Ndërlidhjet

MALIQI: PLASARITJET JANË TË MOTSHME


Shkëlzen Maliqi, analist

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Maliqi, në kuadrin e grupit negociator për statusin këto ditë janë vërejtur disa plasaritje, të cilat reflektohen edhe në deklaratat e shumta të anëtarëve të këtij grupi. Si i shihni ju këto plasaritje në kuadër të grupit negociator të Kosovës, i cili është quajtur " Ekipi i Unitetit"?

SHKËLZEN MALIQI
"Ekipi i unitetit" është vetëm formalisht për nga përfaqësimi dhe nga dekretimi i presidentit Rugova, që e ka bërë nga mesi i shtatorit. Mirëpo këto plasaritje janë të motshme. Që nga fillimi i procesit në maj, kur është ditur se në vjeshtë do të kemi fillimin e negociatave, kanë filluar këto luftërat konceptuale, edhe rreth prestigjit se kush do t'i kontrollojë në të vërtetë negociatat, kush do të jetë në krye të negociatave, ku janë plasaritur pozita me opozitën. Por edhe tani së voni i kemi plasaritjet edhe brenda pozitës, edhe brenda opozitës, pra njëfarë kalimi prej një tabani në një tjetër. Kështu e kemi kryeparlamentarin Daci, që tani kundërshton një vijë që e ka kryetari Rugova. Ndërkaq edhe nga ana tjetër në opozitë kemi një lloj çarje, sepse kryetari i Orës Veton Surroi, në njëfarë mënyre është më afër formulës së Rugovës, sesa e mbështet Thaçin, i cili e kushtëzon pjesëmarrjen në grupin negociator që nga fillimi; fillimisht me ristrukturimin e qeverisë, e më së voni edhe me aprovimin e rezolutës për pavarësi.

RADIO EVROPA E LIRË
Është thënë disa herë se roli i Kuvendit duhet të jetë jo vetëm aktiv, por edhe vendimmarrës. Sa do të mund t'i qetësonte këto përplasje aktivizimi i Kuvendit në procesin negociator?

SHKËLZEN MALIQI
Kuvendi është një vend ku është dashur që nga fillimi të krijohen parakushtet për tërë këtë proces. Por aty edhe ka qenë bllokadat. Sipas meje është dashur që të mendohet për një formulë të unitetit në negociata, natyrisht brenda konsultave parlamentare, ose të krijohet një qeveri e unitetit. Por nëse kjo nuk është e mundur, atëhere të ndahet puna e qeverisë prej krijimit të delegacionit për bisedime. Por kjo ka munguar. Dihet se parlamenti, Kuvendi ynë nuk punon me intensitet dhe është një instancë që më shumë i bllokon proceset, sesa shërben për zgjidhjen e problemeve. Sipas meje mungon marrëveshja bazë mes pozitës dhe opozitës vazhdimisht. Unë po e quaj këtë si " luftë të narcistëve", secili duhet të jetë i pari, kryesori dhe sidomos pas sëmundjes së Ibrahim Rugovës, ka dhe një lloj rivaliteti se kush do ta zëvendësojë, kush do të jetë pasardhësi i tij, që është e dëmshme në këtë moment.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke patur parasysh gjendjen aktuale në grupin negociator, në çfarë gjendje mendoni se do ta presë Kosova Marti Ahtisaarin, i cili është paralajmëruar se do të vijë brenda këtyre dy javëve në Kosovë.

SHKËLZEN MALIQI
Si zakonisht unë pres që momentin e fundit do të ketë edhe një lloj ndërhyrjeje të faktorëve ndërkombëtarë që veprojnë këtu, të ambasadave dhe të përfaqësive të huaja, sidomos ata të Grupit të Kontaktit, ndoshta edhe pas 2 nëntorit, kur mbahet edhe mbledhja e madhe e Grupit të Kontaktit që do të përcaktojë në njëfarë mënyre edhe kornizat e bisedave, për çfarë mund të bisedohet dhe për çfarë jo. Duhet pritur pas kësaj një presion ose një unifikim në momentet e fundit dhe gjetja e një formule kompromisi se si të procedohet. Besoj se edhe parlamenti ka gjasa që ta aprovojë njërën prej rezolutave, atë që është e pranueshme, edhe për kryeadministratorin, edhe për zyrat e huaja; që Kuvendi ta konfirmojë vullnetin e popullit për pavarësi si platformë negociuese dhe jo atë që Kuvendi ta shpallë pavarësinë. Atëhere edhe vetë bisedimet do të ishin të deplasuara dhe nuk do të kishin kuptim.

RADIO EVROPA E LIRË
Në kuadër të opsioneve që janë përmendur para fillimit të negociatave, është përmendur ai i pavarësisë së kushtëzuar. Ju e keni quajtur me një rast këtë si pavarësi të mbikqyrur. Prandaj cili është mendimi juaj rreth këtij opsioni?

SHKËLZEN MALIQI
Unë e kam vënë re se edhe faktorët ndërkombëtarë që e propozojnë këtë zgjidhje, ata sikur e kanë kuptuar se fjala kushtëzim në njëfarë mënyre ndikon keq tek shqiptarët, tek faktorët në terren që të keqkuptohet kjo dhe vetë termi pavarësi e kushtëzuar sikur sjell një zgjidhje të një sovraniteti ose të një pavarësie të cunguar dhe jo të plotë si zgjidhje të përhershme. Unë mendoj se ata nuk e kanë idenë e kufizimit të përhershëm, ose të pengimit të pavarësimit të Kosovës, por e kuptojnë atë në faza. Për atë shkak, tani kërkohen disa fjalë të tjera, pak më të buta dhe pak më kuptimplota ku mund të jetë edhe kjo e mbikqyrur. Pavarësi e mbikqyrur nënkupton një lloj kontrolli kohor të afatizuar për tre-pesë vjet në varësi të marrëveshjes, ku faktori ndërkombëtar atëhere nuk do të ishte më administrator i Kosovës. Të gjitha funksionet do të barteshin në institucionet vendore, në mbështetje të shtetit të Kosovës që do të formohej, por për një periudhë ndërkombëtarët do të rezervonin të drejtën që të kenë këtu praninë e forcave mbrojtëse të NATO-s, ose të ndonjë formule tjetër dhe të kenë formën e ndonjë zyre, e cila do të kontrollonte disa pjesë të marrëveshjes rreth të drejtave të pakicave dhe të gjitha ato që do të hyjnë në marrëveshjen për pavarësinë e Kosovës. Përfundimisht kjo nënkupton se Kosova do të jetë e pavarur nga Serbia, por do të jetë një periudhë, ashtu siç e shpjegoi dhe kryetari i Sllovenisë, Drnovshek, një periudhë të afatizuar 3-5 vjet, në të cilën pavarësia e Kosovës do të mbikqyret dhe pas asaj eventualisht Kosova do të bëhet plotësisht e pavarur dhe e denjë që të negociojë për anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, Bashkimin Evropian, Kombet e Bashkuara dhe instancat e tjera që aspiron të anëtarësohet çdo shtet i pavarur.

Intervistoi: Zijadin Gashi
XS
SM
MD
LG