madhja për popullin e Kosovës dhe institucionet do të jetë jo vetëm të mbajë gjallë, por edhe të revitalizojë procesin e përmbushjes së standardeve dhe proceset e tjera në vazhdimësi pavarësisht nga procesi i përcaktimit të statusit. Ambasadori Kai Eide, Grupi i Kontaktit dhe të gjithë ata që do të përfshihen padyshim presin përparime të vazhdueshme në Kosovë dhe ne jo vetëm që jemi gati, por edhe jemi duke punuar me institucionet vendore që këto procese të vazhdojnë dhe të ecin përpara.

RADIO EVROPA E LIRË
Në paraqitjet e fundit publike, ju keni thënë se bisedimet për statusin është dashur të fillonin më herët. Cilat janë pasojat e kësaj vonese?

LARRY ROSSIN
Janë disa pasoja. Shefi i administratës ndërkombëtare, unë dhe shumë vëzhgues, mendojmë se situata e krijuar në Kosovë në mungesë të një statusi të përcaktuar është pengesë për të arritur përparime në ekonomi, investime, financim dhe ndoshta në zhvillimin institucional të segmenteve të tjera. Duke marrë parasysh kufizimet e buxhetit të Kosovës, vetë Kosova, ne dhe çdokush nuk është në gjendje të marrë hua ndërkombëtare nga institucionet monetare, sepse nuk ka një sovran për të ofruar garanci. Kjo do të nënkuptonte shumë para për Kosovën, që ka një buxhet të ngushtë dhe ka nevoja dëshpëruese për shkollat, infrastrukturën, rrugët, spitalet, etj. Kur kam qenë shef i misionit amerikan në Kosovë nga viti 1999 deri në vitin 2000, atëherë nuk kam menduar se ka çështje kritike, të cilat do t’i zgjidhte në kuptimin operacional një status i përcaktuar. Po të kishin ecur gjërat përpara që më herët, me siguri se do të kishte përparime në disa fusha. Por, në anën tjetër, në përpjekje për të çuar gjërat përpara në një ambient ku ka pasur pak përparime në përmbushjen e standardeve, mund të kishim pasur më shumë vështirësi për të arritur deri tek një përfundim i suksesshëm. Sa më shumë punë që është bërë në përmbushjen e standardeve, po aq është krijuar edhe një bazë e suksesshme për procesin e statusit.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë kuadër, udhëheqësit kosovarë tash kanë filluar të shfaqin shqetësimin se bisedimet do të mund të zgjasnin deri në pakufi. A mendoni se duhet të ketë një afat të caktuar për bisedimet?

LARRY ROSSIN
Në fakt kjo çështje nuk më takon mua, nuk është përgjegjësi e jona. Kjo i takon të dërguarit të posaçëm, Këshillit të Sigurimit dhe të tjerëve. Mendoj se duke lexuar raportin e ambasadorit Kai Eide dhe në bazë të prononcimeve të zotit Nicholas Burns, është krijuar përshtypja se ata që janë përfshirë në këtë proces, e UNMIK-u nuk është i përfshirë, nuk presin një proces të pakufishëm. Ambasadori Eide në raportin e tij ka folur se si ky proces duhet filluar, duhet vazhduar dhe përfunduar. Dhe mendoj se edhe ambasadori Burns ka dhënë prononcime të ngjashme. Tendencë e komunitetit ndërkombëtar është që pasi të kenë vendosur të hyjnë në këtë proces, do të duan edhe ta përfundojnë atë.

RADIO EVROPA E LIRË
Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë mbase do t’i nënshtrohet një procesi të ristrukturimit. A mund të jepni më shumë hollësi se si do të duket ky mision gjatë dhe pas bisedimeve për statusin dhe cili do të jetë roli i shefit të administratës ndërkombëtare në këtë drejtim?

LARRY ROSSIN
Roli i shefit të administratës ndërkombëtare është përcaktuar me Rezolutën 1244 dhe roli i tij ka qenë të ndihmojë në krijimin e kushteve për këtë proces. Prandaj, ai dhe vetë UNMIK-u do të bëjnë atë që munden për të ofruar ndihmë dhe përkrahje për të dërguarin mbi statusin dhe për të tjerët. Shefi i UNMIK-ut nuk do të jetë pjesëmarrës aktiv në vetë procesin e negociatave, kjo nuk është në mandatin e tij. Lidhur me ristrukturimin, ne tashmë e kemi filluar këtë proces. Ne duhet të ndryshojmë për të mundësuar një tranzicion të butë në fazën e ardhshme. Ka pritje që pas përfundimit të bisedimeve, pas miratimit dhe zbatimit të vendimit për statusin, qartazi duhet të ketë një rezolutë të re, sepse në këtë pikë ambienti do të pësojë ndryshime thelbësore nga ato që janë përcaktuar në Rezolutën 1244. Ne jemi administratë e përkohshme në Kosovë dhe natyrisht kur statusi të jetë përcaktuar, nuk do të ketë nevojë më për administratë të përkohshme, por për një të përhershme. Ndërkohë, ajo që jemi duke bërë ka të bëjë me segmentin e administratës civile, me konsolidimin e pranisë sonë, me konsolidimin e përfaqësimit nëpër komuna, me ndryshime nëpër rajone. Në sektorin e drejtësisë dhe policisë, me bartjen e përgjegjësive, do të themelohen ministritë e reja. Në këto çështje, kërkesat për fushat në të cilat tani kemi të drejtën e rezervuar, do të ndryshojnë në mënyrë të konsiderueshme. Me kohë do të shkarkohen nga Shtylla e Parë e UNMIK-ut, për t’u vendosur në një strukturë në përkrahje të drejtpërsëdrejtë të shefit të administratës ndërkombëtare, e cila do të ofrojë oficerin ndërlidhës, i cili do të punojë me ministritë e transferuara, por edhe me elementet e tjera që do të mbeten në përgjegjësi të UNMIK-ut në sektorin e policisë dhe drejtësisë gjatë tërë periudhës së bartjes së përgjegjësive. Ndryshimet kanë filluar edhe në mënyrën e deritashme të organizimit në çështjet e kthimit dhe komuniteteve, ka edhe shumë ndryshime të tjera brenda misionit dhe ato kanë të bëjnë edhe me shkurtimin e personelit. Shkurtimin jemi duke u munduar ta organizojmë në mënyrë racionale dhe jo duke larguar personelin pa u adaptuar që më parë në këtë ambient që po ndryshon.

