Ndërlidhjet

logo-print

KASSOF:"PËR FATIN E KOSOVËS VENDOSË BASHKËSIA NDËRKOMBËTARE"


Alan KASSOF, këshilltar i lartë i Projektit për Marrëdhënje Etnike/SHBA/

RADIO EVROPA E LIRË
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mori vendimin për fillimin e bisedimeve për statusin final të Kosovës. Si e vlerësoni ju këtë hap?

ALLEN H. KASSOF
Është një moment shumë i rëndësishëm historik, që radhitet menjëherë pas Luftës së vitit 1999 dhe vënjes së kontrollit të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë. Pra, ky është vërtetë një hap i ardhshëm i madh që do t'i konfirmoj disa ndryshime të mëhershme që ndodhën në rajon. Nuk e dimë saktësisht se çfarë forme kjo do të marrë. Diplomatët kanë qenë shumë të kujdesshëm që të mos flasin për statusin final, por është e qartë se do të jetë së paku ndonjë formë e pavarësisë së kushtëzuar dhe, sipas meje, brenda një periudhe afatgjate, kjo praktikisht do të thotë pavarësi për Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa do të zgjasë kjo, sipas jush?

ALLEN H. KASSOF
Është vështirë të thuhet. Këtë do ta dijmë në periudhen brenda 6 deri 12 muajve. Kam një ndjenjë të fuqishme se aktorët kryesorë ndërkombëtarë në esencë janë të vendosur për ta zgjidhur këtë çështje. Ata tash po lëvizin ngadalë, para se gjithash, për shkak të vështirësive praktike lidhur me statusin, pastaj për shkak të ndjeshmërisë së kësaj çështjeje në Beograd, por edhe për shkak të dallimeve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Mendoj, poashtu, se ajo që bëri Bashkësia ndërkombëtare ishte një e arritur e konsiderueshme. Këtë e them duke pasur parasysh historinë e intervenimeve pas luftërave. Kjo funksionoi në vitin '99, për të parandaluar përzënien e mëtejshme të shqiptarëve nga Kosova dhe për t'i mbrojtur ata nga regjimi i Millosheviqit. Njëherësh, Bashkësia ndërkombëtare, më herët, e humbi rastin që të krijoi një lloj dialogu ndërmjet Prishtinës e Beogradit, që ndoshta do ta lehtësonte situatën. Tash ajo ballafaqohet me këto konsekuenca dhe thjeshtë duhet ta gjejnë zgjidhjen më të mirë që munden.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka pasur raporte nga Nju Jorku se këto negociata do të jenë shumë të vështira. Në cilën formë do të udhëhiqen këto negociata?

ALLEN H. KASSOF
Duket qartë se këto vendime do të merren nga bashkësia ndërkombëtare. Mundësia për dialog të drejtëpërdrejtë ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës mendoj se ishte humbur shumë herët. Në këtë aspekt po e përmendi një shembull. Në vitin 2000 Projekti për Marrëdhënie Etnike e mbajti një takim në Athinë, ku ishte i pranishëm zoti Rugova dhe Zoran Zhivkoviq nga Beogradi, që atëherë ishte ministër i brendshëm dhe ai transmetonte mesazhin nga Vojisllav Koshtunica, që ishte president. Në këtë mesazh thuhej se Beogradi ishte i gatshëm për bisedime me Prishtinën, jodomosdoshmërisht, për ta zgjidhur statusin final, por për t'i ridefinuar marrëdhëniet. Në atë kohë, zoti Kushner, që ishte kryeadministrator i Kosovës, tha se pala shqiptare nuk ishte e gatshme për bisedime të këtilla. Mendoj se nëse do të kishte pasur mundësi për kontakte të drejtëpërdrejta të Prishtinës dhe Beogradit, ndoshta tensionet do të ishin zbutur. Tash, pas disa vitesh, kur secila palë ka forcuar pozicionet, mundësia për çfarëdo dialogu të drejtëpërdrejtë duket shumë më pak reale. Pra, tash, po ballafaqohemi me këtë situatë. Rrjedhimisht, pasi nuk ka zgjidhje potenciale nga bisedat e drejtëpëdrejta, realisht, kjo duhet të bëhet nga bashkësia ndërkombëtare. Në fund do të ketë pakënaqësi nga të gjitha anët.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, kush do të vendosë në fund për statusin final të Kosovës?

ALLEN H. KASSOF
Mendoj se këtë do ta bëjnë fuqitë që aktualisht janë të përfshira në Këshillin e Sigurimit. Sigurisht se kjo nuk do të vendoset nga vetë pjesëmarrësit në bisedime, pra nga Prishtina ose Beogradi. Vendimi do të merret nga fuqitë e jashtme.

Intervistoi: Fatmir BUJUPI

XS
SM
MD
LG