Ndërlidhjet

QEVERIA E KOSOVËS E GATSHME TË NËNSHKRUAJË PROTOKOLLIN E MARRËVESHJES PËR KTHIM TË QËNDRUESHËM TË TË ZHVENDOSURVE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Grupet teknike të Kosovës dhe të Serbisë tashmë e kanë përfunduar protokollin e përbashkët të marrëveshjes për kthimin e qëndrueshëm të të zhvendosurve, ndërkohë që pritet vetëm nënshkrimi i tij nga kryeministri i Kosovës dhe ai i Serbisë, ka thënë sot për Evropën e Lirë, Ministri i Pushtetit Lokal në qeverinë e Kosovës, Lutfi Haziri, i cili njëkohësisht kryeson grupin për përmbushjen e standardit për kthim dhe liri të lëvizjes. Ministri Haziri tha se grupet teknike në nivel të qeverive kanë punuar gjatë verës në protokollin e përbashkët për kthim të qëndrueshëm:
"Ka përfunduar drafti i përbashkët i hartuar në nivel të grupeve teknike dhe tash pritet të realizohet, apo të vihen firmat e shefave të qeverive, që ka të bëjë formalizimin e këtij protokolli."
Ministri i Pushtetit Lokal në qeverinë e Kosovës, Lutfi Haziri tha se ky protokoll përcakton kushtet e zgjidhjes së problemit të të zhvendosurve dhe refugjatëve, përcakton mënyrën se si identifikohen ata, cilit vend i takojnë, cili është vendbanimi i tyre i origjinës. Ministri Haziri tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje, për çka qeveria e Kosovës është plotësisht e gatshme, do të eliminonte çdo mundësi të manipulimit me refugjatët:
"Ne kemi dëshiruar ta eliminojmë çdo formë të manipulimit me këtë komunitet fatkeq, i cili tash e gjashtë vjet jeton i shpërngulur jashtë shtëpive të tyre, qoftë brenda apo jashtë Kosovës dhe kjo nga të gjitha komunitetet, edhe shqiptarët në veri, edhe serbët në brendi të Kosovës dhe në juglindje dhe kjo duhet të përfundohet".
Ministri Haziri tha se marrëveshje të tilla janë iniciuar dhe janë para realizimit edhe me Malin e Zi dhe me Maqedoninë, në mënyrë që çështjet e hapura në kuptimin e zgjidhjes së problemeve të formalizohen sa më shpejt.
Megjithatë, sipas ministrit Haziri, kjo marrëveshje nuk prek parimet themelore të deklaruara të qeverisë së Kosovës që kthimi të jetë individual dhe vullnetar:
"Nuk është prekur asnjë parim i mëhershëm i kornizës strategjike të qeverisë së Kosovës për kthim të qëndrueshëm. Parimet janë të njohura, mbi bazë të parimeve të akteve ndërkombëtare, që kthimi nuk mund të jetë politikisht i manipuluar dhe masiv – kthimi bëhet në bazë individuale dhe si angazhim humanitar për të zgjidhur problemin e tyre".
Sipas të dhënave të Komisariatit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët në Kosovë, që është edhe një nga sponsorët e këtij protokolli, rreth 100 mijë pjesëtarë të komunitetit serb nga Kosova jetojnë të zhvendosur në Serbi, ndërkohë që qindra të tjerë jetojnë të zhvendosur brenda Kosovës, kryesisht të përqendruar nëpër enklava. Mirëpo, zyrtarët e qeverisë së Kosovës tërheqin vërejtjen se edhe disa mijëra shqiptarë nga pjesa veriore e Mitrovicës jetojnë si refugjatë në pjesën jugore të Mitrovicës dhe në qytete të tjera të Kosovës.
XS
SM
MD
LG