Ndërlidhjet

PETERSEN KËRKON REZOLUTË PARA BISEDIMEVE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Në prag të takimit të nesërm të grupit negociator për statusin, shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen-Petersen i ka bërë thirrje udhëheqjes së Kosovës që të jetë jo vetëm e përgatitur, por edhe e gatshme për fillimin e bisedimeve. Ai ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës ta miratojë rezolutën e propozuar tashmë prej një kohe të gjatë, në mënyrë që edhe Kuvendi ta marrë rolin që i takon në procesin e bisedimeve. Këto komente, Jessen-Petersen i ka bërë pas takimeve të ndara që zhvilloi me presidentin Ibrahim Rugova dhe kryetarin e Kuvendit Nexhat Daci.
Grupi negociator tani duhet të jetë gati për bisedime dhe Kosova duhet të dëshmojë para botës se çfarë statusi dhe çfarë të ardhme do të ndërtojë dhe këtu nuk ka dyshime që kjo duhet të jetë Kosovë shumë-etnike dhe demokratike, e bazuar në sundimin e ligjit, tha shefi i UNMIK-ut, i cili kësaj radhe kërkoi që Kuvendi të mos mbetet indiferent ndaj procesit negociator:
“Mendoj se do të jetë mirë që ta kemi një takim të shpejt të Kuvendit dhe ta kemi një rezolutë të mirë e të qartë që do ta udhëzojë ekipin negociator, i cili e di mirë qëllimin e vet, por mendoj se edhe Kuvendi duhet ta luajë rolin e vet në procesin e bisedimeve”, theksoi kryeadministratori Petersen.
Në anën tjetër, presidenti Ibrahim Rugova tha se i sheh bisedimet si proces përfundimtar të bërjes së shtetit të Kosovës. Ai tha se e ka ftuar takimin e nesërm të grupit negociator, dhe pret që “pesëshja negociatore” dhe koordinatori i grupit të ekspertëve të marrin pjesë:
“Unë i kam ftuar të gjithë dhe pres të marrin pjesë. Por, unë do ta mbaj takimin erdhën apo nuk erdhën. E kemi bërë pak si mit këtë punën e bashkimit edhe në Kosovë, por në përgjithësi ne shqiptarët. Unë kam folur disa herë për këtë çështje. Pra, unë e them një unitet dhe të bashkuar në mënyrë demokratike, do të thotë kemi pushtetin legjitim në Kosovë, ndërsa unë kam shprehur dëshirën dhe kam bërë hapa që të jetë edhe opozita me ne në këtë moment të rëndësishëm”, theksoi presidenti i Kosovës.
Rugova tha se në agjendën e takimit të nesërm do të jenë çështjet teknike përgatitore për bisedime si dhe kompletimi i ekipit të ekspertëve. Ndërkaq kryetari i Kuvendit, Nexhat Daci tha se rezoluta do të miratohet, por sipas tij, partitë politike duhet t’i ndërpresin lodrat politike dhe të miratojnë atë tekst të rezolutës për të cilin është pajtuar edhe Kuvendi:
“Rezoluta e propozuar nga PDK të mos jetë pjesë e lojës politike të individëve. Parlamenti është i përgatitur, prandaj partitë duhet t’i lënë mospajtimet e veta të brendshme, qoftë në LDK prej nga vij unë, qoftë në PDK. Tani është koha për të vepruar për Kosovën e jo për parti e individ”, tha Daci.
Ndërsa grupi negociator pritet të përcaktojë nesër hapat në vijim të Prishtinës deri në fillimin e bisedimeve, Jesen Petersen tha po ashtu se i ka njoftuar udhëheqësit e lartë kosovarë për takimin e Grupit të Kontaktit që do të mbahet më 2 nëntor në Uashington. Petersen tha se ai do ta përfaqësojë Kosovën në këtë takim, ku pritet të merren vendime të rëndësishme lidhur me bisedimet dhe pret që bashkë me të, të jetë dhe Marti Ahtisaari, si emisar i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës.

XS
SM
MD
LG