Ndërlidhjet

TAHIRI: KUVENDI DO MIRATOJË REZOLUTËN NË NDIHMË TË GRUPIT NEGOCIATOR


Thirrja e djeshme e shefit të UNMIK-ut që edhe Kuvendi i Kosovës të miratojë Rezolutën që do ta udhëzonte ekipin negociator në procesin e bisedimeve, do të mbështetet nga legjislativi i Kosovës. Në kabinetin e kryetarit të Kuvendit, Nexhat Daci, këshilltari i tij Ramush Tahiri, thotë se Kuvendi fillimisht e ka miratuar ekipin negociator të propozuar nga presidenti i Kosovës dhe tani pritet ta miratojë Rezolutën e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila do të rikonfirmonte vullnetin e popullit të Kosovës për shtet të pavarur e sovran.
“Kuvendi do të nxjerrë një Rezolutë me të cilën do t’i ndihmojë Grupit Negociator, të themi në parimet e platformës për punë, me të cilën thuhet se rikonfirmohet vullneti i popullit të Kosovës për shtet të pavarur e sovran. Gjithashtu thuhet se pavarësia është e panegociueshme dhe gjithashtu kërkohet që Kuvendi të ratifikojë dokumentet dhe të ndihmojë në bërjen e Referendumit për çështjet që janë të rëndësisë madhore”, tha Tahiri.
Kjo Rezolutë është propozuar nga opozita më 3 tetor dhe aprovuar në parim nga Kuvendi. Mirëpo pas punës shtesë në tekstin e saj, grupet parlamentare patën ndryshuar tekstin e saj, kështu që Kryesia e Kuvendit pati kërkuar harmonizimin e plotë të tekstit para se të mund të thirrej një seancë plenare për miratimin e saj. Ndërsa shqetësimet se kjo Rezolutë do të shkaktonte ndonjë reagim të paparashikueshëm të UNMIK-ut, gjegjësisht shefit të administratës ndërkombëtare, janë sqaruar dje, kur Petersen kërkoi nga Kuvendi miratimin e Rezolutës që do të ishte si udhëzim i ekipit negociator në procesin e bisedimeve, kështu që tani mbetet te spektri politik vendor të vendosë dhe arrijë konsensus për miratimin e kësaj Rezolute. Ramush Tahiri beson se partitë parlamentare do të jenë unike dhe do ta miratojnë Rezolutën e propozuar:
“Rezolutat që nxjerr Kuvendi nuk janë obligative, por kanë karakter deklarativ dhe konsiderohet se në Kuvend do të arrihet uniteti i të gjitha forcave politike. Kjo do t’i jepte një legjitimitet ekipit negociator për të qenë më i lirë në veprimet e veta dhe për të qenë më i autoritetshëm në prezantimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, theksoi Tahiri.
Pavarësisht fatit të Rezolutës, roli i Kuvendit të Kosovës në procesin e bisedimeve thuhet se do të jetë aktiv dhe vendimtarë, duke ratifikuar çdo marrëveshje eventuale gjatë procesit të bisedimeve, e nëse këtë nuk mund ta bëjë, parashihet thirrja e Referendumit.

Zijadin Gashi

XS
SM
MD
LG