Ndërlidhjet

KOSOVA VEND ORIGJINE PËR TRAFIKIM DHE PROSTITUCION


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Që prej përfundimit të luftës në trafikimi i qënieve njerëzore dhe shfrytëzimi i tyre për prostitucion të dhunshëm ka shënuar rritje. Sipas organizatave që merren me rehabilitimin e viktimave të trafikimit, fakt shqetësues tashmë është se Kosova është bërë vend origjine i trafikimit. Sevdije Ahmeti, udhëheqëse e qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë, thotë se në dy vitet e fundit nga numri i përgjithshëm i viktimave mbi 90 përqind janë viktima me origjinë nga Kosova. Lakmia për të pasur një jetë më të mirë dhe kushtet e rënda socio-ekonomike, janë arsyet kryesore që këto vajza shndërrohen në viktima të trafikantëve, thotë zonja Ahmeti. Në bazë të një studimi që ka bërë kjo qendër 62 përqind e viktimave vendore të trajtuara janë me origjinë nga zonat rurale, 38 përqind janë viktima nga zonat urbane, 81 përqind e viktimave vendore janë të mitura, kurse niveli i arsimit të tyre, sipas zonjës Ahmeti është i ulët, apo krejtësisht analfabete.
“Prej një janarit të vitit 2000 e deri në korrik të vitit 2005, ne kemi asistuar 506 viktima. Këta janë emra të rinj. Shtoni edhe 350 fëmijë, për të cilët ne nuk dimë asgjë, ata fëmijë ishin prej moshës 13 deri në 16 vjeç, ky është numër shumë i madh,” tha zonja Ahmeti.
Zyrtarët thonë se viktimat e këtilla zakonisht punojnë nëpër kafeteri dhe restorante të ndryshme në mbarë Kosovën. Një prej organizatave ndërkombëtare që merret me rehabilitimin e viktimave është Organizata Ndërkombëtare për Migrim, e cila kryesisht merret me viktimat që vijnë prej Evropës Lindore. Bekim Ajdini, nga kjo organizatë pohon se prej vitit 1999 e deri më tani kjo organizatë ka ndihmuar mbi 500 viktima, ndërsa 60 prej tyre kanë qenë viktima vendore.
Kjo organizatë, thotë zoti Ajdini, me anë të projekteve të ndryshme mundohet që për viktimat e rehabilituara të krijojë kushte më të mira për një jetë normale.
”Ndihmë në veshmbathje, ndihmë në konsultime psikologjike, psikiatrike, pastaj strehim. Nëse bëhet fjalë për viktimat vendore atëhere dizajnohen projekte të caktuara reintegruese, që në fakt do të mundësojnë viktimën që të kthehet në një jetë më normale, përmes projekteve që i kemi për ngritje të kapacitetit, trajnimeve të ndryshme, dhënies së granteve të ndryshme për fillim të ndonjë biznesi”, tha zoti Ajdini.
Mirëpo, zonja Ahmeti, thotë se reintegrimi i viktimave në shoqëri paraqet një problem shumë të madh. Ajo tha se në shumicën e rasteve edhe pse ato pranohen nga familjet, e kanë shumë të vështirë reintegrimin në rrethin e ngushtë dhe në atë më të gjerë. Familja i sheh me syrin e turpit, thotë zonja Ahmeti, ndërkaq rrethi më i gjerë me syrin e prostitutës. Asnjëra palë nuk i sheh me syrin se çfarë janë në të vërtetë, viktima.
“Jeta e tyre kontrollohet plotësisht, nuk pranohet nga ambienti, ne për shembull kërkojmë ndërrimin e ambientit të tyre, të shkollës ndoshta edhe të vendbanimit. Por çka t’i bëjë nëse klienti ka qenë nga ai vend ku shkon viktima të jetojë?”, tha zonja Ahmeti.
Sidoqoftë, në raportin e fundit të Organizatës Ndërkombëtare për Migrim thuhet se nëse viktima njëherë bie në kurthin e rrjetit të trafikimit, për të është shumë e vështirë të kontrollojë këtë proces. Gjërat personale, pashaporta dhe paratë u konfiskohen, kurse vetë mbeten nën nën një presion të vazhdueshëm fizik dhe psiqik. Gjatë ditës ajo zakonisht mbahet e mbyllur në banesë, kurse mbrëmjeve detyrohet të merret më prostitucion. Çmimi që paguhet për të sillet prej 100 deri në 5000 euro.
XS
SM
MD
LG