Ndërlidhjet

POLICIA E UNMIK-UT KONFIRMON PARAQITJEN E PERSONAVE TË ARMATOSUR NË RAJONIN E DUKAGJINIT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Është e vërtetë se në Kosovën perëndimore janë vërejtur aktivitete të grupeve të organizuara kriminale, ka thënë sot në Prishtinë, komisionari i policisë së UNMIK-ut Kai Vittrup, duke theksuar se problemi nuk duhet të bëhet më i madh sesa është në të vërtetë, pasi sipas tij bëhet fjalë për një grup të vogël njerëzish, që nuk gëzojnë mbështetjen e popullatës lokale. Përndryshe komisionari Vittrup, në një konferencë shtyp, tha se situata e përgjithshme e sigurisë në Kosovë është stabile, edhe pse gjatë muajve të fundit janë vërejtur veprime kriminale, që kanë vepruar në kundërshtim me situatën e përgjithshme të sigurisë:
"Këta kriminelë kryesisht kanë vepruar në pjesën perëndimore të Kosovës dhe ndoshta për ta bërë të gjithën më dramatike, ata janë veshur krejtësisht me të zeza," tha komisionari Vittrup, ndërkohë që dje zyrtarë të forcës paqeruajtëse thanë se personat e armatosur që janë paraqitur në rajonin e Dukagjinit dhe janë përpjekur të ndalojnë veturat dhe qytetarët, kanë pasur të veshura rroba kamuflazhi. Sidoqoftë, komisionari Vittrup tha se bëhet fjalë për grupe të organizuara:
"Sipas paraqitjes së tyre, ata do të jenë të organizuar, pasi përndryshe nuk do të paraqiteshin të gjithë në të njëjtën kohë dhe të gjithë veshur me të zeza, mirëpo policia nuk ka pasur ndonjë kontakt me ta, pasi po të kishin do t’i arrestonin," tha Vittrup.
Në anën tjetër, përderisa zyrtarët e UNMIK-ut as sot nuk kanë dashur të konfirmojnë pohimet nëse ka kufizime të lëvizjes së personalit civil të UNMIK-ut në rajonin e Drenicës dhe në atë të Dukagjinit, zyrtarët të forcës paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, edhe sot kanë pohuar ekzistimin e grupeve të tilla. Në një takim me gazetarët zëdhënësi i KFOR-it, koloneli Pio Sabetta, tha se këto ishin incidente të izoluara dhe nuk bëhej fjalë për grupe:
"Ne nuk flasim për grupe të armatosura, por incidente të izoluara dhe për persona të veçantë. Kemi njoftime për këtë dhe po bëjmë hetime," tha koloneli Sabetta.
Mirëpo, komisionari i policisë ndërkombëtare, Kai Vittrup tha se policia tashmë ka disa informacione se kush mund të jenë ata persona, por ata kanë shumë pak apo nuk kanë fare mbështetje nga popullata, u shpreh komisionari Vittrup, duke bërë thirrje njëkohësisht që problemi që në të vërtetë ekziston, të mos paraqitet jashtë përmasave të tij reale:
"Për mua është me rëndësi që problemi të mos bëhet më i madh seç është, pasi bëhet fjalë për një numër të vogël kriminelësh, të cilët nuk e pranojnë rrugën e sjelljes demokratike në një shoqëri demokratike," tha komisionari i policisë ndërkombëtare Kai Vittrup, duke e parë të rëndësishme ruajtjen e stabilitetit në Kosovë, sidomos tash në fazën e hapjes së diskutimeve për statusin përfundimtar të Kosovës, kur ambienti i qetë dhe i sigurt është i domosdoshëm.
Komisionari Vittrup dhe udhëheqës të tjerë të policisë ndërkombëtare dhe të shërbimit Policor të Kosovës thanë se po bëjnë të gjitha përpjekjet për të pamundësuar veprimtarinë e grupeve kriminale kushdo qofshin ata dhe kudo që të veprojnë. Prandaj, tha komisionari Vittrup, një shembull i përkushtimit të policisë për të luftuar të gjitha grupet kriminale është edhe arrestimi i tre pjesëtarëve të xhandarmërisë, disa javë më parë në Shtërpcë.




XS
SM
MD
LG