Ndërlidhjet

SHTOHEN PËRPJEKJET PËR GJETJEN E VAKSINËS KUNDËR GRIPIT TË SHPEZËVE


Eugen Tomiuc

Qeveritë dhe organizatat mjekësore në mbarë botën po shtyhen për të shtuar rezervat e ilaçeve anti-virale, për shkak të frikës nga shpërthimi i epidemisë së gripit të shpezëve. Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka përsëritur thirrjet për bashkërendim të përpjekjeve për luftimin e rrezikut global nga gripi i shpezëve, pas rasteve të paraqitura në disa vende evropiane. Organizata Botërore e Shëndetësisë u ka rekomanduar vendeve që të krijojnë rezerva të ilaçeve anti- virale dhe vaksinave kundër gripit për të vaksionuar së paku 25 përqind të popullatës së tyre. Mirëpo, organizata kërkoi që këto vaksina të mos përdoren pa udhëzimin e mjekut. Dr. Bernardus Ganter, këshilltar rajonal i Organizatës Botërore për Shëndetësi, sqaron për radion Evropa e Lirë arsyet për këtë rekomandim.
"Ne iu këshillojmë njerëzve që të mos i përdorin vaksinat kundër gripit tani, por t'i përdorin me udhëzim të mjekut, sepse gjithnjë ka një mundësi, si me të gjitha ilaçet e tjera, që lehtësisht mund të krijohet rezistencë anti -mikrobe ndaj ilaçit dhe kjo mund të ndodhë shumë shpejt nëse përdorimi nuk është i përshtatshëm" tha Ganter.
Rreth 40 qeveri në mbarë botën po shpejtojnë të shtojnë rezervat e ilaçit "Tamiflu". Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kompania që prodhon këtë ilaç, "Roche", ka thënë se është e gatshme të ndërtojë kapacitete të reja prodhuese, mirëpo kompania nuk sqaroi nëse është e gatshme të ndajë me të tjerët të drejtat e licencës për këtë medikament. Senatori amerikan Chuck Schumer tha se "Roche" ka një muaj afat për t'i ndarë këto të drejta me të tjerët, përndryshe do të përballet me aksionin e Kongresit. Sidoqoftë, zëdhënësja e kompanisë, Martina Rup, i tha radios Evropa e Lirë se "Roche" mund të pranojë këtë kërkesë, por sipas disa kushteve.
"Në përkrahje të përpjekjeve globale për luftimin e epidemisë eventuale, ne jemi të gatshëm të diskutojmë të gjitha opsionet" tha Rup.
Ndërkohë, disa vende të tjera po shqyrtojnë mundësitë e prodhimit të vaksinës kundër virusit vdekjeprurës të gripit të shpezëve, H5N1. Mirëpo, Organizata Botërore e Shëndetësisë parashtron një problem tjetër. Nëse shpërthen epidemia, ajo mund të jetë e shkaktuar nga transformimi i virusit të gripit të shpezëve, H5N1. Në këtë rast, do të marrë kohë identifikimi i këtij virusi të ri dhe zhvillimi i vaksinës kundër tij.
XS
SM
MD
LG