Ndërlidhjet

KOEN:"BASHKËSIA NDËRKOMBËTARE SYNON GRADUALITET NË NJOHJEN E PAVARËSISË SË KOSOVËS"


Lenard KOEN, ekspert kanadez për Ballkanin


RADIO EVROPA E LIRË
Bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës duhet të fillojnë shpejt. Cili është epilogu i pritur?

LENARD KOEN
Aktualisht Unioni Evropian është shumë realist ashtu siç janë edhe shumica e akterëve në teren. Jo vetëm shqiptarët, por edhe serbët e Kosovës dhe madje edhe zyrtarët në Beograd dhe qytetarët e Serbisë e shohin se nuk është reale që Kosova të mbetet në një union të brishtë me Serbinë dhe Malin e Zi dhe veçanërisht jo pjesë e Serbisë. Raporti i Kai Eides në esencë sugjeron se Kosova ka bërë përparim të mjaftueshëm për të filluar bisedimet që në fakt do të shpiejn drejt fazës tjetër në të cilën bashkësia ndërkombëtare më pak do të kontrrolloj këtë teritor deri në shpalljen e pavarësisë.
Pra, kjo do të jetë një fazë e re në të cilën roli i Kombeve të Bashkuara do të jetë më pak i hetueshëm, ndërsa nga raporti i Kai Eides del se Kosova ende duhet të bëjë shumë në përmbushjen e standardeve. Pra gjendja e tashme kalimtare do të zëvendësohet me një gjendje tjetër kalimtare që do të mund të quhet pavarësi e cunguar, e kufizuar ose e kushtëzuar. Shqiptarët në Kosovë gjithësesi nuk do të jenë shumë të entuziazmuar me këtë fazë të re kalimtare të pavarësisë së kushtëzuar. Bashkësia ndërkombëtare do të kërkojë që para shpalljes së pavarësisë së plotë të Kosovës të bëjë angazhime shtesë në përmbushjen e standardeve. Mbase në 5 vitet e ardhshme forcat ndërkombëtare edhe më tej do të mbeten të pranishme në Kosovë, ashtu si edhe bashkësia ndërkombëtare në tërësi, por kosovarët do të marrin rol gjithnjë e më të madh në institucionet vendore. Por nuk do të ketë asnjë dilemë për mbetje nën Serbinë, madje as në formën më të brishtë.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të thotë kjo se në periudhën e pavarësisë së kushtëzuar, Kosova do të mbetet nën protektoratin e Kombeve të Bashkuara ose të Bashkimit Evropian?

LENARD KOEN
Ky është një skenar për periudhën e ardhshme. Kombet e Bashkuara me gjasë nuk do të luajnë rol të madh, ndërsa misionin e saj gjithnjë e më shumë do ta përmbush Unioni Evropian. Bashkësia ndërkombëtare gjithësesi do të jetë e pranishme gjithnjë përderisa nuk përmbushen standardet dhe rrjedhimisht të krijohen kushtet për njohjen e pavarësisë së plotë të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Autoritetet serbe zyrtarisht kundërshtojnë pavarësinë dhe angazhohen për formulën "më shumë se autonomi, më pak se pavarësi". Mirëpo mos në heshtje politikanët në Beograd tashmë kanë pranuar pavarësinë e Kosovës si domosdoshmëri dhe a mund të marrë Serbia për këtë ndonjë koncesion nga bashkësia ndërkombëtare?

LENARD KOEN
Serbia tashmë ka filluar të marrë koncesione pasi që i është miratuar faza tjetër e bisedimeve me Unionin Evropian, ndonëse nuk ka arrestuar Ratko Mladiqin dhe as që në tërësi është shkëputur nga e kaluara, përkatësisht nga trashëgëmia e nacionalizmit ekstrem. Ajo mund të përfitojë edhe më shumë në aspektin e afrimit me Unionin Evropian nëse bashkëpunon në evoluimin e statusit të Kosovës nga pavarësia e kushtëzuar në sovranitetin e plotë.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të pritet ndonjë ujdi që në çastin kur Kosova ndërkombëtarisht të njihet shtet sovran, Serbia të pranohet në Bashkimin Evropian?

LENARD KOEN
Këtë dy trende në aspektin kohor mund të përputhen. Kosova nuk do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian para Serbisë. Mendoj se shumë në bashkësinë ndërkombëtare mendojnë për opcionin e njohjes së njëkohësishme ndërkombëtare të Kosovës dhe pranimit të Serbisë në Bashkimin Evropian. Këtë skenar mbase e ka parasysh elita politike në Begrad dhe para së gjithash Boris Tadiq.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të thotë kjo se për Serbinë është më mirë që sa më parë të kuptoj se e ka humbur Kosovën?

LENARD KOEN
Gjithnjë është më mirë heret se vonë. Vonesa kushton. Por, kur bëhet fjalë për politikën praktike dhe zgjedhjet, Koshtunica mbase do t'u thotë ndërkombëtarëve se Partia Radikale Serbe do të forcohet edhe më shumë nëse kjo ndodh parakohe dhe në formë transparente. Ndoshta gradualiteti në zgjidhjen e çështjes së Kosovës do të ndihmojë në ruajtjen e stabilitetit të brendshëm në Serbi dhe njëkohësisht është në harmoni me planin e bashkësisë ndërkombëtare që nuk dëshiron nguti në shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Intervistoi: Dragan SHTAVLJANIN


XS
SM
MD
LG