Ndërlidhjet

KOSOVA PËRFSHIHET NË MARRËVESHJEN PËR ENERGJI TË EVROPËS JUGLINDORE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Nënshkrimi i Traktatit për Energjinë ndërmjet vendeve të Evropës juglindore përfshirë edhe Kosovën, që mundëson kombinim pa taksa të energjisë elektrike, si dhe qasja e barabartë në tregun rajonal të energjisë elektrike, është moment i rëndësishëm për ekonominë e Kosovës, thanë sot për Evropën e Lirë, zyrtarë të qeverisë së Kosovës dhe të shtyllës së katër të UNMIK-ut. Këto komente zyrtarët i kanë bërë sot, pasi në Athinë është nënshkruar traktati për energjinë elektrike i vendeve të Evropës juglindore. Zëdhënësja e shtyllës së katër të UNMIK-ut, Mechtilde Henneke tha se kjo marrëveshje krijon një mekanizëm rregullator të këmbimit të energjisë në rajon:
"Traktati mbi energjinë që po nënshkruhet sot nga vendet e Evropës juglindore është me rëndësi të madhe, pasi krijon një kornizë unike rregullatore, për shkëmbimin e energjisë përtej kufijve," tha zëdhënësja Henneke, ndërkohë që Agron Dida, këshilltar i parë i Ministrit të Energjetikës, Ethem Çeku, tha se kjo është një ditë e lumtur për Kosovën:
"Ky është një traktat jashtëzakonisht i rëndësishëm për Kosovën, kjo është një ditë e lumtur për Kosovën, për arsye se me këtë traktat ne më së pari jemi pjesëmarrës të barabartë në treg dhe jemi në gjendje tash të komunikojmë dhe të bëjmë këmbimin e energjisë në baza të barabarta, pa diskriminim", tha zoti Dida, duke e quajtur privilegj faktin që Kosova hyn në këtë marrëveshje si vendi më i vogël i rajonit. Ndërkaq, zëdhënësja Henneke tha se kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme edhe për Kosovën, pasi energjia është kusht i rëndësisë thelbësore për një ekonomi të qëndrueshme, punësim dhe çështje të tjera, ndërsa ky traktat e ndihmon gjithë rajonin që të bashkëpunojë më mirë ndërmjet vete, tha Mechtilde Henneke.
Zoti Dida, ndërkaq tha se Kosova ka përfitime të shumta nga ky traktat:
"Përfitimet janë të shumta, por mbi të gjitha është që të jemi akterë të barabartë në treg, nuk do të jemi të diskriminuar dhe kjo është numër një. Gjithashtu mund të presim më shumë investime dhe jemi një hap përpara drejt plotësimit të standardeve për Evropën, d.m.th. çështjen e tregut të lirë të energjisë.
Kjo marrëveshje ka rëndësi të veçantë sidomos kur dihen telashet që ka pasur Kosova gjatë viteve të fundit për shkak të rritjes së shpenzimeve të energjisë elektrike nga njëra anë dhe kapaciteteve të pamjaftueshme të prodhimit të energjisë elektrike, ndërkohë që importi nga vendet e tjera përballej me vështirësi të tjera shtesë.
Marrëveshja e nënshkruar sot ofron në kapitullin e dytë, ndalesë të taksave doganore dhe të kufizimeve të sasisë së rrymës së eksportuar dhe të importuar, si dhe të masave të tjera që kanë efekte të tilla, tha zëdhënësja Henneke:
"Kjo ndalesë ka të bëjë edhe me taksat doganore, të natyrës fiskale, që do të thotë se nuk do të ketë taksa doganore për rrymën e importuar," tha zëdhënësja Henneke. Kriza energjetike në Kosovë ka qenë e vazhdueshme në vitet e fundit dhe edhe kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi javën e shkuar, pati shprehur pakënaqësi lidhur me situatën energjetike, duke thënë se kërkesat për mirëkuptim drejtuar qytetarëve tashmë ishin të tepërta, por zyrtarët e UNMIK-ut sërish u kanë bërë thirrje qytetarëve që të paguajnë faturat e energjisë elektrike të shpenzuar, si mënyra e vetme për të siguruar vazhdimësi të furnizimit me rrymë.
XS
SM
MD
LG