RADIO EVROPA E LIRË
UNMIK-u është kritikuar nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare të hulumtimeve se ka dështuar në veriun e Kosovës. Do të doja të di përgjigjen tuaj ndaj këtyre kritikave?

LARRY ROSSIN
UNMIK-u nuk u përgjigjet kritikave që vijnë nga grupet private të promovimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Institucionet në Kosovë pohojnë se pavarësia është e panegociueshme, Beogradi zyrtar ndërkaq thotë se Kosova duhet të fitojë më shumë se autonomi, më pak se pavarësi. Si do të ndikojnë këto qëndrime të ndryshme në vetë procesin e përcaktimit të statusit?

LARRY ROSSIN
Kjo natyrisht është një sfidë e madhe. Prishtina dhe Beogradi kanë pozicione përjashtuese mes vete dhe një prej detyrave të të dërguarit për statusin, ndihmësve të tij dhe lojtarëve të komunitetit ndërkombëtar prapa tyre, do të jetë një hulumtim i hollësishëm i pozicioneve që kanë marrë të dyja palët, për të parë se në cilat pika është e mundshme që ato të pajtohen dhe për të zhvilluar ide që do t’i afronin këto palë edhe më shumë. Mund të jetë e mundshme, megjithëse tash jam duke spekuluar, që ka hendek që nuk mund të mbyllet dhe u takon akterëve ndërkombëtarë në këtë proces, për të disenjuar mënyra që do ta mbyllnin atë hendek. Por, është shumë e vështirë për të spekuluar rreth kësaj çështjeje dhe më duhet të them se në pozicionin në të cilin jam tani, nuk është e përshtatshme të shkoj përtej këtij spekulimi.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe për fund, si e shihni ju përfshirjen e komunitetit ndërkombëtar në Kosovë pas përcaktimit të statusit?

LARRY ROSSIN
Kjo është një pyetje e hapur, por e rëndësishme dhe një pyetje rreth së cilës ne tani jemi të angazhuar në mënyrë aktive. Mendoj se është e qartë se departamenti i operacioneve paqeruajtëse në Kombet e Bashkuara dhe misioni ynë këtu, nuk do ta kenë rolin udhëheqës. Njëkohësisht është e qartë se duhet të ketë dhe do të ketë një rol të vazzhdueshëm dhe përkrahës të bashkësisë ndërkombëtare, gjë të cilën mendoj se do ta dëshironte i tërë populli i Kosovës, pavarësisht nga rezultati i bisedimeve mbi statusin. Sipas mendimit tonë dhe të të tjerëve, Bashkimi Evropian duhet të jetë institucioni kryesor, meqë Kosova ndan perspektivën evropiane me vendet tjera të Ballkanit perëndimor, të përcaktuar në samitin e Selanikut para disa vjetësh. OSBE-ja natyrisht është një organizatë tjetër që do të duhej të ishte aktivisht e angazhuar në Kosovë, sikur që është edhe në pjesët e tjera të rajonit. Ajo që është më e vështirë të thuhet është çështja se çfarë forme do të ketë roli i Bashkimit Evropian. Ka mendime se sikurse në vendet e tjera të rajonit që janë gjetur në periudhën e pas-statusit, Bashkimi Evropian dhe institucionet e tjera duhet të funksionojnë në disa struktura ekzekutive, mbi disa çështje të ndjeshme, ku kapacitetet lokale nuk janë zhvilluar aq sa duhet dhe ku ka tensione dhe ku një rol aktiv i komunitetit ndërkombëtar mund të ndihmojë deri në zgjidhjen e këtyre tensioneve. Kjo çështje megjithatë mund të jetë pjesë e një pakoje të ndërtuar nga i dërguari për statusin dhe të spekulosh për formën e kësaj pakoje, tash për tash është e vështirë. Por, ka pasur bisedime se një gjë e këtillë duhet bërë në sektorin e drejtësisë, të forcave të rendit dhe sektorë të tjerë, ku kapacitetet mbase do të jenë nën nivelin e pranueshëm të zhvillimit ndoshta edhe pas një viti. Shefi i UNMIK-ut, para 10 ditësh është takuar në Bruksel me zyrtarët kryesorë të Bashkimit Evropian dhe OSBE-së dhe është arritur pajtimi të fillojë një proces aktiv i konsultimeve në mes nesh dhe të flasim se kush do të jenë trashëgimtarët, përgjegjësitë tona në fusha të caktuara pasi të jetë përcaktuar statusi. Mund të jetë Bashkimi Evropian, mund të jetë OSBE-ja, Këshilli i Evropës në çështje të caktuara, mund të jetë një kombinim donatorësh, mund të jenë edhe vetë institucionet e Kosovës. Dikush duhet t’i trashëgojë përgjegjësitë që ne kemi tash dhe kemi filluar procesin për të siguruar se çdo sektor do të jetë i mbuluar ashtu si duhet.

Intervistoi Arbana VIDISHIQI


XS
SM
MD
LG