Ndërlidhjet

PARTITË OPOZITARE PËRSHËNDESIN VENDIMIN PËR FILLIMIN E BISEDIMEVE PËR STATUSIN E KOSOVËS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Partitë opozitare kanë përshëndetur vendimin e djeshëm në Këshillin e Sigurimit për hapjen e procesit të bisedimeve për statusin e Kosovës, ndërkohë që i kanë shprehur dhe shqetësimet e tyre për përgatitjet e ngadalëshme të palës kosovare për këto bisedime.
Zyrtari i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj thotë se vendimi i djeshëm shënon fundin e misionit civil administrues në Kosovë dhe hap rrugën për zgjidhjen e statusit të Kosovës.
"Takimi i djeshëm i Këshillit të Sigurimit ka qenë i një rëndësie historike, që shënon edhe fundin e një misioni siç ka qenë UNMIK-u pa mandat të qartë dhe pa afat kohor, dhe fillimin e procesit për përcaktimin e të ardhmes së Kosovës."
Në anën tjetër partia e dytë opozitare Ora vlerëson se një vendim i tillë i Këshillit të Sigurimit ishte i pritur. Zëdhënësi i kësaj partie, Ylli Hoxha thotë se është për t'u përshëndetur qasja e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës.
"Ka qenë një vendim i pritur, një konsensus i ndërtuar me kohë nga bashkësia ndërkombëtare. Është për t'u përshëndetur iniciativa për fillimin e bisedimeve dhe është për t'u përshëndetur edhe tempo e shpejtë e qasjes ndaj këtij problemi nga e bashkësisë ndërkombëtare."
Mirëpo krahas mirëpritjes së vendimit të Këshillit të Sigurimit, opozita konsideron se pala kosovare po tregohet e ngathët që t'i fillojë bisedimet që nga nëntori, siç është paralajmëruar dje nga Nju Jorku.
Enver Hoxhaj, nga subjekti më i madh opozitar PDK-ja mendon se në Prishtinë ka një qëndrim unik për statusin, por ende duhet shumë punë për të bërë që ajo të jetë e përgatitur për këto bisedime.
"Pala kosovare ka një qëndrim të qartë rreth asaj se si do të duhej të dukej ardhmëria e Kosovës, mirëpo aktualisht mbetet shumë punë për të bërë në substancë dhe që ne duhet ta kemi një vizion shumë të detajshëm rreth shtet ndërtimit në të cilin po hyn Kosova."
Ndërkohë Ylli Hoxha nga partia Ora, shpreh shqetësimet e tij për pasivitetin e palës kosovare në procesin përgatitor për statusin.
"Pala kosovare ka ngathtësi të jashtëzakonshme, është tepër i ngadalshëm procesi i përgatitjes për bisedime. Konsiderojmë se është për brengë kjo situatë dhe shpresojmë që do të kemi impulse të reja, të cilat do të mund të përshpejtojnë procesin dhe të mund të zvogëlojnë këtë dallim me rritmin e caktuar nga bashkësia ndërkombëtare."
Sidoqoftë pala kosovare tashmë ka përcaktuar grupin punues për bisedimet, i cili sipas paralajmërimeve do të thirret nga presidenti Ibrahim Rugova që të mblidhet gjatë kësaj jave, për t'i shqyrtuar hapat e mëtejmë të Prishtinës, sipas vendimit të djeshëm të Këshillit të Sigurimit.




XS
SM
MD
LG