Ndërlidhjet

logo-print

NATO E GATSHME T'I PËRGJIGJET ATYRE QË VËNË NË RREZIK TË ARDHMEN E KOSOVËS


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

NATO-ja është e gatshme dhe e vendosur që t’u përgjigjet të gjithë atyre që provojnë ta përdorin dhunën për ta rrezikuar të ardhmen e Kosovës, kanë thënë sot në Prishtinë, drejtues të Komitetit Ushtarak të NATO-s. Këto komente zyrtarët e NATO-s i kanë bërë sot në fund të vizitës dyditëshe Kosovës, me ç’ rast kanë takuar drejtuesit e forcës paqeruajtëse KFOR, si dhe përfaqësues të Trupave të Mbrojtjes së Kosovës. Kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, gjenerali, Raymond Henault tha se KFOR-i është i vendosur për ruajtjen e një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës. Prandaj, tha gjenerali Henault, nuk do të tolerohet asnjë veprim që do ta rrezikonte stabilitetin gjatë procesit të bisedimeve për statusin:
"Dua t’iu them të gjithë atyre që do të provonin ta rrezikojnë ardhmërinë e Kosovës përmes kërcënimeve dhe përdorimit të dhunës, se KFOR-i është i vendosur, i pajisur mirë dhe i aftë që t’i ndërmarrë masat e nevojshme, për t’i parandaluar problemet e mundshme dhe të përgjigjet në rast të kërcënimit të qetësisë dhe sigurisë së ambientit,"tha gjenerali Henault.
Duke folur për rrezikun nga disa grupe të armatosura të cilat janë shfaqur kohëve të fundit në Kosovë, gjenerali Henault tha se KFOR-i nuk i njeh ato struktura, të cilat përbëjnë kërcënim për paqen dhe stabilitetin:
"Ekzistojnë disa elementë ndoshta, të cilët nuk janë legjitim, por ata janë të paktë në numër dhe ne nuk i njohim. Është e qartë që ata përbëjnë kërcënim për paqen dhe sigurinë, por KFOR-i është këtu për t’i ndërmarrë masat e nevojshme, nëse ka probleme në këtë aspekt," tha kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, gjenerali Raymond Henault.
Ndërkaq, komandanti i KFOR-it, gjenerali Giussepe Valotto, tha se janë duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet ndërkombëtare dhe ato vendore, në mënyrë që të garantojnë qetësi dhe stabilitet në Kosovë:
"KFOR-i vazhdon të ofrojë një ambient të qetë e të sigurt, dhe bashkëpunon ngushtë me të gjitha institucionet ndërkombëtare e vendore për ta garantuar këtë," tha komandanti i KFOR-it, gjenerali Giussepe Valotto, për të shtuar se bashkësia ndërkombëtare dhe qytetarët e Kosovës, civilë dhe ushtarë të KFOR-it, janë duke punuar me përkushtim të madh, sidomos në këtë fazë, për të ardhmen e Kosovës.
26 anëtarë të Komitetit Ushtarak të NATO-s kanë ardhur dje për një vizitë dyditëshe në Kosovë, ndërkaq sot paradite ata e kanë vizituar Shtabin e Përgjithshëm të Trupave të Mbrojtjes së Kosovës. Gjenerali Henault u shpreh i kënaqur me arritjet e TMK-së, dhe për këtë e ka përgëzuar edhe gjeneral Agim Çekun.

XS
SM
MD
LG