Ndërlidhjet

SERBËT ENDE TË PAVENDOSUR RRETH RRESHTIMIT GJATË BISEDIMEVE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Përfaqësues të serbëve të Kosovës e kanë përjashtuar mundësinë e pjesëmarrjes në bisedimet për statusin e Kosovës duke qenë pjesë e delegacionit të Kosovës, pasi qëndimet e tyre për të ardhmen e Kosovës janë të njëjta me ato të Beogradit dhe të kundërta me delegacionin e Prishtinës. Oliver Ivanoviq, udhëheqës i Listës Serbe për Kosovën e Metohinë, tha se arsyeja kryesore për të mos e parë veten pjesë të delegacionit kosovar është se platforma e tyre është e kundërt nga qëndrimet e serbëve të Kosovës:
"Serbët absolutisht nuk mund ta mbështesin atë koncept, ndërkohë që ekipi kosovar tashmë është formuar dhe aty nuk do të ketë ndryshime të mëdha, tha Ivanoviq. Për të është më me rëndësi të diskutohet nëse serbët e Kosovës duan të jenë pjesë e delegacionit të Beogradit, apo duan të kenë një delegacion të pavarur nga Prishtina dhe nga Beogradi. Ivanoviq është i sigurt se në fillim të bisedimeve, në fazën e “shuttle diplomacy”, serbët e Kosovës do të jenë një ekip i veçantë me të cilin do të bisedohet:
"Jam i bindur se në fazën e parë që do të zgjasë disa muaj, që njihet si “shuttle diplomacy”, serbët do të jenë të konsultuar dhe palë negociuese, që do të thotë do të jenë pala e dytë në Kosovë me të cilën negociohet," tha Ivanoviq, duke parashikuar se vetëm në fazën përfundimtare të bisedimeve, serbët e Kosovës mund t’i bashkohen delegacionit të Serbisë.
Mendim të ngjashëm ka shprehur edhe Rada Trajkoviq, udhëheqëse e Këshillit Nacional Serb. Sipas saj, arsyet për këtë janë:
"Arsyeja e parë është që qëndrimet e serbëve të Kosovës dhe projekti që ata përfaqësojnë janë të kundërta me projektin e shqiptarëve të Kosovës dhe vetë kjo e përjashton një pozicion unik të delegacionit kosovar në bisedime," tha Rada Trajkoviq, sipas të cilës arsyeja tjetër është se serbët e Kosovës kanë qëndrim krejtësisht të njëjtë me pozicionin e Beogradit, prandaj sipas saj është e natyrshme që ata të jenë pjesë e delegacionit që e promovon atë projekt të përbashkët.
Për zonjën Trajkoviq, është edhe një arsye tjetër që serbët e Kosovës të mos jenë në delegacionin e Prishtinës:
"Në delegacionin kosovar fatkeqësisht ne do të ishim një faktor pengues dhe madje, nga banorët e Kosovës do të mund të shiheshim si njerëz që e sabotojnë delegacionin, e që për pasojë do të mund të prodhonte pasiguri për serbët në Kosovë," tha zonja Trajkoviq.
Oliver Ivanoviq, ndërkaq tha se është e logjikshme që në delegacionin e Kosovës të jenë përfaqësuesit më të lartë të institucioneve dhe të partive politike:
"Askush nuk e vë në dyshim legjitimitetin e tyre për të biseduar, e në anën tjetër edhe partitë kryesore politike duhet të jenë të përfshira, kështu që unë nuk do të ndryshoja asgjë në përbërjen aktuale, pasi mendoj se është ekipi më i fortë i mundshëm," tha Ivanoviq, duke e vlerësuar delegacionin e emëruar nga presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova. Njëkohësisht, Ivanoviq ka thënë se edhe Beogradi duhet të veprojë në të njëjtën mënyrë.
Në anën tjetër, zonja Trajkoviq ka shprehur shqetësimin e saj për faktin që pikërisht në kohën kur po bëhen përgatitje për fillimin e bisedimeve në Kosovë, janë paraqitur grupe të armatosura, që e rrezikojnë sigurinë e njerëzve.

XS
SM
MD
LG