Ndërlidhjet

BLERIM REKA: EKIPI NEGOCIATOR TË MOS IMPROVIZOJË


Blerim Reka, profesor i të drejtës ndërkombëtare

EVROPA E LIRË
Tashmë është hapur procesi për fillimin e bisedimeve për statusin përfundimtar. Cilat janë sfidat kryesore për institucionet vendore dhe ndërkombëtare në këtë proces?

BLERIM REKA
Fakti që u hap mundësia që të fillojnë negociatat për statusin e Kosovës nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së mund të merret si lajm progresiv që e shtyn procesin përpara. Kuptohet se me këtë nuk duhen bërë as paragjykime e aq më pak ekzagjerime të këtij hapi, sepse vetëm vendimi për hapjen e negociatave nuk do të thotë se u zgjidh statusi. Për institucionet e Kosovës kjo është një faqe e re, është një përgjegjësi shumë më e madhe, është një kompetencë më e madhe për t’iu qasur problemit dhe unë konsideroj se institucionet vendore e kanë kuptuar drejt fillimin e hapjes së negociatave dhe se do të përgatiten si është më së miri të përfundohet ky proces me objektivin, që e dëshirojmë.
Personalisht unë edhe më parë kam pasur dyshime në procesin negociator, duke pasur parasysh përvojat e deritashme të negociatave që i kemi pasur me Serbinë, si para luftës me ndërmjetësimin e Shën Egjidios, si gjatë luftës me procesin e dështuar në Rambuje, prandaj mendoj se na pret një punë shumë shumë e rëndë dhe një proces i ndërlikuar politik.

EVROPA E LIRË
Është thënë se i dërguar i posaçëm i OKB-së për statusin, do të fillojë një raund të "shuttle diplomacy" për të arritur deri te zgjidhja politike. A besoni se një strategji e tillë vërtet do të mund të arrijë deri te kjo zgjidhje?

BLERIM REKA
Fillimisht unë jam kundër negociatave bilaterale, që do të thotë se nuk shoh ndonjë përparim nëse shkojmë me negociata klasike Prishtinë-Beograd. "Shuttle diplomacia" e Ahtisaarit është treguar edhe në raste të tjera, këtu kam parasysh përvojën e tij të suksesshme në Namibi. Mirëpo personalisht mendoj se as negociatat bilaterale e as "shuttle diplomacia" nuk do të mund të prodhonin efekte pozitive. Në vend të kësaj unë mendoj se shumë më e efektshme do të ishte mbajtja e një konference ndërkombëtare multilaterale me akterët kryesorë vendimmarrës në botë, si bazë për përgatitjen e një rezolute të Këshillit të Sigurimit, që do të formalizonte pavarësinë, gjegjësisht do ta shpallte si produkt të kësaj konference pavarësinë e Kosovës. Me "shuttle diplomaci", me "shuttle negociata", apo edhe më keq me negociata bilaterale, unë mendoj se procesi do të zgjatej, do të tejzgjatej dhe faktikisht nga një status quo 6 vjeçar i mospërcaktimit të statusit brenda rezolutës 12 44, ne do të kishim një status quo të ri disavjeçar me vazhdimin e negocitave.

EVROPA E LIRË
Do të thotë ju mendoni se është i domosdoshëm bekimi i Këshilli i Sigurimit për statusin, dhe jo siç thuhet në disa qendra perëndimore që Grupi i Kontaktit të marrë ndonjë vendim pa bekimin e Këshillit të Sigurimit?

BLERIM REKA
Do të isha shumë i lumtur po të ndodhte kjo e dyta, por Grupi i Kontaktit është vetëm një grup joformal politik. Ndërkaq edhe me Kartën e OKB-së, i vetmi institucion ndërkombëtar, supranacional, që ka kompetencë të vendosë dhe të marrë vendime politike meritore është Këshilli i Sigurimit, sepse Grupi i Kontakti është një grup ad hoc që formohet për të trajtuar kriza të caktuara. Unë mendoj se madje do të nevojiten disa rezoluta deri në përcaktimin e statusit të Kosovës, por nuk dua të paragjykoj epilogun, nuk dua të paragjykoj se si do të rrjedhin negociatat. Unë vetëm dua të them se na pret një punë mjaft mjaft e vështirë.

