Ndërlidhjet

KRYEMINISTRI KOSUMI I GARANTON KOMUNITETIT TË BIZNESIT INVESTIME TË SIGURTA NË KOSOVË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Stabiliteti politik dhe siguria e përgjithshme, janë parakushtet që Kosova duhet t’i garantojë për tërheqjen e investimeve të huaja. Kështu është thënë sot, në përmbyllje të takimit dy ditor të Këshillit Këshillëdhënës të Biznesit, që vepron në të gjitha vendet e rajonit dhe funksionon në kuadër të Paktit të Stabilitetit. Kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi, tha se i ka paraqitur këtij Këshilli mundësitë zhvillimore që ka Kosova, duke i garantuar komunitetit të biznesit, investime të sigurta në Kosovë:
“Në Kosovë ka stabilitet politik. Në Kosovë pavarësisht prej procesit të bisedave për statusin përfundimtar do të ketë stabilitet politik dhe kapitali i huaj do të jetë i sigurt në Kosovë, ashtu sikurse edhe kapitali vendor dhe i ftoj të gjithë biznesmenët që të investojnë tash, të mos e presin qershorin e vitit 2006, sepse kapitali i tyre në Kosovë më të vërtetë do të jetë i sigurt”, tha kryeministri Kosumi.
Në anën tjetër, drejtori i Këshillit Këshillëdhënës të Biznesit, Nikos Eftiamidis, tha se pavarësisht statusit të pazgjidhur të Kosovës, ajo duhet të ofrojë siguri për investime dhe zhvillim të biznesit dhe u shpreh i kënaqur që në Kosovë tashmë po krijohen ligjet e domosdoshme që rregullojnë fushat e caktuara të ekonomisë dhe biznesit:
“Komuniteti i biznesit në rend të parë kërkon stabilitet dhe së dyti një shumë llojshmëri të legjislacionit, që e bën biznesin dhe investimet praktike dhe profitabile”, tha Eftimiadis.
Ecja më e shpejtë e privatizimit në Kosovë, është vlerësuar si hap pozitiv që shpie përpara dhe krijon mundësi zhvillimore, kurse ngecja më e madhe në Kosovë është potencuar fusha e energjisë.
Drejtori i Shtyllës së katër të UNMIK-ut, Joachim Rycker, ka inkurajuar me këtë rast zhvillimin e strategjive ekonomike që do të përcaktonin rrugën e Kosovës kah prosperiteti ekonomik, por edhe drejt integrimit rajonal e evropian:
“Kosova i ka elementet bazë për zhvillimin e ekonomisë së tregut dhe disa prej këtyre elementeve, tashmë janë implementuar, siç është rasti me shumicën e ligjeve të miratuara”, tha Rycker.
Në përgjithësi, Këshilli i Biznesit ka vlerësuar se Kosova paraqet një interes të caktuar në rajon për investime dhe njëkohësisht është shprehur besimi se me zgjidhjen e statusit të saj, po hapet dhe një perspektivë tjetër, ajo e zënies së vendit që ka në kuadër të tregut rajonal.


XS
SM
MD
LG