Ndërlidhjet

A KA DALË KOSOVA NGA PAQARTËSIA?


Stratfor

Kosova është e mbështjellë me një mjerim ekonomik dhe status të paqartë politik tash e gjashtë vjet me rradhë, por tani Kombet e Bashkuara duket se janë të gatshme të pranojnë faktin se situata nuk mund të përmirësohet, prandaj është më mirë të mundësojnë ecjen përpara. Prej përfundimit të luftës, Kosova me një varfëri të lartë dhe amulli ligjore, është administruar nga Kombet e Bashkuara, por teknikisht vazhdon të jetë pjesë e një unioni gjithashtu të dyshimtë midis Serbisë dhe Malit të Zi, për të cilat, për shkaqe praktike, mund të thuhet se tashmë janë të pavarura mes vete. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, ka thënë se rezultati i bisedimeve duhet të jetë ose pavarësia ose një autonomi e zgjeruar, që me fjalë të tjera do të çonte drejt pavarësisë. Në atmosferën politike në Beograd, një qasje e këtillë, nuk është mirëpritur edhe aq. Serbia, përveç se nuk dëshiron të heqë dorë nga Kosova, ka edhe një qeveri nacionaliste, ndërkaq shumicën në Kuvend e mban Partia Radikale, dikur anëtare e koalicionit qeverisës të Slobodan Millosheviqit. Shqiptarët në anën tjetër janë më të vendosur se kurrë më parë në synimet e tyre për arritjen e pavarësisë. Për ta zgjidhur statusin përfundimtar të Kosovës, njëra palë do të humbë jashtëzakonisht shumë. Por, pse atëherë duhet zgjidhur çështja e statusit pikërisht tani? Në rradhë të parë, të huajt kanë humbur interesimin e tyre. Administrata amerikane e zotit Bush, jo vetëm që situatën në Kosovë e konsideron si mbetje të një lufte të një presidenti tjetër, por edhe vetë Ballkani ka qenë çështje e largët dytësore pas luftës mbi terrorizmin. Sulmet terroriste të 11 shtatorit kanë garantuar se Ëashingtoni gjithmonë do të ndjejë se ka një peshk më të madh për të fërguar, prandaj nevoja për të larë duart dhe për ta hequr qafe lëmshin është më se e qartë.
Sa për Bashkimin Evropian, ky institucion jo vetëm që ka humbur interesimin, por edhe kapacitetin. Bashkimi Evropian përballet me një krizë institucionale rreth mbijetesës në të ardhmen, veçanërisht pas pikëpyetjeve që kanë dalë në shesh gjatë referendumit në Francë.
Por, mbase më e rëndësishmja nga të gjitha është gjendja faktike në Ballkan. Mali i Zi planifikon të mbajë referendumin mbi pavarësinë gjatë katër mujorit të parë të vitit të ardhshëm. Bashkimi Evropian, i cili ka detyruar krijimin e unionit Serbi-Mali i Zi, ka kërkuar nga Podgorica të heqë dorë nga referendumi, por duke mos ofruar asnjë përfitim. Prandaj, është pothuajse e sigurtë se votimi për pavarësinë do të mbahet pranverën e ardhshme. Dhe kur një gjë e këtillë ndodhë, do të ishte budallallëk për Kombet e Bashkuara t’ua mohojnë të drejtën e votës së ngjashme edhe shqiptarëve në Kosovë.
XS
SM
MD
LG