Ndërlidhjet

KRYEMINISTRI KOSUMI U BËRI THIRRJE ARSIMTARËVE QË TA PËRFUNDOJNË GREVËN


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi ka vizituar sot shkollën fillore "Meto Bajraktari" në Prishtinë, mësimdhënësit e të cilës prej ditës kanë vendosur që t'i japin fund grevës së përgjithshme. Zoti Kosumi ka thënë se qeveria e Kosovës është e përkushtuar që të përmirësojë gjendjen e krijuar në sistemin e arsimit.
"Ne kemi ofruar me 6 tetor një marrëveshje me sindikatën dhe do të vazhdojmë të afrojmë sistemin e ri të pagave sipas kësaj marrëveshjeje. Ajo marrëveshje duhet të realizohet dhe shfrytëzoj rastin edhe njëherë të ftoj sindikatën, që të jetë bashkëpunuese deri në fund në realizimin e kësaj marrëveshjeje. Në rrethana normale greva do të ishte e justifikueshme dhe do të shënonte momente kthese për punëtorët."
Zoti Kosumi edhe me këtë rast ka ftuar të gjithë mësimdhënësit që t'i japin fund grevës dhe të rifillojnë procesin mësimor, i cili është ndërprerë me tre tetor, në kërkim të nivelizimit të pagave për mësimdhënësit. Gjendja në këtë drejtim vazhdon të jetë konfuze dhe me deklarata kundërthënëse mes Sindikatës së Arsimit dhe Ministrisë së Arsimit.
Në sindikatë insistojnë se greva është duke u respektuar në më shumë se 90 përqind të shkollave, kurse në ministri thonë se procesi arsimor është normalizuar në më shumë se 40 përqind të shkollave. Megjithatë gjatë ditës së sotme, përfaqësuesit e sindikatës, ata të Ministrisë së Arsimit, të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, në përbërje të një komisioni të veçantë, kanë mbajtur takime me dyer të mbyllura. Zenel Zeka nga sindikata tha se deri në këto çaste nuk ka rezultate konkrete.
"Deri tani nuk kemi asnjë rezultat. Kemi oferta, jemi duke biseduar, vazhdojnë bisedimet".
Sidoqoftë takimi i mbrëmjes mund t'i japë fund grevës në shkollat që janë duke e respektuar atë. Në të kundërtën sindikalistët kanë paralajmëruar për javën e ardhshme edhe një protestë në kërkim të përmbushjes së kërkesave të qeverisë.

XS
SM
MD
LG