Ndërlidhjet

logo-print

PETERSEN: KOSOVA DUHET TË ECË DREJT INTEGRIMIT EVROPIAN


Alma Çupi, Tiranë

Integrimi i Kosovës në Evropë do të përshpejtohet nga një vendim i shpejtë që duhet marrë për statusin e saj.
Kështu tha sot në Tiranë administratori i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Petersen, pas një takimi që zhvilloi me kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha.
"Në këtë proçes të ri që hapet për Kosovën, qëllimi do të jetë stabilizimi i përgjithshëm i rajonit. Ky rajon duhet të ecë përpara dhe Kosova duhet të ecë përpara pikërisht në rrugën drejt integrimit evropian. Dhe ky proçes do të përshpejtohet me një vendim të shpejtë për statusin e ardhshëm të Kosovës. Zgjidhja e statusit të Kosovës do të jetë në interes të të gjithë qytetarëve dhe të të gjithë rajonit."
Kështu tha administratori i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Petersen, duke shtuar se do të jetë i pranishëm ditën e hënë, në mbledhjen e përfaqësimit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku do të diskutohet rekomandimi i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për hapjen e negociatave për statusin e ardhshëm të Kosovës.
“Ne presim që Këshilli i Sigurimit të emërojë të dërguarin special për negociatat dhe ai të fillojë menjëhere nga puna", tha zoti Petersen.
Kryministri i Shqipërisë Sali Berisha, në lidhje me statusin e Kosovës tha se është mjaft i rëndësishëm dhe njëkohësisht Kosova duhet të respektojë të drejtat e pakicave.
"Kushtet pozitive janë kushte veçse të mirëpritura dhe çështja e pakicave është një çështje kryesore," tha kryeministri Berisha, duke shtuar se prania e KFOR-it në Kosovë është jashtëzakonisht e rëndësishme, jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin, sepse rajoni duhet të dalë nga spirali i konflikteve dhe vendet e rajonit duhet të shkojnë drejt Evropës, të integrohen në BE dhe në NATO.
Administratori i Kombeve të Bashkuara në Kosovë Soren Jessen Petersen, për çështjen e të drejtave të pakicave tha :
"Dhe ka një pajtim dhe miratim të përgjithshëm se ajo që duhet të dalë nga këto negociata duhet të jetë një Kosovë e qëndrueshme dhe në respektim të të gjithë të drejtave. Duhet të them që bën pjesë në përpjekjen e përgjithshme për integrimin e rajonit."
Shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen Petersen më pas zhvilloi një takim me presidentin e Shqipërisë Alfred Moisiu dhe pritet të takohet edhe me Ministrin e Punëve të Jashtme Besnik Mustafaj.


XS
SM
MD
LG