Ndërlidhjet

KËSHILLI I SIGURIMIT DISKUTON HAPJEN E BISEDIMEVE PËR STATUSIN E KOSOVËS


Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka dhënë dritën e gjelbër për fillimin e bisedimeve kushtuar statusit të Kosovës. Deklaratën për fillimin e bisedimeve e ka bërë të ditur ambasadori rumun, Mihnea Motoc, i cili me këtë rast ka thënë se "Këshilli mbështet synimin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për të filluar procesin politik për të vendosur statusin e ardhshëm të Kosovës, ashtu siç parashihet edhe në rezolutën 1244 të vitit 1999".
Ndërkaq gjatë ditës, Këshilli i Sigurimit ka diskutuar për Kosovën, duke u përqëndruar tek hapja e bisedimeve për statusin. Takimi, i cili u zhvillua në dy pjesë, ka pasur pjesën e parë të hapur për publikun dhe pjesa e dytë, ajo e vendimmarrjes, ka qenë e mbyllur.
Në hapje të seancës ambasadori rumun, në cilësinë e kryesuesit të radhës të Këshillit të Sigurimit, i dha fjalën të dërguarit të Kofi Ananit për vlerësimin e gjendjes në Kosovë, ambasadorit Kai Eide. Ashtu dhe siç kishte rekomanduar në raportin e tij, Eide ka përsëritur se duhen hapur bisedimet për statusin e Kosovës.
"Sinqerisht besoj se ka ardhur koha të fillojmë proçesin e statusit të ardhshëm. Që nga viti i kaluar një proçes politik po zhvillohet në Kosovë, i nxitur nga një angazhim ndërkombëtar dinamik. Ky proçes nuk mund të ndërpritet apo të pengohet. Duke qenë se kemi lëvizur nga vendnumërimi nuk mund të lejojmë të kthehemi sërish atje", ka theksuar ambasadori Eide, duke përsëritur qëndrimet tashmë të bëra të njohura dhe nga raporti i tij. Të njëjtin qëndrim si ambasadori Eide ka pasur dhe shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen.
"Pa qartësi në çështjen e statusit përparimi do jetë i kufizuar", tha Jessen Petersen. Më tej ai ka shtuar se mungesa e statusit ka ndikuar negativisht në zhvillimin ekonomik e veçanërisht në tërheqjen e investimeve. Mungesa e zhvillimit ekonomik, sipas shefit të UNMIK-ut, pengon dhe proçesin e pajtimit ndëretnik në Kosovë. Më tej kreu i administratës ndërkombëtare në Kosovë ka folur për përparësitë e misionit që drejton, si dhe reformat që planifikohen të bëhen në UNMIK. Në këtë linjë duke folur për çështjet e sigurisë Jessen Petersen tha:
"Ne do vazhdojmë të kemi një agjendë gjithpërfshirëse në fushën e sigurisë, përfshi dhe kalimin e përgjegjësive nga UNMIK-u tek dy ministritë e reja, atë të rendit publik dhe ministrinë e drejtësisë, deri në fund të vitit", tha shefi i UNMIK-ut, duke nënvizuar se do merren të gjitha masat që ministritë përkatëse të mos politizohen. Njëherësh Jessen Petersen ka bërë të ditur se po punohet në hartimin e një raporti të përgjithshëm për të gjitha sektorët e sigurisë. Duke folur për të ardhmen e pranisë ndërkombëtare në Kosovë Jessen Petersen ka veçuar:
"Në të njëjtën kohë ne po bashkëpunojmë me partnerët tanë ndërkombëtarë siç është Bashkimi Evropian, OSBE-ja dhe NATO-ja që të zhvillojmë një tranzicion me faza dhe të menaxhuar mirë pas përcaktimit të statusit, por pa e paragjykuar atë", tha Jessen Petersen.
Por në dallim nga qëndrimet e shefit të UNMIK-ut dhe ambasadorit Eide për të mos paragjykuar statusin e ardhshëm të Kosovës ka qenë pozicioni i kryeministrit serb Vojisllav Koshtunica. Ai ka theksuar se vendi i tij merr të gjitha përgjegjësitë për t'i dhënë Kosovës autonomi.
"Ne jemi të angazhuar për një zgjidhje kompromisi dhe të vullnetshëm për t'i dhënë një autonomi substanciale Kosovës dhe Metohisë, si pjesë e Bashkësisë Shtetërore Serbi e Mal i Zi.", ka thënë Koshtunica, i cili qe në këtë takim në cilësinë e të ftuarit, pas kërkesës së tij, kur dihet se Unioni Serbi Mali i Zi nuk është anëtar i Këshillit të Sigurimit.

XS
SM
MD
LG