Ndërlidhjet

BART STAES: PARLAMENTI EVROPIAN MUND TA MBËSHTESË PAVARËSINË E KOSOVËS


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Nuk mund të ketë pavarësi të kushtëzuar për Kosovën, pasi një vend mund të jetë i pavarur ose të mos jetë i tillë, ka thënë sot në Prishtinë, anëtari i Parlamentit Evropian nga Belgjika, Bart Staes, i cili tha se po përgatiste një rezolutë mbi pavarësinë, të cilën do ta prezantonte në debatin për Kosovën, që së shpejti mbahet në Parlamentin Evropian. Zoti Staes i ka bërë këto komente, pas takimeve që ka pasur me kryeministrin e Kosovës, Bajram Kosumi dhe me kryetarin e Kuvendit, Nexhat Daci, ndërkohë që gjatë dhjetë ditëve të qëndrimit në Kosovë, ai do të ketë edhe takime të tjera me politikanë vendorë dhe me përfaqësues të pranisë ndërkombëtare në Kosovë:
"Në muajt e ardhshëm debati për Kosovën do të jetë në qendër të njoftimeve në Bashkimin Evropian, dhe debati për statusin e Kosovës do të fillojë, pra debati për pavarësinë e Kosovës," tha zoti Staes, duke kundërshtuar konceptin për pavarësinë e kushtëzuar, që është përmendur kohët e fundit nga disa qarqe:
"Për mua pavarësia është pavarësi pa kushte, pasi mund të jeni shtet i pavarur ose jo," tha zoti Bart Staes, për të shfaqur bindjen e tij se Parlamenti Evropian do ta çojë përpara statusin e Kosovës si status i pavarur, një bindje që ai tha se e mbështeste në faktin që shumë anëtarë të Parlamentit Evropian e njohin mirë situatën në Ballkan e posaçërisht në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi tha ndërkaq se përcaktimi i statusit përfundimtar të Kosovës është çështje e popullit të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare:
"Roli i popullit të Kosovës dhe institucioneve të Kosovës është vendimtar. Kjo është e drejtë demokratike e popullit të Kosovës dhe e bashkësisë ndërkombëtare, e cila ka investuar kaq shumë në Kosovë në këto vitet e fundit. Pra, këta të dy janë faktorët themelorë që do të duhet të vendosin për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës".
Kryeministri Kosumi tha se roli i Serbisë në këtë proces nuk duhet të jetë në përcaktimin e statusit, por në çështje të tjera që kanë të bëjnë me Kosovën e pas-statusit:
"Natyrisht Serbia duhet të ketë një rol në këtë proces, por roli i saj është vetëm në ato sfera ku është interesi real i Beogradit, siç është trashëgimia kulturore, trashëgimia fetare ose pozita e komunitetit serb në Kosovën e ardhshme, e të tjera", tha kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, i cili do të takohet me shefin e UNMIK-ut Soren Jessen Petersen, para se ky i fundit të niset për në Nju Jork, ku të hënën pritet që Këshilli i Sigurimit të shqyrtojë rekomandimin e Sekretarit të Përgjithshëm Kofi Anan, për fillimin e shpejtë të bisedimeve për statusin e Kosovës.

XS
SM
MD
LG