EVROPA E LIRË
Si e komentoni opsionet që po qarkullojnë në opinion e veçanërisht ato që flasin për pavarësinë e kushtëzuar ?

BLERIM REKA
Po mirë ka pasur dhe do të ketë opsione, qofshin ato akademike, qofshin të qarqeve qeveritare apo të OJQ-ve. Duhet kuptuar se OJQ-të, universitetet, akademitë, institutet nuk mund të vendosin për statusin e një shteti. Meritore është që qytetarët e Kosovës të shprehin vullnetin dhe ata të jenë faktori vendosës për statusin e Kosovës.
Opsionet mund të merren si disa variante të mundshme, megjithatë më së paku për Kosovën mund të vendosë ai që nuk është apo ata që nuk janë të Kosovës. Dua të them se në vend të eksperimenteve që bëhen, formave hibride që shpiken çdo ditë , për Kosovën duhet aplikuar parimi universal që përfshihet edhe në Kartën e OKB-së, që është një prej instrumenteve të Këshillit të Sigurimit e të Asamblesë së Përgjithshme, e kjo është njohja e së drejtës për vetëvendosje edhe popullit të Kosovës, siç i është njohur edhe të gjithë popujve të tjerë.

EVROPA E LIRË
Në këtë rrafsh çfarë do të duhej të bënte ekipi negociator për statusin përfundimtar të Kosovës?

BLERIM REKA
Po ekipi neogociator sa shoh, aktualisht është konstituuar vetëm në nivelin politik, nuk shoh se është krijuar edhe ekipi i ekspertëve që do ta përcillte nivelin politik vendimmarrës me analiza dhe ekspertiza profesionale të të gjitha fushave. D.m.th. ne jemi ende në fazën e parë preliminare të konstituimit të ndonjë trupi apo forumi ta quaj, që do të kyçej operativisht në negociatat për statusin. Këshilla ime do të ishte që ky grup negociator ta kuptonte shumë më seriozisht përgjegjësinë, detyrën, barrën e madhe që e ka para vetes dhe në vend të improvizimeve, siç ishin ato të kaluara nga Rambujeja , t’i qasen shumë më seriozisht këtij procesi.
Fundja nuk ka nevojë, që unë ta them këtë, sepse e dinë të gjithë Kosova po hyn në procesin përfundimtar të shtetformimit dhe këtu me të vërtetë duhet dhënë energji e plotë, duhet ngritur përgjegjësi e plotë, duhet investuar me kompetencë dhe profesionalizëm në qasjen ndaj statusit.

EVROPA E LIRË
Si e shini rolin e komunitetit ndërkombëtar pasi, që të jetë përcaktuar statusi i Kosovës?

BLERIM REKA
Unë nuk mendoj se edhe nëse fitohet pavarësia e Kosovës, komuniteti ndërkombëtar menjëherë do të tërhiqet nga Kosova. Konsideroj se ai do të mbetet edhe për një kohë, derisa të fuqizohen institucionet vendore d.m.th. të parat e një shteti të pavarur për t’u asistuar atyre, për t’i këshilluar jo vetëm në aspektin politik, por edhe në atë ekonomik-financiar, e pse jo edhe në atë të sigurisë, sepse këtu kam parasysh mbetjen e KFOR-it edhe për një periudhë si dhe të BE-së, që do të mund të përgatiste këtë shtet të ri dhe të pavarur çfarë është Kosova në procesin e Stabilizim –Asociimit dhe deri në procesin e integrimit. Prandaj nëse e keni fjalën se a do të jetë e domosdoshme edhe pas pavarësisë një prani ndërkombëtare, unë do të thoja se po.

Intervistoi Albana Isufi
XS
SM
MD
LG