Ndërlidhjet

SHKUP


"Shqipëria mbështet çdo zgjidhje të statusit të Kosovës, për të cilën do të vendosin qytetarët e Kosovës në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare, që qytetarët e Kosovës në mënyrë të përsëritur janë shprehur për pavarësinë e tyre" tha gjatë vizitës në Maqedoni, kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha. Sipas tij, Shqipëria insiston në garantimin e të gjitha lirive dhe të drejtave të serbëve dhe të minoriteteve të tjera në Kosovë.
"Shqipëria e konsideron dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit si një faktor të domosdoshëm për statusin, për problemet e tjera, në mënyrë që këto dy vende të hapin një kapitull të ri të bashkëpunimit miqësor ndërmjet tyre" tha gjithashtu Berisha.
Kryeministri i Maqedonisë, Vlado Buçkovski ndërkaq, tha se është shumë e rëndësishme që të përforcohet parimi themelor se çfarëdo zgjidhje e statusit, e cila do të çojë drejtë pavarësisë së Kosovës, nuk duhet të shkaktojë ndryshime të kufijve.
Gjatë takimit me kryeministrin e Maqedonisë, Berisha poashtu e vlerësoi pozitivisht jetësimin e marrëveshjes së Ohrit dhe tha se do të intensifikohet bashkëpunimi dypalësh në fushën ekonomike dhe në përpjekjet e përbashkëta për integrim në strukturat evro-atlantike.
Gjatë vizitës në Maqedoni kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha u takua edhe me përfaqësuesit e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Partisë Demokratike Shqiptare.
XS
SM
MD
LG