Ndërlidhjet

17 NËNTORI AFATI I FUNDIT PËR TË DISKUTUAR REZOLUTËN PËR PAVARËSI


Zijadin Gashi, Prishtinë

Rezoluta për rikonfirmimin e vullnetit të popullit të Kosovës për shtet të pavarur e sovran do të procedohet në Kuvend për miratim më së largu deri më datën 17 nëntor. Kështu ka vendosur sot Kryesia e Kuvendit. Mirëpo edhe sot u tha se kjo Rezolutë ende nuk ka një tekst të harmonizuar, kështu që deri atëherë, grupet parlamentare dhe komisionet përgjegjëse duhet ta harmonizojnë tekstin e saj, në mënyrë që gjatë seancës plenare të mos shkohet me dy tekste. Deputeti i LDK-së në Kryesinë e Kuvendit, Fatmir Sejdiu tha se është në interes të Kosovës që të ketë një tekst të harmonizuar dhe të mos shkohet në seancë me dy versione:
“Ne insistojmë me këmbëngulje, dhe ky ishte një qëndrim i gjithë anëtarëve të Kryesisë, që ky proces të mbyllet sa më shpejt dhe para Kuvendit të dilet me tekst i cili do të miratohet në një seance të veçantë. Këtu është një qëllim i përbashkët i të gjitha grupeve parlamentare dhe LDK-ja insiston që të ecet sa më shpejt në kualitetin e vet dhe të vihet në funksion të ardhmes së Kosovës”, tha Sejdiu.
Ndërkohë deputeti nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti, tha se dallimet në tekstet e propozuara janë të vogla dhe pret që komisionet parlamentare t’i harmonizojnë qëndrimet brenda një jave. Ai tha po ashtu se Kuvendi duhet të miratojë një tekst të Rezolutës që nuk do të ishte në kundërshtim me Kornizën Kushtetuese, në mënyrë që të mos ketë efekte negative dhe reagime kundërshtuese nga shefi i UNMIK-ut:
“Absolutisht nuk ka kontradikta. Është një fjali e cila duhet të harmonizohet. Fjalën e fundit në tekstin e Rezolutës e ka Kuvendi i Kosovës dhe normalisht në qoftë se Petersen konstaton se ka shkelje në Kornizën Kushtetuese dhe Rezolutën 1244 ai ka kompetencat e veta”, tha Haliti.
Në anën tjetër, deputeti Naim Maloku nga radhët e AAK-së, e ka përjashtuar mundësinë që zvarritjet në miratimin e kësaj Rezolute po ndikojnë negativisht në punën e Grupit Negociues:
“Çështjet që kanë të bëjnë me Grupin Negociues nuk kanë lidhje me Kuvendin e Kosovës, ato nuk janë si pasojë e ngecjeve apo debateve në Kuvend. Grupi Negociues e ka obligim nga votuesit e Kosovës të jetë unik në qëndrimin e tij dhe në procesin që ka hyrë Kosova. E kanë obligim me votë”, theksoi Maloku.
Sidoqoftë, pritet që deri më datën 17 nëntor, Kuvendi, nëpërmes komisioneve parlamentare ta harmonizojë tekstin e Rezolutës, ose në të kundërtën, do t’i mbetet Kuvendit që gjatë seancës të përcaktohet për njërin nga dy tekstet e ofruara. Dallimi kryesor në tekstet e ofruara qëndron te formulimet. Kështu teksti i parë, i kërkon Kuvendit rikonfirmimin e vullnetit të popullit të Kosovës për shtet të pavarur e sovran, kurse teksti i dytë i Rezolutës kërkon ri-deklarimin e shpalljes së Kosovës si shtet të pavarur e sovran.


XS
SM
MD
LG