Ndërlidhjet

KRYEMINISTRI KOSUMI E VLERËSOI SI HISTORIK VENDIMIN E KËSHILLIT TË SIGURIMIT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Vendimi i Këshillit të Sigurimit për fillimin e bisedimeve për zgjidhjen e statusit të Kosovës, vazhdon të përgëzohet nga i gjithë spektri politik i Kosovës. Duke e vlerësuar këtë si një vendim historik, kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi, menjëherë pas kthimit nga vizita një ditore që i bëri Tiranës, tha se me këtë vendim, përfundimisht po hapet faza e zgjidhjes së statusit të Kosovës, duke shprehur bindjen e tij se ky status do të zgjidhet drejtë, konform vullnetit të qytetarëve të Kosovës.
“Ne de fakto, edhe praktikisht, po hyjmë në periudhën më të rëndësishme të përmbylljes së procesit të bërjes së shtetit të Kosovës, dhe meqenëse bërja e shtetit të Kosovës nuk është më vetëm projekt i popullit të Kosovës, por është një interes për stabilitet për paqe në rajon e më gjerë, atëherë ne duhet t’i koordinojmë veprimet dhe ndihmojmë këtë proces”, tha Kosumi.
Kryeministri Kosumi u zotua në emër të qeverisë së tij se ekzekutivi dhe institucionet e Kosovës janë të gatshme t’i marin jo vetëm përgjegjësitë, por edhe t’i ofrojnë të gjitha garancat për pakicat në Kosovë.
Ndërkohë edhe lideri i opozitës, Hashim Thaçi e ka përshëndetur vendimin e Këshillit të Sigurimit për hapjen e procesit të diskutimeve për statusin e Kosovës, duke besuar se këto negociata do të rezultojnë me pavarësinë e Kosovës:
“Procesi i statusit duhet të çojë drejt fundit të paqartësisë politike, duke i mbyllur të gjitha dilemat që rëndojnë mbi Kosovën dhe vendet e rajonit.
Institucionet dhe qytetarët e Kosovës kanë vetëm një zgjidhje për statusin e tyre, shtetin e pavarur dhe sovran”, theksoi Thaçi.
Ndërsa Grupi Negociator pret që të mblidhet brenda javës për t’i shqyrtuar hapat në vijim të Prishtinës pas vendimit të Këshillit të Sigurimit, kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi kërkoi edhe sot, që Kuvendi i Kosovës të marrë rolin që i takon në procesin negociator dhe ta miratojë rezolutën e propozuar për rikonfirmimin e vullnetit të popullit të Kosovës për shtet të pavarur e sovran. Kjo rezolutë, tha Thaçi, duhet të jetë pikënisje e Prishtinës dhe Grupit Negociator për bisedimet e ardhshme për statusin:
“Një rezolutë që do të rikonfirmonte vullnetin e popullit të Kosovës për shtet të pavarur e sovran, që vullneti i qytetarëve të Kosovës të jetë i panegociueshëm dhe të njëjtën kohë që çdo marrëveshje me bashkësinë ndërkombëtare të ratifikohet përmes parlamentit apo nëpërmjet referendumit”, tha Thaçi.
Ndërsa vendimi i Këshillit të Sigurimit është pritur me entuziazëm në Prishtinë, pritet që pala kosovare t’i intensifikojë dhe përgatitjet e saj për bisedime.

XS
SM
MD
LG